analizë
Shndërrimi i madh: Origjinat politike dhe ekonomike të kohës sonë

Shndërrimi i madh: Origjinat politike dhe ekonomike të kohës sonë

Karl Polanyi - 16 janar 2019 - 21:51

PJESA PARË

SISTEMI NDËRKOMBËTAR

 

KAPITULLI I

Paqja njëqindvjeçare

 

Qytetërimi i shekullin XIX ka pësuar kolaps. Ky libër trajton origjinat politike dhe ekonomike të kësaj ngjarjeje, si dhe me shndërrimin e madh që ai solli me vete.

Qytetërimi i shekullit XIX bazohej në katër institucione. I pari ishte një sistem i balansit të fuqive, i cili për një shekull arriti të parandalojë shpërthimin e një lufte të gjatë dhe shkatërrimtare midis Fuqive të Mëdha. I dyti ishte standardi ndërkombëtar i arit, i cili simbolizonte një organizim të veçantë të ekonomisë botërore. I treti ishte tregu vetë-rregullues i cili prodhoi një mirëqenie materiale të paparë. I katërti ishte shteti liberal. Nëse i klasifikojmë në një mënyrë, dy nga këto institucione ishin ekonomike, dy politike. Nëse i klasifikojmë në një mënyrë tjetër, dy ishin kombëtare, dy ndërkombëtare. Sido që të jetë ato përcaktuan karakteristikat kryesore të historisë së qytetërimit tonë.

Nga të gjitha këto institucione, standardi i arit u provua të jetë kyç, pasi që rënia e tij ishte shkaku i afërt i katastrofës. Derisa ishte pranë dështimit, shumë institucione tjera u sakrifikuan në përpjekje për ta shpëtuar atë.

Por në themel të sistemit qëndronte tregu vetë-rregullues. Ishte pikërisht ky inovacion që solli në jetë një qytetërim të caktuar. Standardi i arit ishte vetëm përpjekje për ta zgjeruar sistemin e brendshëm të tregut në rrafsh ndërkombëtar; sistemi i balansit të fuqive ishte një superstrukturë e ngritur mbi standardin e arit, dhe i cili pjesërisht funksiononte përmes tij; ndërsa shteti liberal ishte krijesë e tregut vetë-rregullues. Çelës i sistemit institucional të shekullit XIX ishin proceset që rregullonin ekonominë e tregut.

Teza jonë është se ideja e tregut vetë-rregullues dhe vetë-korrektues përbënte një utopi të madhe. Një institucion i tillë nuk mund të ekzistonte për një kohë të gjatë pa shkatërruar substancën njerëzore dhe natyrore të shoqërisë; ajo do ta shkatërronte njeriun fizikisht ndërsa do ta shndërronte mjedisin e tij në një djerrinë. Pashmangshëm, shoqëria ndërmorri masa mbrojtëse, por masat që i ndërmerrte pengonin vetë-rregullimin e tregut, çorganizonin jetën industriale, prandaj rrezikonin shoqërinë në një drejtim tjetër. Ishte kjo dilemë që shtyri zhvillimin e sistemit të tregut në një kahje të caktuar, e cila në fund prishi organizimin shoqëror të bazuar mbi të.

Një shpjegim i tillë i një prej krizave më të mëdha të historisë së njerëzimit mund të duket tepër i thjeshtë. Mund të duket e marrëzishme përpjekja që një qytetërim, substanca dhe etosi i tij, të reduktohen në pak institucione; të zgjedhet njëri nga ta si fundamental dhe të zhvillohet në bazë të kësaj një argument për vetë-shkatërrimin e qytetërimit si pasojë e një aspekti teknik të organizimit të tij ekonomik. Qytetërimet, sikur vetë jeta, lindin si pasojë e ndërveprimit të shumë faktorëve të pavarur që nuk mund të reduktohen në një numër të caktuar institucionesh. Të kërkohet mekanizimi institucional që shpjegon rëniën e një qytetërimi mund t’i duket dikujt si një orvatje e pashpresë.

Mirëpo pikërisht kjo orvatje ndiqet këtu. Me vetëdije të plotë për veçantinë e skajshme të problematikës në fjalë, qëllimi i studimit bëhet qëllimisht më i prerë. Sepse qytetërimi i shekullit XIX ishte i veçantë pikërisht për shkak se përqëndrohej në një mekanizëm të caktuar institucional.

Është i pamjaftueshëm çdo shpjegim që nuk jep llogari për shpejtësinë e kataklizmës. Tashmë na duket se forcat e ndryshimit qenë akumuluar për gjatë një shekulli, kurse tani shpërthejnë në mënyrë marramendëse mbi njerëzimin me ngjarje të njëpasnjëshme. Një shndërrim shoqëror i shkallës planetare po ndiqet nga luftëra të një lloji krejt të ri, i cili ka çuar në shkatërrimin e shumë shteteve, ndërsa nga detërat e mbushur me gjak shihen të lindin konturat e perandorive të reja. Por ky fakt i dhunës djallëzore vetëm i mbivendoset një rryme të tejdukshme të ndryshimit që gëlltit të kaluarën pa lënë as dhe një gjurmë të vetme! Një analizë e arsyeshme e katastrofës duhet të shpjegojë veprimet e rrëmbyeshme por edhe të shpërbërjeve që ngjajnë në heshtje.

Puna jonë nuk është historike; nuk po kërkojmë një sekuencë të bindshme të ngjarjeve, por shpjegimin e trendeve të tyre sipas institucioneve njerëzore. Do të jemi të lirë të gjurmojmë të kaluarën me të vetmin qëllim që të hedhim dritë mbi çështjet e sotme; do të bëjmë analiza të detajuara të periudhave kritike pa respektuar lidhjet kohore; do të futemi në terrenin e shumë disiplinave shkencore duke synuar vetëm një qëllim.

Së pari do të merremi me kolapsin e sistemit ndërkombëtar. Do të përpiqemi të japim argumentin se sistemi i balansit të fuqive nuk mund të siguronte paqen kur ekonomia botërore mbi të cilin bazohej ai kishe dështuar. Kjo shpjegon se sa papritur ndodhi thyerja dhe shpejtësinë e paimagjinueshme të shpërbërjes së tij.

Por, nëse kolapsi i qytetërimit tonë varej nga dështimi i ekonomisë botërore, nuk ishte kjo e fundit ajo që e shkaktoi atë. Përkundrazi, origjinat e tij gjehen mbi një qind vjet më parë, në trazirat shoqërore dhe teknologjike nga të cilat lindi ideja e tregut vetë-rregullues në Evropën perëndimore. Sot përjetojmë fundin e këtij projekti; me të mbyllet një stad i veçantë i historisë së qytetërimit industrial.

Në pjesën e fundit të librit do të merremi me mekanizmin që përcaktoi ndryshimet shoqërore dhe kombëtare në kohën tonë. Do të merremi gjithashtu me situatën e njerëzimit. Thënë në mënyrë të përgjithshme, ne besojmë se gjendja aktuale e njeriut duhet të shpjegohet në bazë të origjinave institucionale të krizës.

***

Shekulli XIX pa një zhvillim të paparë në analet e historisë së qytetërimit perëndimor – paqes njëqind vjeçare, 1815-1914. Përveç Luftës së Krimesë – që ishte pak a shumë një eveniment kolonial – Anglia, Franca, Prusia, Austria, Italia dhe Rusia ishin në luftë mes vete për gjithsej vetëm tetëmbëdhjetë muaj. Një përllogari e shifrave nga dy shekujt e mëparshëm na japin një mesatare prej gjashtëdhjetë deri në shtatëdhjetë vjet luftë në secilin nga to. Por edhe konfliktet më të ashpra të shekullit XIX, Lufta franko-prusiane e 1870-71, përfundoi pas më pak se një viti, me shtetin humbës të detyruar që të paguajë një shumë të paparë për dëme, pa trazuar fare gjendjen e monedhave të vendeve përkatëse.

Fitorja e këtij pacifizmi pragmatik nuk ishte aspak e shkaktuar nga mungesa e arsyjeve serioze për konflikt. Kjo skenë e mosluftës u ndoq gjatë gjithë kohës me ndryshime të vazhdueshme në kushtet e brendshme dhe të jashtme të shteteve të fuqishme. Gjatë gjysmës së parë të shekullit, luftërat qytetare dhe ndërhyrjet revolucionare dhe kundërrevolucionare, ishin gjithëherë në rend të ditës. Në Spanjë, njëqind mijë trupa nën udhëheqjen e Duc d’Angoulême sulmuan Cadiz; në Hungari revolucioni magyar rrezikonte të mposhtte edhe perandorin në një betejë të ashpër që u shua vetëm nga një armatë ruse që luftonte në territorin hungarez. Ndërhyrjet ushtarake në Gjermanitë, Belgjikë, Poloni, Zvicër, Danimarkë dhe Veneci tregonin për omniprezencën e Aleancës së Shenjtë. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit, u çliruan dinamikat e progresit; perandoritë osmane, egjiptase e sherifiane u shpartalluan; Kina u detyrua nga invazioni ushtarak që t’i hapë dyert për të huajt, ndërsa në një tërheqje gjigande i gjithë kontinenti i Afrikës u copëtua. Në të njëjtën kohë, dy fuqi arriten rëndësi botërore: Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Bashkimi kombëtar u arrit nga Gjermania dhe Italia; Belgjika, Greqia, Rumania, Bullgaria, Serbia dhe Hungaria morren apo rimorren vendin e tyre si shtete sovrane në hartën evropiane. Një varg luftërash thuaja të pandalshme shoqëruan marshin e qytetërimit industrial në terrenin e kulturave të vjetëruara dhe të popujve primitivë. Pushtimet e Rusisë në Azinë qëndrore, luftërat e panumërta të Anglisë në Indi dhe Afrikë, fushatat franceze në Egjipt, Algjeri, Tunis, Siri, Madagaskar, Indo-kinë dhe Siam ngritën çështje midis Fuqive që, si rregull, mund t’i arbitronte vetëm forca. Mirëpo secili nga këto konflikte u lokalizua, ndërsa raste tjera të panumërta për konflikt hasen në bashkëveprim ose u qetësuan me kompromise midis Fuqive të Mëdha. Pavarësisht nga ndryshimet në metodë, rezultati ishte gjithmonë i njëjtë. Përderisa gjatë gjysmës së parë të shekullit, konstitucionalizmi ishte i ndaluar dhe Aleanca e Shenjtë shtypte lirinë në emër të paqes, gjatë gjysmës së dytë – dhe sërish në emër të paqes – bankierët me mendjen kah biznesi detyruan edhe despotët më të mëdhej që të nxjerrin kushtetuta. Kështu, në forma të ndryshme dhe me ideologji të lloj-llojshme – herë në emër të progresit dhe lirisë, herë në emër të autoritetit të fronit dhe të altarit, herë me bekimin e bursës dhe të librit të çeqeve, herë përmes korrupsionit dhe ryshfetit, herë me argument moral dhe kërkesë iluministe, herë nga gryka e topit e nga bajoneta – u arrit një dhe i vetmi rezultat: u ruajt paqja.

Kjo shfaqje gati e mrekullueshme ishte pasojë e funksionimit të balansit të fuqive, i cili në këtë rast prodhoi rezultate që normalisht janë të huaja për të. Për nga natyra e tij, balansi i fuqive rezulton në përfundime krejt tjera, meqë si qëllim ka mbijetesën e njësive që janë pjesë e tij; në fakt, postulati i tij i vetëm është që tri apo më shumë njësi me kapacitet që ta ushtrojnë forcën, gjithmonë do ta bëjnë këtë në mënyrë që të kombinojnë fuqitë e njësive më të dobëta kundër rritjes së fuqisë të njësisë më të fortë. Në rrafshin e historisë universale, balansi i fuqive vihej në përdorim për mbrojtjen e pavarësisë së shteteve. Por, këtë e arrinte vetëm me luftëra të përhershme midis shteteve që bashkoheshin në aleanca, pjesëmarrja në të cilat çdo herë ndryshonte. Një gjë e këtillë ishte praktikë në Greqinë e lashtë dhe në qytet-shtetet e Italisë veriore; luftërat midis grupeve armike me përbërje të ndryshueshme arrinin në këtë mënyrë të mbronin pavarësitë e tyre indivduale. Veprimi i të njëjtit parim ruajti për mbi dyqind vjet sovranitetin e shteteve që formonin Evropën e kohës së Traktatit të Münster-it dhe të Westphalia-s (1648). Kur, shtatëdhjetë e pesë vjet më vonë, në Traktatin e Utrecht-ut, nënshkruesit deklaruan respektimin e këtij parimi, ata e vendosen atë në kuadrin e një sistemi, dhe më këtë siguruan garanca të dyanshme për mbijetesën si të të fortëve ashtu dhe të të dobëtëve përmes mediumit të luftës. Fakti që i njëjti mekanizëm gjatë shekullit XIX rezultoi në paqe dhe jo në luftë përbën sfidë për historianin.

Një faktor tërësisht i ri, themi ne, është lindja e një interesi të thekshëm në paqe. Në të kaluarën, një interes i tillë konsiderohej të qëndronte jashtë suazave të sistemit. Paqja, me shoqërimet e saja si krijimtaria dhe arti trajtoheshin thjeshtë si orendi të jetës. Kisha mund të lutej për paqe ashtu si lutej për korrje të begatshme, por në rrafshin e veprimit shtetëror e njëjta avokonte ndërhyrjen e armatosur; qeveritë subordinonin paqen ndaj sigurisë dhe sovranitetit, me një fjalë, të qëllimeve që nuk mund të arriheshin ndryshe përveç përdorimit të mjeteve ultimative. Pak gjëra konsideroheshin më shumë të dëmshme në një bashkësi se sa ekzistenca e një interesi të organizuar të paqes në mesin e tij. Madje, edhe nga fundi i shek. XVIII, J. J. Rousseau gjykonte tregtarët për mungesë patriotizmi sepse preferonin paqen mbi lirinë.

Pas vitit 1815 ndryshimi është i plotë dhe i papritur. Valët e Revolucionit francez i jepnin forcë valës së Revolucionit industrial në vendosjen e biznesit paqesor si interes universal. Metternich proklamonte se popujt e Evropës kërkojnë jo liri por paqe. Gentz i quante patriotët barbarët e rinjë. Kisha dhe froni nisen denacionalizimin e Evropës. Argumentet e tyre gjenin mbështetje si në ashpërinë e formave të reja të dhunës popullore, ashtu dhe në vlerën e shtuar të paqes në ekonomitë e reja që po ngriheshin.

Bartësit e “interesit në paqe” ishin, si zakonisht, ata që përfitonin nga ajo – kartelat e dinastëve dhe feudalëve, pozitat patrimoniale të të cilëve cenoheshin nga vala revolucionare e patriotizmit që po pushtonte Kontinentin. Kështu, për gati një të tretën e shekullit, Aleanca e Shenjtë furnizoi forcën dhe nxitjen ideologjike për një politikë aktive të paqes; armatat e tyre endëshin anëmbanë Evropës duke shkelur minoritete dhe duke shtypur mazhoranca. Prej vitit 1846 deri rreth 1871 – “një nga çerek-shekujt më konfuz dhe më të rrëmujshëm të historisë evropiane”1 – paqja po rrezikohej kur rritja e reaksionit po ballafaqohej me forcën gjithnjë e më të madhe të industrializmit. Në çerek-shekullin pas Luftës Franko-Prusiane, gjejmë interesin e ringjallur të paqes të përfaqësuar nga një entitet i ri dhe i fuqishëm, Koncerti i Evropës.

Megjithatë, intereset, sikurse intencat, mbeten platonike nëse nuk përkthehen në politikë nëpërmjet të ndonjë instrumentaliteti shoqëror. Sipërfaqësisht, një mjet i tillë realizues mungonte; si Aleanca e Shenjtë ashtu dhe Koncerti i Evropës ishin, në fund, bashkime të shteteve të pavarura dhe sovrane, dhe si të tilla të nënshtruara ndaj balansit të fuqive dhe mekanizmit të saj të luftës. Atëherë, si ruhej paqja?

Është e vërtetë se çfarëdo sistemi i balansit të fuqive ka tendenca që të parandalojë luftën që mund të shpërthejë si pasojë e dështimit të një shteti të parashikojë rirreshtimin e Fuqive që do të rezultonte nga përpjekja e saj për ta prishur status quo-n. Shembujt e famshëm janë anullimi nga Bismarck-u i fushatës së Press-it kundër Francës më 1875, pas ndërhyrjes ruse dhe britanike (përkrahja austriake për Francën nënkuptohej). Kësaj radhe Koncerti i Evropës vepronte kundër Gjermanisë, e cila e gjeti veten të izoluar. Më 1877-78, Gjermania nuk arriti të parandalonte Luftën Ruso-Turke, por arriti ta lokalizonte atë duke përkrahur lakminë angleze për një veprim të Rusisë kundrejt Dardanelleve; Gjermania dhe Anglia mbështetën Turqinë kundër Rusisë, dhe me këtë shpëtuan paqen. Në Kongresin e Berlinit u nis një plan afatgjatë për likuidimin e territoreve evropiane të Perandorisë Osmane; kjo rezultoi në pengimin e luftës midis Fuqive të Mëdha përkundër të gjitha ndryshimeve që ngjanë me status quo-në, pasi që palët mund të llogaritnin me mjaft siguri për forcat që do t’i ndeshnin në rast se futeshin në betejë. Në këtë rast, paqja ishte një bi-produkt i mirëseardhur i sistemit të balansit të fuqive.

Gjithashtu, luftërat nganjëherë pengoheshin përmes eliminimit të shkaqeve të tyre, veçanërisht atëherë kur bëhej fjalë për Fuqi të vogla. Shtetet e vogla kontrolloheshin dhe pengoheshin nga çfarëdo përpjekje që do ta cenonte status quo-në dhe do të çonte në konflikt të hapur. Invazioni holandez në Belgjikë më 1831 në fund çoi në neutralizimin e atij shteti. Më 1855 u neutralizua Norvegjia. Më 1867 Holanda ia shiti Luksemburgun Francës; Gjermania kundërshtoi dhe si pasojë Luksemburgu u neutralizua. Më 1856 integriteti i Perandorisë Osmane u shpall si esencial për ekuilibrin në Evropë, prandaj Koncerti i Evropës u angazhua për shpëtimin e asaj perandorie; pas 1878, kur shpërbërja e saj u konsiderua si esenciale për ruajtjen e po atij ekuilibri, shpërbërja po ashtu ndodhi në një formë të organizuar, edhe pse në të dyja rastet vendimi kishte të bënte me ekzistencën e një numri popujsh të vegjël. Midis 1852 dhe 1863, Danimarka, kurse midis 1851 dhe 1856, Gjermanitë kërcënonin prishjen e balansit; çdo herë shtetet e vogla u detyruan nga Fuqitë e Mëdha që ta respektojnë rendin ekzistues. Në këto raste, liria e veprimit që u ofronte sistemi përdorej nga Fuqitë për arritjen e një interesi të përbashkët – i cili koincidonte të ishte paqja.

Por të gjitha këto shkaqe, qoftë përmes sqarimit të raporteve të fuqisë, qoftë përmes detyrimit të shteteve të vogla, megjithatë nuk shpjegojnë në tërësi Paqen Njëqindvjeçare. Çekuilibrimi ndërkombëtar mund të ndodh për arsye të panumërta – që nga ndonjë aferë dashurie midis pjesëtarëve të dinastive deri te rrjedha e lumejëve që kalojnë midis dy ose më shumë shteteve, nga ndonjë kundërthënie teologjike deri te ndonjë inovacion teknologjik. Vetë rritja e pasurisë dhe e popullatës, apo edhe rënia e tyre, janë shkak për vënien në lëvizje të forcave politike, ndërsa balansi i jashtëm i forcave patjetër se do të reflektojë edhe në forcat e brendshme. Mirëpo edhe një sistem i organizuar i balansit të fuqive nuk mund të sigurojë paqen pa kërcënimin e përhershëm të luftës vetëm nëse mund të veprojë mbi këto forca të brendshme në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të parandalojë prishjen e balansit in statu nascendi. Njëherë pasi të jetë prishur balansi, vetëm forca mund të kthejë në vend. Dihet fare mirë se, që të ruhet paqja duhet të eliminohen shkaqet e luftës, por ajo që nuk merret parasysh është se që të bëhet një gjë e tillë duhet të vihet nën kontroll burimi i vetë rrjedhës së jetës.

Aleanca e Shenjtë synonte ta arrinte këtë përmes instrumenteve që ishin karakteristike për të. Mbretëritë dhe aristokracitë evropiane formuan një lidhje ndërkombëtare farefisnore, ndërsa Kisha Katolike u dha atyre një shërbim vullnetar civil që në gjirin e saj përfshinte pjesëtarë të hierarkive më të larta dhe më të ulta shoqërore të Evropës jugore dhe qëndrore. Hierarkia e gjakut dhe e hirësisë u kombinuan në një instrument të sundimit efektiv lokal i cili kërkonte vetëm mbështetjen e forcës në mënyrë që të siguronte paqen Kontinentale.

Por pasuesi i kësaj, Koncerti i Evropës, nuk i posedonte instrumentet feudale dhe klerikale. Koncerti i Evropës në rastin më të mirë përfaqësonte një federatë të çlirët, të pakrahasueshme me koherencën e kryeveprës së Metternich-ut. Takimet e Fuqive mbaheshin rrallë, ndërsa xhelozitë midis tyre krijonin hapësirë të bollshme për intriga, mospajtime dhe sabotime diplomatike. Aksionet e përbashkëta ushtarake ishin të rralla. Megjithatë, atë që Aleanca e Shenjtë, me gjithë pajtimin brenda radhëve të saj në pikëpamje dhe qëllime, mund të arrinte në Evropë vetëm përmes ndërhyrjeve të shpeshta ushtarake, në këtë rast realizohej në një shkallë botërore nga një entitet i ligshtë i quajtur Koncerti i Evropës, me përdorimin shumë më të rralluar të forcës. Që ta shpjegojmë këtë sukses të paparë, duhet të gjurmojmë për atë instrumentalitet të ri shoqëror që vepronte në ambientin e ri të krijuar, i cili mund të zëvendësonte rolin që dikur luanin dinastitë dhe peshkopatat e dikurshme për ngjalljen e interesit në paqe. Ky fakor anonim, themi ne, ishte haute finance.2

Deri më tani nuk është bërë asnjë studim serioz mbi natyrën e sistemit bankar ndërkombëtar gjatë shekullit XIX; ky insitucion misterioz akoma nuk ka dalë nga hijet e mitologjisë politiko-ekonomike.3 Disa mëtonin se ajo është thjesht vegël e qeverive; të tjerët se qeveritë ishin vetëm objekt i etjes së saj për përfitim; për disa ishte burim i konflikteve midis shteteve; për të tjerët ishte mjet i një kosmopolitanizmi efeminet që po shtrydhte energjitë e shteteve virile. Asnjëri nuk e kishte gabim. Si institucion sui generis, haute finance, një institucion karakteristik për një të tretën e fundit të shekullit XIX dhe një të tretën e parë të shekullit XX, funksiononte si nyja lidhëse kryesore midis organizimit politik dhe ekonomik të botës. Ajo furnizonte instrumentet për një sistem ndërkombëtar të paqes, e cila manipulohej nga Fuqitë por e cila nuk ishte krijuar e as nuk mirëmbahej nga ato. Përderisa Koncerti i Evropës vepronte vetëm në intervale të shkurta, haute finance funksiononte si një agjensi e përhershme dhe shumë elastike. E pavarur nga cilado qeveri, edhe nga ato më të fuqishmet, megjithatë ruante lidhje më të gjithat; e pavarur nga bankat qendrore, madje edhe nga Banka e Anglisë, ajo kishte lidhje të ngushta me to. Lidhjet midis financave dhe diplomacisë ishin intime; asnjëri nga ato nuk shqyrtonte ndonjë plan afatgjatë, qoftë ai paqesor apo luftarak, pa siguruar vullnetin e mirë të palës tjetër. Misteri i suksesit të ruajtjes së paqes të përgjithshme qëndron pikërisht në pozitën, organizimin dhe teknikat e sistemit financiar ndërkombëtar.

Edhe personeli, edhe motivet e këtij trupi të njësuar i jepnin atij një status, rrënjët e së cilave ishin thellë të vendosura në sferën private të interesit komercial. Rothschild-ët nuk i nënshtroheshin asnjë qeverie të veçantë; si familje, ata mishëronin parimin abstrakt të internacionalizmit; lojaliteti i tyre ishte ndaj firmës, kredia e së cilës ishte bërë e vetmja lidhje mbikombëtare midis qeverive dhe përpjekjeve industriale brenda një ekonomie botërore gjithnjë në rritje. Në instancë të fundit, pavarësia e tyre lindi nga nevoja e kohës, e cila kërkonte një agjent sovran që gëzonte besimin si të burrështetasve ashtu dhe të investitorëve ndërkombëtarë; ishte karshi kësaj nevoje vitale që ekstra-terrorialiteti metafizik i një familjeje bankiere jahudite të vendosur në të gjitha kryeqytetet e Evropës ofronte një zgjidhje thuaja të përkryer. Ata ishin larg së qeni pacifistë; përfitimet më të mëdha i kishin nga financimi i luftërave; s’prekeshin dot nga konsideratat morale; nuk kundërshtonin asnjë luftë të vogël, të shkurtër dhe të lokalizuar. Por biznesi i tyre do të dëmtohej po të shpërthente ndonjë luftë e përgjithshme midis Fuqive të Mëdha, që do të rrezikonte themelet monetare të sistemit. Logjika e fakteve bëri që ata të ishin bartësit e paqes së përgjithshme në një periudhë kur popujt e planetës po i nënshtroheshin shndërrimeve revolucionare.

Organizativisht, haute finance ishte bërthamë për një nga institucionet më komplekse që ka prodhuar historia e njerëzimit. Sado që ishte transitore, për nga gjithpërfshirësia dhe nga format dhe instrumentet që kishte prodhuar, krahasohej vetëm me orvatjet njerëzore në industri dhe tregti, për çka haute finance u shndërrua në një lloj homologu dhe pasqyreje. Përveç qendrës ndërkombëtare, pra haute finance në kuptimin e plotë të fjalës, ekzistonin gjithashtu një dyzinë qendrash kombëtare që ishin grumbulluar rreth bankave dhe bursave të saj. Gjithashtu, aktivitetet bankiere ndërkombëtare nuk kufizoheshin në financimin e qeverive, si dhe avanturat e tyre në luftë dhe paqe; ajo përfshinte investime të huaja në industri, shërbime publike dhe në banka, si dhe në kredi afatgjatë për korporata publike dhe private. Sistemet financiare kombëtare ishin mikrokozme. Vetëm Anglia kishte mbi pesëdhjetë lloje të ndryshme të bankave; organizimi bankar në Francë dhe Gjermani ishte gjithashtu specifik; në të gjithë këto shtete, praktikat e Thesarit dhe të marrëdhënieve të tij me sistemin privat financiar dallonte në mënyra të hatashme, kurse në detaje, shpesh edhe në mënyra shumë subtile. Tregu i parave përfshinte lloj-lloj bono komerciale, letërkëmbime ndërkombëtare, llogari të pastra financiare, si dhe hua të gatshme dhe mjete tjera për këmbim në bursa. Kësaj lloj-llojshmërie i shtoheshin edhe lloj-llojshmëria e grupeve dhe personaliteteve kombëtare, secila me tipet e tyre të veçanta të prestigjit, autoritetit dhe lojalitetit, të aseteve në para dhe kontakte, të patronazhit dhe të aurës shoqërore.

Haute finance nuk ishte krijuar si instrument i paqes; ky funksion i ra asaj me rastësi aksidentale, siç do të thonin historianët, kurse sociologët mund ta mbiquajë ligji i disponueshmërisë. Motivi i haute finance ishte përfitimi; për arritjen e kësaj, detyrohej mbajtja e raporteve me qeveritë që kishin qëllim fuqinë dhe pushtimet. Në këtë nivel mund të lihet mënjanë dallimi midis fuqisë politike dhe ekonomike, midis qëllimeve politike dhe ekonomike të qeverive; me një fjalë, karakteristikë e shteteve kombëtare të kësaj periudhe ishte që ky dallim kishte fare pak vlerë, sepse çfarëdo të ishin qëllimet e tyre, qeveritë ato i synonin përmes përdorimit dhe shtimit të fuqisë kombëtare. Ndërkaq, organizimi dhe personeli i haute finance ishte ndërkombëtar, por megjithatë jo i pavarur nga organizimi kombëtar. Për haute finance si një qendër aktivizuese për pjesëmarrjen e bankave në kombinime dhe konsortiume, grupe të investitorëve, hua të jashtme, kontrolle financiare dhe transaksione tjera të një shkalle të lartë, bashkëpunimi i bankave kombëtare, i kapitalit kombëtar dhe i financave kombëtare ishte kyç. Megjithëse sektori kombëtar financar ishte, si rregull, më pak i subordinuar ndaj qeverive se sa sektori industrial, ai megjithatë ishte i subordinuar aq sa ta bënte të nevojshme që financat ndërkombëtare të mbanin lidhje me vetë qeveritë. Mirëpo, në shkallën në të cilën – si pasojë e pozitës dhe personelit të saj, pasurisë private dhe lidhjeve që kishte – ajo gëzonte pavarësi nga cilado qeveri, ajo mund t’i shërbente një interesi të ri, një interes që nuk kishte organ të vetin, në shërbim të të cilit nuk hynte asnjë institucion tjetër por që kishte rëndësi vitale për komunitetin, e kjo ishte paqja. Jo paqe me çdo kusht, jo as paqe që ka si çmim humbjen e çfarëdo elementi të pavarësisë, sovranitetit, madhështisë ose të aspiratave të Fuqive, por megjithatë paqe, atëherë kur ajo mund të arrihej pa sakrifica të tilla.

Por e kundërta nuk vlente. Fuqia kishte epërsi karshi përfitimit. Sado që këto dy fusha ishin të ndërthurura, në fund ishte lufta ajo që përcaktonte rregullat për biznesin. Që nga viti 1870, për shembull, Franca dhe Gjermania ishin armiq. Por kjo nuk përjashtonte transaksione jo-obliguese midis tyre. Formoheshin bashkime bankash për qëllime të ndërmjetme; kishte pjesëmarrje private nga bankat investuese gjermane në ndërmarrjet përtej kufirit që nuk paraqiteshin në fletët e bilansit; në tregun e huave afatshkurtëra bankat franceze bënin zbritje të letrave të këmbimit dhe dhënie të kredive afatshkurtëra mbi fletët hipotekare dhe komerciale; kishte investime direkte, sikur në lidhjen midis çelikut dhe qymyrit, ose të impiantit të Thyssen-it në Normandi, por investimet e tilla kufizoheshin në fusha të caktuara në Francë ndërsa ishin shënjestër e përhershme e kritikës nga nacionalistët dhe socialistët; investimet direkte ishin më të shpeshta nëpër koloni, siç dëshmon shembulli i përpjekjes së paepur gjermane për të siguruar xehe në Algjeri, ose nga rasti i pjësemarrjeve në Marok. Megjithatë, mbetet fakt i pamohueshëm se asnjëherë pas vitit 1870 nuk u hoq ndalesa për këmbimin e bonove gjermane në Bursën e Parisit. Franca thjesht “nuk donte rrezikun që forcën e kapitalit të huazuar”4 ta kishte të kthyer kundër saj. Austria gjithashtu shikohej me dyshim; në krizën marokane të 1905-6, ndalesa u vendos edhe për Hungarinë. Qarqet financiare në Paris bënë apele për të lejuar bonot hungareze, por qarqet industriale përkrahnin qeverinë në kundërshtinë e saj të paluhatshme për çfarëdo lloj koncesione një armiku të mundshëm ushtarak. Rivalitetet politiko-diplomatike vazhdonin pandërprerë. Qeveritë vendosnin veto ndaj cilësdo mase që mund të rriste potencialet e armiqëve të mundshëm. Sipërfaqësisht, dukej sikur konflikti kishte kaluar, ndërsa qarqet e brendshme e dinin se ai ishte zhvendosur në pika që fshiheshin nga shfaqjet e miqësisë.

Shembull tjetër janë ambiciet lindore të Gjermanisë. Edhe këtu u zunë bashkë politika dhe financat, por politika mbizotëroi. Pas një çerek-shekulli kundërthëniesh, Gjermania dhe Anglia në qershor 1914 nënshkruan një marrëveshje gjithpërfshirëse për Hekurudhën e Bagdatit – tepër vonë për të parandaluar Luftën e Madhe, siç thuhet shpesh. Të tjerët japin argumentin që, përkundrazi, nënshkrimi i marrëveshjes përfundimisht dëshmonte se lufta midis Anglisë dhe Gjermanisë nuk ishte shkaktuar nga ndeshja e ekspanzionizmit ekonomik. Asnjëra nga këto dy pikëpamje nuk konfirmohet nga faktet. Në të vërtetë, marrëveshja la të pazgjidhur çështjen kryesore. Linja hekurudhore gjermane megjithatë nuk do të lejohej të shkonte përtej Basras pa lejën e qeverisë britanike, ndërsa zonat ekonomike të traktatit patjetër do të çonin në një ndeshje të drejtpërdrejtë në një kohë të ardhme. Në ndërkohë, Fuqitë vazhdonin të përgatiteshin për Ditën e Madhe, e cila afrohej më shpejt seç kishin llogaritur ata.

Financa ndërkombëtare duhej të përballej me ambiciet dhe intrigat konfliktuoze të Fuqive të mëdha dhe të vogla; planet e saj prisheshin nga manevrat diplomatike, investimet e saj afatgjata rrezikoheshin, përpjekjet e saj konstruktive pengoheshin nga sabotazhet politike dhe obstruksionet e prapaskenës. Organizatat bankare kombëtare, pa të cilat nuk mund të bënte gjë, shpesh vepronin në mbështetje të qeverive të tyre përkatëse, ndërsa nuk ishte i sigurt asnjë plan i cili nuk përcaktonte që në fillim hisen e secilit pjesëmarrës. Mirëpo, financat e larta (power finance) nuk ishin gjithmonë viktimë se sa përfitues i diplomacisë së dollarëve (dollar diplomacy), e cila i jepte kornizën e hekurt dorëzes së mëndafshtë të financës. Kjo për arsyen se suksesi në biznes kërkonte përdorimin e pamëshirshëm të forcës kundër shteteve më të dobëta, blerjen me rryshfet të administrave të prapambetura, dhe të përdorimit të të gjitha mjeteve të fshehta për arritjen e qëllimeve që janë të mirënjohura për xhungllën koloniale dhe gjysëm-koloniale. Megjithatë, për nga determinizmi funksional, ishte detyrë e haute finance që të parandaloheshin luftërat e mëdha. Shumica e poseduesve të bonove qeveritare, si dhe të investitorëve dhe spekulantëve të tjerë, ishin humbësit e parë të luftërave të tilla, sidomos nëse cenohej vlera e monedhës së tyre. Influenca që haute finance kishte mbi Fuqitë në mënyrë konsekuente favorizonte paqen evropiane. Ndërsa kjo influencë ishte efektive në shkallën që vetë qeveritë vareshin nga bashkëpunimi i saj në më shumë se një drejtim. Rjedhimisht, nuk pati asnjëherë moment kur interesi i paqes mbeti i papërfaqësuar në këshillet e Koncertit të Evropës. Nëse kësaj i shtojmë interesit të paqes që rritej në vendet ku zakoni i investimit kishte nxënë rrënjë të thella, do të fillojmë të kuptojmë pse një inovacion i tmerrshëm i paqes së armatosur, i një dyzine shtetesh praktikisht në gjendje mobilizimi, mund të mirëmbahej në Evropë prej 1871 deri më 1914 pa shpërthyer në një luftë shkatërrimtare.

Financa – pasi kjo ishte një nga kanalet e saj të influencës – veproi si moderatore e fuqishme në këshillet dhe politikat e një numri shtetesh sovrane më të vogla. Huatë dhe rinovimi i huave, varej nga krediti, ndërsa krediti nga sjellja e mirë. Pasi që në qeverisjet kushtetuese (qeverisjet pa kushtetutë nuk pëlqeheshin fare) kjo sjellje reflektohej në buxhet kurse vlera e jashtme e monedhës nuk mund të shkëputej nga vlerësimi që i bëhej buxhetit, qeveritë borxhlinje këshilloheshin që t’i ndiqnin me kujdes këmbimoret dhe t’i shmangeshin politikave që mund të reflektojnë negativisht në pozitën e tyre buxhetore. Kjo maksimë u shndërrua në një rregull të vetëkuptueshme për shtetet që kishin adoptuar standardin e arit, i cili mbante luhatjet brenda disa kufijve të caktuar. Standardi i arit dhe konstitucionalizmi ishin instrumentet që bënë që zëri i City-it të Londrës të dëgjohet në shumë shtete të vogla që kishin adoptuar këto simbole të aderimit në rendin e ri ndërkombëtar. Pax Britannica nganjëherë sundonte përmes topit të anijes luftarake, por më shpesh përmes të tërheqjes së penjëve në rrjetin monetar ndërkombëtar.

Influenca e haute finance po ashtu sigurohej përmes të administrimit jo-zyrtar të financave të regjioneve të mëdha gjysëm-koloniale të botës, përfshirë në perandoritë e dobësuara të Islamit në zonën e ndjeshme midis Lindjes së Afërt dhe Afrikës Veriore. Ishte pikërisht këtu vendi ku puna e financierëve prekte faktorët e ndjeshëm që siguronin rendin e brendshem të një vendi, dhe kryente detyrën e një administrimi de facto për zonat e trazuara ku paqja ishte e brishtë. Kjo ishte mënyra se si parakushtet e shumta për investimet afatgjata kapitale mund të siguroheshin kundrejt pengesave të patejkalueshme. Epika e ndërtimit të hekurudhave në Ballkan, Anadolli, Siri, Persi, Egjipt, Marok dhe Kinë janë rrëfime të qëndresës dhe të kthimeve marramendëse që ngjallin reminishenca të orvatjeve të ngjashme në kontinentin e Amerikës Veriore. Mirëpo rreziku kryesor që i kanosej kapitalistëve të Evropës nuk ishin dështimet teknologjike apo financiare, por lufta – jo luftëra midis shteteve të vogla (që lehtë mund të izoloheshin), as sulm ndaj një shteti të vogël i ndonjëres nga Fuqive të Mëdha (një ngjarje e shpeshtë), por një luftë e përgjithshme midis Fuqive të Mëdha. Evropa nuk ishte një kontinent bosh, por vendbanim i miliona popujsh të ri e të vjetër; çdo hekurudhë e re duhej të kalonte përmes kufijve me soliditet të ndryshëm, disa nga të cilët mund të dobësoheshin fatalisht, ndërsa të tjerët të përforcoheshin, nga kontakti. Vetëm dora e hekurt e financës mbi qeveritë e brishta të zonave të prapambetura mund të evitonin ardhjen e një katastrofe. Kur më 1875 Turqia përjetoi kolaps financiar dhe nuk mund t’i përballonte obligimet financiare, përnjëherë shpërthyen konfliktet ushtarake, që zgjaten prej 1876 deri më 1878, kur u nënshkrua Traktati i Berlinit. Pas asaj, u ruajt paqja për tridhjetë e gjashtë vite. Ajo paqe e paparë u implementua përmes Dekretit të Muharremit më 1881, i cili themeloi në Stamboll Dette Ottomane. Përfaqësuesit e haute finance moren përsipër administrimin e pjesës më të madhe të financave turke. Në raste të panumërta ata orekstruan kompromise midis Fuqive; në raste të tjera, ata parandaluan Turqinë nga krijimi i vështirësive për vetën e saj; në të tjera, vepruan thjeshtë si agjentë politikë të Fuqive; mbi të gjitha, ata ishin në shërbim të interesave monetare të kreditorëve dhe, kur ishte e mundur, e kapitalistëve që synonin profite në atë vend. Kjo punë vështirësohej nga fakti se Komisioni i Borxhit nuk ishte një trup përfaqësues i kreditorëve privatë, por organ i i ligjit publik evropian në të cilin haute finance përfaqësohej vetëm jozyrtarisht. Por ishte pikërisht në këtë rol të dyfishtë që ajo arrinte të bënte lidhjen midis organizimit politik dhe ekonomik të epokës.

Tregtia krijoi lidhje të fuqishme me paqen. Në të kaluarën, organizimi i tregtisë ishte ushtarak; ishte punë e piratit, e shetitësit, e karavanit të armatosur, e gjuetarit, e tregtarit me shpatë, e burgess-ëve të armatosur të qyteteve, e avanturistëve dhe eksplorerëve, e conquistador-ëve dhe tregtarëve të skllavëve, e armatave koloniale të kompanive me çarter. Tani të gjitha këto ishin harruar. Tregtia tani varej nga një sistem monetar ndërkombëtar i cili nuk mund të funksiononte në kushtet e një lufte të përgjithshme. Ai kërkonte paqe, ndërsa Fuqitë e Mëdha rrekeshin për sigurimin e saj. Por sistemi i balansit të fuqive, siç pamë, nuk mund ta siguronte atë vetëm. Këtë e bënte financa ndërkombëtare, vetë ekzistenca e së cilës mishëronte parimin e varësisë së re të tregtisë ndaj paqes.

Jemi mësuar që përhapjen e kapitalizmit ta shohim si një proces aspak paqesor, dhe të kapitalit financiar si nxitësin kryesor të krimeve koloniale dhe agresionit ekspansionist. Afiniteti i saj intim me industrinë e rëndë bëri Leninin që të pohojë se kapitali financiar ishte përgjegjës për imperializmin, veçanërisht për luftën për zonat e influencës, koncesionet, të drejtat ekstraterritoriale dhe të formave të tjera të panumërta përmes të cilave Fuqitë Perëndimore arriten të marrin në kontroll regjione të tëra prapambetura, në mënyrë që të investojnë në hekurudha, shërbime publike, limane dhe establishmente të tjera të përhershme mbi të cilat ngriheshin profitet e industrive të tyre të mëdha. Në të vërtetë, biznesi dhe financa ishin fajtore për shumë luftëra koloniale, por gjithashtu për shmangien e një lufte të përgjithshme. Afiniteti i tyre me industrinë e rëndë, por i afërt vetëm në rastin e Gjermanisë, shpjegojnë të dyjat. Kapitali financiar, si organizata kulmore e industrisë së rëndë, kishte lidhje të shumta me sektorët e ndryshëm të industrisë, gjë që nuk lejonte që një grup i veçantë të përcaktonte politikat e saj. Për çdo interes që avancohej nga lufta, ekzistonin dhjetëra të tjerë që dëmtoheshin nga ajo. Kapitali ndërkombëtar, natyrisht, ishte humbësi më i madh në rast lufte; por edhe financat kombëtare mund të përfitonin vetëm në raste të rralla, ndonëse më shumë në rastet e luftërave koloniale, përderisa ato mbeteshin të izoluara. Pothuajse çdo luftë organizohej nga financierët; por edhe paqja organizohej nga ata.

Natyra e saktë e këtij sistemi krejtësisht pragmatik, i cili mbronte me zell botën nga një luftë e përgjithshme, derisa krijonte kushtet për afarizëm paqesor në një mjedis përplot luftëra të vogla, ilustrohet më së miri nga ndryshimet që ai solli në ligjin ndërkombëtar. Përderisa nacionalizmi dhe industria në mënyrë të veçantë kontribonin që luftërat të jenë më të ashpra dhe më totale, u krijuan elemente që siguronin mbarëvajtjen e afarizmit në gjendje lufte. Frederiku i Madh thuhet të ketë deklaruar më 1752 se refuzon, në shenjë hakmarrjeje, që ta kthente borxhin silesian ndaj subjekteve britanike.5 “Që nga atëherë, askush nuk ka tentuar që ta bëjë një veprim të ngjashëm”, thotë Hershey. “Luftërat e Revolucionit francez japin shembujt e fundit të rëndësishëm të konfiskimit të pronës private të subjekteve armiqësore që gjendeshin brenda territorit pas shpërthimit të konfliktit”. Pas shpërthimit të Luftës së Krimesë, tregtarët e armikut lejoheshin të largoheshin nga portet, një praktikë që është ndjekur nga Prusia, Franca, Rusia, Turqia, Spanja, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara gjatë pesëdhjetë viteve në vijim. Që nga ajo luftë, u lejua vazhdimi i komercit në shkallë të madhe midis palëve në luftë. Kështu, gjatë luftës spanjollo-amerikane, anijet neutrale, të ngarkuara me mall në pronësi amerikane përveç të kontrabandës për luftë, lejoheshin të niseshin nga portet spanjolle. Vështrimi se luftërat e shekullit tetëmbëdhjetë ishin në tërësi më pak shkatërrimtare se ato të shekullit nëntëmbëdhjetë është një paragjykim. Në raport me statusin e të huajve me shtetësi të armikut, kthimi i borxheve ndaj shtetasve të armikut, të pronës së armikut, ose të drejtën e tregtarëve të armikut që të largohen nga porti, shekulli nëntëmbëdhjetë tregoi një kthim vendimtar në favor të masave për ruajtjen e sistemit ekonomik gjatë luftës. Vetëm shekulli njëzet ndryshoi këtë trend.

Kështu, organizimi i ri i jetës ekonomike vuri bazën e Paqes Njëqindvjeçare. Në periudhën e parë, klasat e reja të mesme ishin kryesisht forcë revolucionare që kërcënonin paqen, siç u pa gjatë kryengritjeve napoleonike; ishte kundrejt këtij faktori të destabilizimit kombëtar që Aleanca e Shenjtë organizoi paqen e saj reaksionare. Në periudhën e dytë, ishte ekonomia e re që doli fitimtare. Klasat e mesme tani ishin bartëse të interesit të paqes, në mënyrë shumë më të fuqishme se sa pararendësit e tyre reaksionarë, të kultivuar edhe nga karakteri kombëtar-ndërkombëtar i ekonomisë së re. Por në të dyja rastet interesi i paqes ishte efektiv vetëm pse arriti që sistemin e balansit të fuqive ta kthejë në shërbim të kauzës së saj, duke i dhënë atij sistemi organe shoqërore që mund të ballafaqoheshin drejtpërsëdrejti me forcat e brendshme aktive në fushën e paqes. Nën Aleancën e Shenjtë, këto forca ishin feudalizmi dhe fronet, të mbështetura nga fuqia shpirtërore dhe materiale e Kishës; nën Koncertin e Evropës, ishte financa ndërkombëtare dhe sistemet kombëtare bankare që ishin të lidhura me të. Është e panevojshme që të mbitheksohet dallimi. Qysh gjatë paqes Tridhjetë Vjeçare, 1816-46, Britania e Madhe bënte presion për paqe dhe biznes, ndërsa as Aleanca e Shenjtë nuk refuzonte ndihmën e Rothschild-ëve. Nën Koncertin e Evropës, sërish, financa ndërkombëtare shpesh duhej të mbështetej në lidhjet e saj dinastike dhe aristokratike. Por fakte të tilla vetëm përforcojnë argumentin tonë se në çdo rast paqja u ruajt jo vetëm nga kancelaritë e Fuqive të Mëdha por me ndihmën e agjensive të organizuara konkrete duke vepruar në shërbim të interesave të përgjithshme. Me fjalë të tjera, vetëm me ekonominë e re në prapavijë, sistemi i balansit të fuqive mund të pengonte konflagaracionet e përgjithshme. Por arritjet e Koncertit të Evropës ishin pakrahasueshëm më të mëdha se ato të Aleancës së Shenjtë; kjo e fundit ruajti paqen në një regjion të caktuar brenda një kontinenti të pandryshueshëm, ndërsa i pari arriti të njëjtën në shkallë botërore përderisa progresi shoqëror dhe ekonomik po bënte një revolucion në hartën e globit. Kjo arritje e madhe politike ishte rezultat i paraqitjes së një entiteti të caktuar, haute finance, e cila ishte lidhja midis organizimit politik dhe ekonomik të jetës ndërkombëtare.

Tashmë duhet të jetë e qartë se organizimi i paqes ngrihej mbi organizimin ekonomik. Mirëpo, këta të dy kishin përbërje të ndryshme. Për organizimin politik të paqes botërore mund të flitet vetëm në terma të gjerë, pasi që Koncerti i Evropës ishte në thelb jo sistem i paqes por i sovraniteteve të pavarura që mbroheshin përmes mekanizimit të luftës. E kundërta vlen për organizimin ekonomik të botës. Përveç nëse i nënshtrohemi përdorimit jokritik të termit “organizim” për të përshkruar vetëm një trup që ka kontroll qendror dhe që vepron përmes funksionarëve të tij, duhet të pranojmë se nuk ka asgjë më definitive se sa pranimi universal i parimeve mbi të cilat ngrihej ky organizim dhe asgjë më konkrete se sa elementet e tij faktike. Buxhetet dhe armatimet, tregtia e jashtme dhe furnizimi me lëndë të para, pavarësia kombëtare dhe sovraniteti tani ishin në shërbim të monedhës dhe kreditit. Deri në çerekun e fundit të shekullit nëntëmbëdhjetë, çmimet botërore të komoditeteve ishin realiteti kryesor i miliona fshatarëve të Kontinentit; reperkusionet e tregut të parave në Londër regjistroheshin përditë nga biznesmenët në tërë botën; ndërsa qeveritë diskutonin planet për të ardhmen gjithnjë duke patur parasysh gjendjen e tregjeve botërore të kapitalit. Vetëm një i çmendur do të dyshonte se sistemi ekonomik ndërkombëtar ishte boshti i ekzistencës materiale të racës njerëzore. Pasi që ky sistem kërkonte paqen në mënyrë që të funksionojë, balansi i fuqive u bë instrument në shërbim të tij. Pa këtë sistem ekonomik interesi i paqes do të zhdukej nga politika. Përveç tij, nuk kishte arsye të mjaftueshme për një interes të tillë, as mundësi për ruajtjen e tij atëherë kur ekzistonte. Suksesi i Koncertit të Evropës rrodhi nga nevojat e organizimit të ri ekonomik ndërkombëtar, dhe pashmangshëm do të përfundonte me shpërbërjen tij.

Epoka e Bismarck-ut (1861-90) ishte periudha më e shndritshme e Koncertit të Evropës. Në dy dekadat pas radhitjes së Gjermanisë në mesin e Fuqive të Mëdha, ajo u shndërrua në përfituesin më të madh nga interesi i paqes. Ajo u fut në radhët e para në dëm të Austrisë dhe Francës; ishte në interes të sajin që të ruhet status quo-ja dhe të parandalonte një luftë e cila mund të ishte vetëm hakmarrje kundër asaj. Bismarck-u qëllimisht kultivoi nocionin e paqes si orvatje e përbashkët e Fuqive, ndërsa u shmang nga zotimet që mund ta largonin Gjermaninë nga pozita e një Fuqie të paqes. Ai kundërshtoi ambiciet ekspanzioniste në Ballkan dhe ato tejoqeanike; përdori në mënyrë konsekuente armën e tregtisë së lirë kundër Austrisë, madje edhe kundër Francës; ai pengoi ambiciet e Rusisë dhe Austrisë në Ballkan me ndihmën e sistemit të balansit të fuqive, duke ruajtur pozicionet me aleatët potencialë dhe duke evituar çfarëdo situate që mund të përfshinte Gjermaninë në luftë. Agresori dinak i 1863-70 u kthye në ndërmjetësin e ndershëm të 1878-ës, dhe në përçmuesin e avanturave koloniale. Ai më plot vetëdije udhëhoqi atë që ai shihte si trend paqesor të kohës në mënyrë që të siguronte interesin kombëtar të Gjermanisë.

Mirëpo, nga fundi i të shtatëdhjetave epizodit të tregtisë së lirë (1846-79) po i vinte fundi; përdorimi i standardit të arit nga Gjermania shënoi fillimin e një epoke të proteksionizmit dhe ekspanzionit kolonial.6 Tash, Gjermania po e përforconte pozitën e saj duke lidhur një aleancë të shpejt me Austro-Hungarinë dhe Italinë; pak kohë më pas Bismarck-u humbi kontrollin mbi politikën e Reich-ut. Nga ai moment ishte Britania e Madhe që mori përsipër rolin udhëheqës të interesit të paqes në një Evropë që mbetej akoma një grup i shteteve të pavarura dhe sovrane, ndaj edhe të nënshtruara ndaj balansit të fuqive. Gjatë të nëntëdhjetave haute finance ishte në kulmin e saj dhe paqja dukej më e sigurt se kurdoherë më parë. Interesat britanike dhe franceze ndaj Afrikës dallonin; britanikët dhe rusët ishin në rivalitet mes vete në Azi; Koncerti vazhdoi të funksiononte, megjithëse më me ngathtësi; përkundër Aleancës së Trefishtë, ishin akoma më shumë se dy Fuqi të pavarura që mund të mbikëqyrnin njëra-tjetrën me xhelozi. Por, jo gjatë. Më 1904, Britania bëri një marrëveshje gjithpërfshirëse me Francën për Marokon dhe Egjiptin; pas disa vitesh bëri kompromis me Rusinë për Persinë, dhe me këtë u formua kundëraleanca. Koncerti i Evropës, kjo federatë e shlirë e fuqive të pavarura, u zëvendësua me dy grupime armiqësore; me këtë, sistemit të balansit të fuqive i erdhi fundi. Me dy grupe të fuqive në konkurrencë kundër njëra-tjetrës, mekanizmat e saj më nuk funksionin. Nuk ekzistonte më një grup i tretë i cili mund të bashkohej me njërin ose tjetrin dhe me këtë të parandalonte akëcilin që synonte të zmadhonte fuqinë. Në të njëjtë kohë, simptomat e shpërbërjes së formave ekzistuese të ekonomisë botërore – rivaliteti kolonial dhe konkurrenca për tregje ekzotike – po bëhëshin gjithnjë e më të thekshme. Aftësia e haute finance për ta parandaluar përhapjen e luftërave po zvogëlohej me shpejtësi. Paqja qëndroi edhe shtatë vite, por ishte vetëm çështje kohe kur shpërbërja e organizimit ekonomik të shekullit nëntëmbëdhjetë do t’i jepte fund Paqes Njëqindvjeçare.

Në dritën e këtij argumenti, zbërthimi i natyrës së vërtetë të këtij organizimi ekonomik tepër artificial mbi të cilin ngrihej paqja, bëhet një impenjim gjithnjë e më i madh për historianin.

Përktheu: Besnik Pula

1 Sontag, R. J., European Diplomatic History, 1871-1932, 1933.

2 Haute finance – në përkthim të lirë “financat e larta”, nënkupton sistemin e shkëmbimeve financiare i cili përfshinë bankat, bursat, investitorët privatë dhe thesaret shtetërore, brenda së cilës bëhen transnaksione financiare të shumave të mëdha. Për periudhën e shek. XIX fjala është për shtëpitë financiare me prani ndërkombëtare siç ishte ajo e familjes Rothschild me prani financiare në të gjitha shtetet evropiane (shën. i përkth.).

3 Feis, H., Europe, the World’s Banker, 1870-1914, 1930, është vepra të cilës i referohemi këtu.

4 Feis, H., op. cit., fq. 201.

5 Hershey, A. S., Essentials of International Public Law and Organization, 1927, fq. 565-9.

6 Eulenburg, F., “Aussenhandel und Aussenhandelspolitik,” in Grundriss der Sozialökonomik, Vëll. VIII, 1929, fq. 209.