analizë
Probleme të studentëve

Probleme të studentëve

Louis Althusser - 15 janar 2019 - 15:09

Cilat parime teorike të marksizmit duhet dhe mund të kenë rol për analizën shkencore të mjedisit universitar të cilit i përkasin studentët, së bashku me mësuesit, punonjësit e hulumtimit dhe administratorët? Në thelb, janë konceptet marksiste të ndarjes teknike dhe sociale të punës. Marksi i zbatoi këto parime në analizën e shoqërisë kapitaliste. Ato janë të vlefshme për analizën e të gjitha shoqërive njerëzore (në kuptimin që formimi shoqëror mbështetet në një mënyrë të caktuar prodhimi). Ato janë të vlefshme a fortiori për një realitet të veçantë shoqëror si universiteti, i cili i përket për arsye të dukshme secilës shoqëri moderne, kapitaliste, socialiste apo komuniste.

Një shoqëri jeton dhe zhvillohet prej një procesi pune të kryer në një mënyrë të veçantë prodhimi nga njerëzit. Procesi i punës, i cili është një proces i përgjithshëm shoqëror, i jep çdo individi që bën pjesë në këtë shoqëri, një vend në ndarjen e punës. Ndarja e punës në këtë mënyrë përcakton vendet e punës (postet) ose pozicionet që një shoqëri ua cakton individëve që e përbëjnë atë, në një proces pune që e mban shoqërinë në jetë dhe në zhvillim.

Marksi ka treguar se ndarja e punës ka dy forma, të cilat ndonjëherë janë të dallueshme dhe nganjëherë të mjegullta, qoftë në punë, në individë, ose në rezultatet e tyre; ndarja teknike dhe ndarja sociale e punës. (A) Ndarja teknike e punës përkon me gjithë ato punë, ekzistenca e të cilave përligjet ekskluzivisht nga nevojat teknike që përcaktojnë mënyrën e prodhimit në një moment të caktuar në zhvillimin e saj në një shoqëri të caktuar. Këto nevoja teknike përcaktohen në mënyrë objektive dhe prandaj janë shkencërisht të përcaktueshme në çdo shoqëri. Për shembull, prodhimi i mallrave të konsumit në një shoqëri të caktuar e cila ka në dispozicion instrumente dhe mjete prodhimi të përcaktuara, domosdoshmërisht mbart me vete një ndarje teknike të punës. Në një fabrikë kjo ndarje teknike e punës përfshin jo vetëm punët teknike (punëtorë të kualifikuar, punëtorë të pakualifikuar etj.) por edhe punët administrative (mbikëqyrësit përgjegjës për organizimin ose kontrollin e një procesi të ndërlikuar, inxhinierët, menaxhimin teknik të biznesit etj).

Brenda këtij lloji marrëdhënieje, një institucion si universiteti (që u përgjigjet nevojave teknike të ekonomisë si dhe prodhimit shkencor me anë të funksionit të tij pedagogjik dhe nga roli i tij madhor në zhvillimin dhe kërkimin shkencor) është në thelb, një pjesë e ndarjes teknike të punës në një shoqëri të caktuar moderne.

Roli i tij në ndarjen teknike të punës konsiston në ndërmarrjen e formimit pedagogjik të kuadrove të ardhshëm teknikë, shkencorë dhe socialë të shoqërisë dhe të pjesëmarrjes në punën krijuese shkencore. Formimi pedagogjik - domethënë, transmetimi i njohurive që ekziston në një shoqëri, njohuri kjo, e cila kushtëzon ekzistencën dhe zhvillimin e procesit të punës të shoqërisë, është një domosdoshmëri jetësore për çdo shoqëri; formimi pedagogjik është i bazuar mbi të gjitha në ndarjen teknike të punës. (B) Ndarja shoqërore e punës shpreh një aspekt krejtësisht të ndryshëm të ndarjes së punës. Funksioni i saj është të garantojë procesin e punës së shoqërisë në formën e strukturës dhe sundimit klasor. Ndarja sociale e punës është pra teknike vetëm në kuptimin që ajo pasqyron mënyrën (sociale, politike, ideologjike) të sundimit në procesin shoqëror të punës.

Në këtë mënyrë shteti me instrumentet e tij - ushtrinë, policinë, gjykatat e kështu me radhë - dhe me gjithë personelin dhe të gjitha punët e lidhura me këto mjete të sundimit klasor, është baza par excellence e ndarjes sociale të punës. Kjo ndarje ka reperkusione të thella në çdo nivel të procesit prodhues.

Administrimi i një fabrike nuk është vetëm një formë e ndarjes teknike të punës; pjesa më e madhe e aparatit të vet komercial, publicitar, e kështu me radhë, dhe e aparatit të vet të brendshëm për kontrollin e shtypjen e punëtorëve (ligjërisht a tjetërsoj), shfaqet nën ndarjen sociale të punës. Minatorët tek përgjegjësi, që është përgjithësisht një ish-punëtor i ngritur në rangun e mbikëqyrësit - dikush që punon për interesat e padronit dhe, rrjedhimisht edhe ato të shtetit, shohin një model shembullor të ndarjes sociale të punës nën maskimin e ndarjes teknike të punës. Punë të caktuara (disa zyrtarë të caktuar të administrimit, madje edhe inxhenierë të caktuar) përfaqësojnë drejtpërsëdrejti çështje të ndarjes sociale të punës në një fabrikë. Punë të tjera kanë një funksion të dyfishtë: ndarje teknike dhe ndarje sociale të bashkuara në një punë të vetme. Administrata i vendos shpesh punëtorët në këtë funksion shoqëror kontrolli e shtypjeje mbi shokët e tyre. Kështu, disa njerëzve u jepen dy funksione kontradiktore; nëse ata i pranojnë këto punë dhe detyrime, atëherë në çastet vendimtare, marrdhënia mes forcave shoqërore herë i shtyn ata nga ana e pronarit e herë nga ana e punëtorëve.

E njëjta gjë vlen edhe për universitetin, por në kushte shumë të veçanta të cilat duhet të kuptohen në mënyrë absolute. Ajo që tradicionalisht quhet "pavarësia e universitetit" ose liritë e tij [ekskluzivitet] (për shembull, fakti që policia nuk mund të hyjë në asnjë institucion universitar pa qenë e thirrur nga zëvendës-kancelari ose përfaqësuesi i tij; fakti që profesorët pothuajse gjithmonë zgjidhen nga kolegët e tyre, etj), nxjerr në pah situatën e veçantë dhe 'të privilegjuar' të universitetit kundrejt ndarjes shoqërore të punës.

Pse universiteti gëzon privilegje të tillë? Përpjekjet e gjatatë qëndresës ndaj pushtetit ndër shekuj, i kanë krijuar universitetit këtë situatë të veçantë e cila i jep strehë atij deri në një farë mase përballë kuturisjeve qeveritare - domethënë përballë politikës klasore të borgjezisë.

Pas një mijë e një formash të gjata përpjekjesh të cilat e kanë themeluar dhe konsoliduar atë, shoqëria klasore është detyruar t’i japë organizatës që shpërndan dijet të cilat asaj i nevojiten (dije të cilat, teksa i shpërndan, shpesh ka më shumë gjasa që ajo edhe t’i prodhojë, në formën e shpikjeve shkencore), pavarësinë për të cilën kjo organizatë ka nevojë, për shkak të vetë natyrës së objektit që qëndron pas gjithë veprimtarisë së saj. Dije të tilla zgjojnë shpirtin kritik dhe lypin atë liri mendimi të domosdoshme për lindjen dhe zhvillimin e të gjithë shkencës. Universitetet e para lindën në qytetet e 'lira' mesjetare - domethënë të lira nga tutela politike feudale; për shëmbull, Parisi dhe Bolonja. Në këto universitete u zhvilluan debatet e mëdha shkencore dhe filozofike, prej të cilave u var fati i shkencës moderne e madje shpesh edhe zhvillimi i qytetërimit modern. Tradicionalisht universiteti përfaqëson vlera 'liberale': shpirt kritik, liri kërkimi e debati shkencor, e kështu me radhë. Këto nuk burojnë, ashtu siç thonë në mënyrë të rrezikshme disa njerëz, prej individualizmit borgjez, por nga vlerat e vërteta shkencore. Do të ishte një gabim serioz të ngatërrohej liria për të cilën çdo veprimtari shkencore ka nevojë si ajri për frymëmarrje, si kusht themelor për të gjitha hulumtimet shkencore, me ideologjinë e liberalizmit ekonomik dhe politik të borgjezisë. Do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme të ngatërroheshin format shkencore, nganjëherë domosdoshmërisht individuale, të cilat komandojnë në rrethana të caktuara veprimtarinë shkencore krijuese, me format juridike dhe politike të ideologjisë individualiste borgjeze. (Për shekuj me radhë zbulimet shkencore ishin shpesh vepra të individëve të izoluar: Vetë Marksi e bëri zbulimin e tij i vetëm me Engelsin, Lenini punoi i vetëm në dy ose tri momente vendimtare për historinë e njerëzimit.) Ta ngatërrosh kërkimin individual (ndonjëherë absolutisht të domosdoshëm) me individualizmin juridik, politik dhe ideologjik borgjez, për të krijuar kundërvënie ndaj formave kolektive të trajtave të mirëvendosura individuale ose liberale të kërkimit shkencor; ta dënosh këtë të fundit si të ishte shpalljee ideologjisë 'liberale' ose 'individualiste' të borgjezisë; këto janë pikëpamje shumë të rrezikshme, sa nga pedagogjia aq dhe nga pikëpamja politike dhe ideologjike. Për marksistët, ajo që përbën "lidhjen vendimtare", nuk është forma përmes së cilës transmetohet ose përthithet a zbulohet dija, por cilësia e mirëfilltë e dijes.

Liberalizmi i Universitetit sot është një vlerë e vërtetë politike në luftën kundër shndërrimit të organizatës arsimore në një instrument që u nënshtrohet objektivave të teknokracisë sunduese - domethënë objektivave të borgjezisë monopoliste. Të shpërfillësh këtë vlerë do të thotë të kryesh një gabim politik.

Tëhuajësimi i akademikëve sepse, meqenëse janë 'liberalë', ata janë 'xhaketa të vjetra' dhe shkelja e traditave liberale të universitetit, do të thotë kryerje e një gabimi politik. Ta dënosh 'individualizmin' në përgjithësi, pa dalluar me kujdes individualizmin ideologjik borgjez nga nevoja për kërkime individuale në raste të tjera, do të ishte, në varësi të rastit, ose gabim shkencor, ose politik, ose të dyja bashkë (veçanërisht në rastin kur puna individuale kryhet në forma kolektive racionale të cilat mund të lulëzonin vetëm aty ku ka një zhvillim dhe racionalizim përtej e mbi atë të vetë punës individuale).

Dija shkencore e kushteve dhe pikave të zbatimit të ndarjes sociale të punës dhe efekteve të saj në universitet është e domosdoshme për të gjithë punën politike (dhe sindikale) në universitet.

Tani, ajo që është e mrekullueshme është se në rastin e universitetit ndarja sociale e punës, dhe për këtë arsye edhe sundimi klasor, vihet në veprim masivisht por jo vetëm - ose edhe kryesisht –atëherë kur teoricienët studentë e jo-studentë vihen në kërkim të saj. Ajo vihet në veprim masivisht dhe në mënyrë 'verbuese' (çka pa dyshim është arsyeja pse jo gjithmonë 'ajo' shihet), përmes vetë objektit të punës intelektuale; dijes që universiteti është porositur për t'ua shpërndarë studentëve.

Mund të shihen lehtësisht efektet e përgjithshëm të ndarjes sociale të punës - domethënë, sundimit klasor - në disa masa serioze qeveritare (kontrolli i emërimeve të mësimdhënësve nga krye-pedagogët, krijimi i pozicionit të një sekretari të përgjithshëm për arsimin kombëtar, manovrat politike mbrapa emërimeve të zëvendës-kancelarëve, projektet për reformimin e arsimit sipas linjave teknokratike, anti-demokratike, etj). Projektet qeveritare për reformin e arsimit janë më të rrezikshmet, sepse ato do të priren prej disa pretendimeve të gabuara të mbështetura në konfuzion teorik. (Për shembull, teknokratët më të zgjuar nuk janë parimisht armiqësorë ndaj 'bursave studentore', për një sasi të kufizuar [studentësh] dhe as kundër formimit paraprak profesional të përshtatshëm, çka do të ishte e neveritshme për shkencën, por e dobishme për teknokracinë). Në çdo rast, përpjekja për reformimin e universitetit shkon përtej kornizës së thjesht luftës së studentëve, dhe ka të bëjë me tërë trupin mësimor në të tre nivelet e tij - institucionet teknike, mësimore dhe kërkimore; ajo gjithashtu ka të bëjë me të gjithë kombin, që do të thotë që më së shumti, ajo na përket neve, organizatave e sindikatave të punëtorëve e në veçanti CGT-së dhe Partisë Komuniste. Zhvillimi i kësaj beteje kërkon bashkimin e të gjitha aftësive dhe të të gjitha forcave universitare e popullore.

Sidoqoftë, po t’i binin ndokujt “në sy” efektet e ndarjes sociale të punës vetëm prej masave politike dhe administrative të qeverisjes, pikës primare strategjike të klasave sunduese, veprimit të ideologjisë së saj–e cila arrin deri në qendrën e dijes që studentët marrin nga zotat e tyre - kjo pikë veprimi, kështjella e vërtetë e interesit klasor në universitet, do të mbetej e paprekur. Sepse, nëse jo në afate të shkurtër, të paktën në terma afatmesëm, ndikimi më i thellë që borgjezia ushtron tek ta, qëndron në natyrën e vetë dijes që ajo u jep studentëve. Përmes njohurive të mësuara në universitet tejçohet vija e përhershme dalluese midis ndarjes teknike dhe sociale të punës, çka është ndarja më e përhershme dhe më e thellë klasore.

A është dija e shpërndarë një shkencë e vërtetë? Nëse po, atëherë shpërndarja e saj me të vërtetë korrespondon me nevojën teknike dhe pastaj funksioni pedagogjik është në thelb i shëndetshëm, edhe nëse format e tij janë relativisht "të vjetra" dhe kanë nevojë për reformim. A është dija e shpërndarë një ideologji e pastër? Sikurse është në lëndë e kurse të caktuara? Nëse po, atëherë arsimi është në shërbim të një ideologjie dhe, rrjedhimisht, të një politike klasore edhe nëse 'format' e mësimdhënies janë shumë 'moderne'. A është e dyshimtë natyra e njohurive që mësohen, a janë 'shkencat' që mësohen ende të paqarta, problematike, pa një status të caktuar, ngurruese mes ideologjisë dhe shkencës, dhe në një përcaktim të përgjithshëm: në nivel teknikash të goditura përmes ideologjisë? Pastaj, funksioni pedagogjik është në vetvete i dykuptimtë, dy-përdorimësh: një pjesë teknike, tjetra politiko-ideologjike, pa dallim nëse format me anë të të cilave shpërndahet kjo gjysmë-dije janë 'të vjetëruara' a moderne. Të gjithë studentët mund të identifikojnë këtu shumicën e disiplinave letrare, historinë letrare, filozofinë, drejtësinë në formën e saj të përgjithshme e madje ndonjëherë edhe historinë, të cilat shpesh janë vendndodhje e estetikës, etikës, gjyqësisë ose politikës ideologjike mbretëruese e po ashtu thuajse të gjitha të ashtuquajturat shkenca ‘humane’, të cilat janë terreni i zgjedhur për ideologjinë bashkëkohore pozitiviste teknokratike.

Madje edhe në shkencat natyrore, mësuesit, studentët dhe studiuesit mund të jenë në gjendje të dallojnë në paraqitjen pedagogjike të subjektit të tyre efektet e ideologjisë pozitiviste e cila është e rrënjosur thellësisht në shkencat natyrore, pa hasur në 'kundërshtim'. Dhe në qoftë se format e mësimit të shkencës natyrore, duke përfshirë edhe punën praktike, u frymëzojnë studentëve vetëm pasivitet, atëherë studentët kanë të drejtë. Përmes pasivitetit të tyre, ata i rezistojnë jo edhe aq formave shmangëse pedagogjike si arsye thelbësore e kësaj shmangieje: por ideologjisë pozitiviste e cila e copëton një shkencë të gjallë në segmente si një trup të vdekur dhe i detyron studentët ta gëlltisin atë me zor, sikur e vërteta shkencore të ishte ndonjë send. Nëse ndodh që këto "sende" t’u ngecin në fyt studentëve a mësimdhënësve, atëherë ajo është gjëja e duhur. Përderisa arsyeja për këtë sendërtim (pozitivist) të shkencës nuk denoncohet, për aq kohë sa reforma e vërtetë pedagogjike nuk i imponohet pozitivizmit mbretërues i cili mbizotëron në shkencat natyrore (duke përfshirë mjekësinë dhe farmacinë) dhe shpesh në art, duke kërkuar për shembull, arsimim në fushën e epistemologjisë së çdo shkence dhe filozofisë së shkencave, për të gjitha disiplinat (kudo, në art e po aq sa në shkencat) dhe një konceptim të ri të lëndës së shkencës, të atillë që të kërkojë forma të reja e të përshtatshme pedagogjike - përderisa kjo nuk është bërë, atëherë mbetet të bëhet gjëja thelbësore. [1] Pika strategjike numër një, atje ku diskutohet sundimi klasor mbi mendjet e kërkuesve, mësuesve dhe studentëve, është natyra e dijeve që jepen në mësim, dijetë cilën një ndarje klasore do ta ndante në dysh: shkenca nga njëra anë dhe ideologjia nga tjetra.

Funksioni pedagogjik

Meqenëse kjo dije tërheq vëmendjen drejtpërsëdrejti tek funksioni pedagogjik mbi të cilin mbështetet universiteti është e nevojshme të sigurohet një analizë objektive e këtij funksioni.

Funksioni pedagogjik ka për objekt përçimin e një njohurie të caktuar tek subjektet që nuk e zotërojnë atë. Prandaj gjendja pedagogjike mbështetet në gjendjen absolute të një pabarazie mes njohurisë dhe mungesës së njohurisë.

Ata tek të cilët shoqëria nëpërmjet institucioneve pedagogjike transmeton njohuritë që ajo ka vendosur që ata duhet të përvetësojnë, përfaqësojnë anën e mosnjohjes ose, nëse parapëlqeni (pasi një pa-njohuri është njëherit një lloj njohurie), palën e njohurisë së pabarabartë –të ulët. Ata të cilët shoqëria i ngarkon me përçimin tek jo të diturit, të njohurisë që ata zotërojnë, përfaqësojnë anën e dijes, ose atë të njohurisë së pabarabartë - sipërore. Marrdhënia e mirënjohur nxënës-mësues, ligjërues-student, është shprehja teknike e kësaj marrëdhënie themelore pedagogjike. Si rregull i përgjithshëm, shoqëria ua jep punën e mësuesit, studentëve të dikurshëm, të cilët janë bërë mësues dhe për këtë arsye janë më të vjetër se nxënësit e tyre. Por mundet që mësuesit, në raste të caktuara (arsimimi i të rriturve, kurset e rikualifikimit, etj.) të jenë më të rinj se nxënësit e tyre; kështu është shumë shpesh rasti gjatë periudhave të transformimeve të mëdha politike e shoqërore, për shembull gjatë fushatave të mëdha kundër analfabetizmit (në BRSS pas vitit 1917, në Kinë pas vitit 1949, apo Kubë e Algjeri sot), ose për dhënien e arsimit bazë udhëheqësve politikë të cilët janë ngritur drejtpërdrejt nga masat (p.sh. Rabotfak-ët në BRSS të cilët kanë marrë vlerësime nga vetë ish-nxënësi i tyre, Hrushovi). Në çdo rast, të paktën në shoqëritë jo-primitive, marrëdhënia nxënës-mësues nuk bazohet në dallimet e moshës, por mbi marrëdhënien pedagogjike themelore mes një njohurie ose diturie dhe mosnjohjes së të njëjtës dije.

Ajo parrulla që shpall "Sorbonë për studentët!" duhet të shqyrtohet nën suazën e saktësisht kësaj marrëdhënieje. Nëse kjo parrullë nënkupton se Sorbona nuk i përket policisë, atëherë ai është i saktë. Por Sorbona nuk u përket vetëm studentëve; ajo gjithashtu u përket edhe mësuesve të tyre, si edhe organizatës që mundëson funksionimin e marrëdhënies pedagogjike, e po ashtu edhe administratorëve të saj "teknikë". Të harrohet kjo në një parrullë të drejtuar kundër një qeverie e cila lejon policinë të hyjë në Sorbonë, është pedagogikisht një gabim dhe politikisht një fyerje ndaj bindjeve të shumicës së mësuesve.

Theksimi i dallimeve në moshë ose ndryshimeve të gjeneratave si mjet në luftën kundër një numër institucionesh haptaz të prapambetura, mund gjithashtu të jetë një gabim. Nuk është mosha e njerëzve apo e institucioneve ajo që përcakton automatikisht vlerën e tyre pedagogjike, por është roli aktual që ata përmbushin në mësimdhënie. Ata që janë sistematikisht kundër të vjetrës dhe në favor të së resë duhet të jenë syçelët përballë kurtheve të ‘risive' qeveritare. Teknokracia është e mbushur me njerëz inteligjentë dhe ide të reja. Nuk duhet përzier kërkesa për rinovim, bazuar në shkencë, e cila gjithmonë është objektivisht progresive, me joshjen e thjeshtë prej risisë e cila mund të çojë drejt utopisë dhe rreziqeve të saj politike.

Asnjë çështje pedagogjike, e cila presupozon dije të pabarabartë mes mësuesve dhe studentëve, nuk mund të zgjidhet mbi bazën e barazisë pedagogjike midis mësuesve dhe nxënësve. Është një kërkesë e përligjur që studentët të përfaqësohen në të gjitha komitetet e administrimit këshillimor të një fakulteti apo të një shkolle, me kusht që ata të jenë mjaftueshëm të rritur sa për t’u pranuar në universitet. Por studentët gabojnë kur kërkojnë që në këto organizata pedagogjike përfaqësuesit e tyre duhet të kenë kompetenca vendimi të barabarta me ato të përfaqësuesve të mësuesve, sepse kjo nuk korrespondon me realitetin e funksionit pedagogjik.

Kërkesa e studentëve për përfaqësim të barabartë ose madje shumicë përfaqësuese në menaxhimin e aktiviteteve studentore jashtë situatës së mësimdhënies është i vlefshëm, sepse ajo korrespondon me një realitet social dhe politik dhe jo me një realitet pedagogjik. Kërkesat e studentëve për një përfaqësim që përkon me pozicionin e tyre dhe rëndësinë e tyre në komitetet administrative këshillimore (e pedagogjike në terma jo-striktë) janë gjithashtu të justifikueshme. Por është e gabuar që një kërkesë për përfaqësim të barabartë në një sektor ku është objektivisht epërligjur (koordinimi i aktiviteteve) të transferohet në një sektor ku ajo nuk justifikohet (koordinimi i planeve mësimore dhe i institucioneve të përshtatshme pedagogjike).

Kur studentët dëshirojnë që marrëdhënia e tyre e veprimit me mësuesit e tyre - të cilat në përgjithësi presupozojnë edhe në arsimin e lartë një pabarazi mes njohjes dhe mosnjohjes së një dijeje - të organizohet sikur ekziston një barazi e vërtetë mes mësimdhënësve dhe studentëve, ata rrezikojnë të jenë vetë shkaktarë të konfuzionit. Joshja që ushtron kërkimi shkencor mund ta nxisë këtë gabim.

Format kolektive të punës që ekzistojnë në praktikën e kërkimit shkencor presupozojnë, pikërisht atë barazi në njohuri midis hulumtuesve e cila i bën të frytshme shkëmbimet dhe bashkëpunimin e tyre. Por kërkimi nuk presupozon vetëm barazi në njohuri, por një barazi të atillë në njohuri, e cila është e domosdoshme për kryerjen e një kërkimi të vërtetë, e jo simulacrum-in e saj.

Studentët duhet të binden se për të kryer hulumtime kanë nevojë për një edukim të gjatë, me përjashtim të rasteve kur me ‘hulumtim’ nënkuptohet ndarja teknike e hetimeve të njëpasnjëshme, të quajtura hulumtime nga shoqëria kapitaliste, çka haset me bollëk në të dyja llojet e shkencave, natyrore dhe ato humane, dhe ku hulumtuesi është më shumë një operativ i objektivave të fragmentarizuara e të sistemuara nga të tjerët sesa nga hulumtuesi i vërtetë - këta janë 'gjysmë-hulumtues', viktima të pasojave të ideologjisë pozitiviste që dominon në vetë fushën e hulumtimit. Sidoqoftë, ne nuk duhet ta quajmë hulumtim, rizbulimin personal ose kolektiv të një dijeje tashmë ekzistuese - përndryshe ne do të duhej ta merrnim punën bibliografike për kërkim shkencor.

Puna kolektive qëllimi i së cilës është asimilimi i një njohurie ekzistuese mund të ketë një drejtim dhe kuptim të arsyeshëm. Organizimi metodik i kësaj pune kolektive ka një drejtim dhe kuptim:

ai mund t'u kursejë studentëve shumë kohë dhe përpjekje. Por çdo metodë që synon të shpejtojë asimilimin e njohurive ekzistuese duke u vërvitur drejt saj qorrazi, sado plot synime të mira "pjesëmarrëse", është teknikisht e keqe: puna kolektive e përcaktuar ka vetëm kuptim dhe drejtim nëse udhëhiqet nga mësues ose asistentë të tyre, mësues të cilët kanë pikërisht atë njohuri që nxënësit duhet të fitojnë dhe që zotërojnë teknikën shkencore për transmetimin e asaj dijeje. Kjo teknikë shkencore quhet 'pedagogji'. Ideologjia e vetëshkollimit, sado fisnike (në të vërtetë entuziazmi i saj nuk mund të zgjasë kurrë gjatë), e cila ushqen mosbesim tek të gjitha format 'drejtuese', që bën dallimin midis grupeve të punës 'klasike' të udhëhequra nga mësuesit (të konsideruar 'stil të vjetër' dhe pothuajse pasive) dhe grupeve që konsiderohen 'autentike' sepse janë 'demokratikë' (p.sh. refuzuese për të thirrur mësuesin për ndihmë), mbështetet në një konceptim të gabuar jo thjesht të realitetit të kërkimit, por edhe të punës së thjeshtë pedagogjike (që supozon se ata që zotërojnë njohuri do të ndihmojnë studentët që kanë për detyrë ta marrin atë).

Një koncept i tillë anarko-'demokratik' i pedagogjisë mund t'i çojë studentët vetëm në zhgënjim. Është absurde të shpërdorosh kohë duke rizbuluar me metoda të paqarta dhe me kosto mundimesh të konsiderueshme, njohuri për të cilat ekziston një rrugë që është pafundësisht më direkte, pasi që është racionale. Nxënësit që mund të këmbëngulin në këtë mënyrë, në fakt do të shtyjnë momentin kur ata mund të fitonin formimin që u nevojitet për t’u bërë hulumtuesit që ata ëndërrojnë.

Ata gjithashtu rrezikojnë të tëhuajësojnë vullnetin e mirë të profesorëve të tyre, të cilët kështu trajtohen padrejtësisht me sy dyshues në veprimtarinë e tyre pedagogjike dhe njohuritë e të cilëve mendohet se janë të panevojshme. Ata madje mund t'i tëhuajësojnë ata politikisht, deri në atë pikë sa ta shndërrojnë në armik të çështjes politike ose sindikale që mbrojnë studentët, dikë që mund ta kishin aleat a shok të mundshëm në luftë. Duke e vonuar formimin e tyre shkencor, studentët që kënaqen me metodat 'pjesëmarrëse', nëpërmjet të cilave ata i japin vetes iluzionin 'demokratik' të dijes, do të ngecin për një kohë të gjatë në gjysmëdije - domethënë në një gjendje që nuk i pajis ata me armë ne të mësuarit shkencor.

Nuk është rastësi që një qeveri reaksionare borgjeze ose "teknokratike" preferon gjysmëdijen në të gjitha fushat dhe se, përkundrazi, çështja revolucionare është gjithmonë e lidhur pazgjidhshmërisht me diturinë, me fjalë të tjera me shkencën. Është shumë më e lehtë të manipulosh intelektualë me formim të dobët shkencor sesa intelektualë me një formim të fortë; t'i manipulosh dhe t'ua nënshtrosh ata një politike e cila, pavarësisht nga ç’thonë disa njerëz, po zbatohet me mjeshtëri të konsiderueshme. Asaj çka qeveria i trembet mbi çdo gjë është formimi shkencor dhe kritik i intelektualëve, ndonëse ajo vetë mbetet megjithatë e detyruar të japë edukim, me qëllim që t’i sigurojë vetes me kuadro dhe mësues.

 

 

shënim

[1].  Për të shmangur ndonjë keqkuptim, duhet të specifikoj se ajo që ka rëndësi në problemin e paraqitur nga aktiviteti i mësimdhënësit / studentit, është të dallohet forma e mësimdhënies (p.sh metodat pedagogjike që janë pak a shumë të vlefshme) nga përmbajtja e mësimdhënies pra njohuria që është pakashumë shkencore ose pakashumë ideologjike); e pastaj, sapo të bëhet ky dallim, të përcaktohet se cila është pika kryesore dhe cila është dytësorja - cili element është dominues dhe cili ai i nënrenditur. Që është përmbajtja (dituria) dominante dhe forma, e nënrenditura. S’ka nevojë të thuhet, se ky përfundim nuk nënkupton që ne duhet të neglizhojmë transformimin e formave të mësimdhënies! Por ne duhet t’i trajtojmë ato në realitetin e tyre; domethënë, në funksion të përmbajtjes e cila në instancë të fundit mbetet dominuesja, si një funksion i dijeve të dhëna përmes mësimit.

Përktheu: Sokol Shameti