analizë
Papërgjegjësia e institucioneve i dhunon dyfish viktimat e dhunës në familje

Papërgjegjësia e institucioneve i dhunon dyfish viktimat e dhunës në familje

Agnesa Kastrati, Aulonë Bytyqi - 22 janar 2019 - 08:19

Dhuna që ndodh brenda hapësirave të shtëpisë nuk është privatësi apo intimitet mes anëtarëve të familjes dhe nuk duhet trajtuar si e tillë. Shkaqet që shtyjnë drejt dhunës në familje janë politike, shoqërore dhe ekonomike. Ekonomia e dështuar, arsimi i degraduar, dominimi i mendësisë patriarkale, e seksizmi, janë disa nga faktorët që prodhojnë si rezultat dhunën në familje. Dhuna nuk bën të trajtohet si një fenomen që është pasojë e një shkaku i cili në esencë ka karakter privat, ani pse ajo ndodhbrenda shtëpisë. Dhuna është thelbësisht politike dhe si e tillë është përgjegjësi e politikbërsve. Dhuna në familje është mohim i të drejtës për jetesë e cila në instancë të fundit është e drejtë fundamentale që shteti është i obliguar t’ua sigurojë qytetarëve pa asnjë dallim.

Fenomenin e dhunës në familje, shteti ynë, vazhdon ta trajtojë vetëm përmes ligjeve, strategjive, dhe procedurave, të cilat përfundojnë shkronja në letër. Shteti ka ndërtuar bazë të gjerë ligjore si Ligji për Mbrojtjen e Dhunës në Familje, Strategjinë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Plane të Veprimit për Barazi Gjinore, etj.  Këto ligje, plane e stretegji në letër përfundojnë diku në sirtaret e institucioneve, të cilat nuk gjejnë asnjëherë zbatueshmëri. Pra, shteti ynë vazhdon ta trajtojë gruan si formalitet. 

Të gjitha këto ligje, plane, e strategji, kanë për synim parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimës dhe mirëqenien e saj, pas trajtimit në strehimore (riintegrimin). Por, në praktikë gjendja e strehimoreve është ndryshe dhe gjithë kjo bazë ligjore nuk zbatohet.

Meqë shteti ka dështuar në parandalimin e dhunës në familje, i vetmi kulm mbi kokë për viktimat e kësaj dhune ka mbetur strehimorja. Strehimoret në Kosovë kanë mbetur objekte të cilat strehojnë viktima sa për të mos fjetur në rrugë dhe sa për të mos vdekur urie. Ato kanë filluar të hapen para viti 1999 në baza vullnetare duke u financuar nga donatorë e organizata të ndryshme që kanë funksionuar në Kosovë. Nga viti 2013 ka filluar një lloj zbatimi i ligjit, meqë është krijuar baza ligjore dhe strehimoret janë licencuarsi OJQ nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

Megjithatë, edhe procesi i licencimit është i ngarkuar me një sërë procedurash. Pas tij, gjatë peridhës mars-dhjetor, Ministria ndanë një shumë financiare minimale dhe më pas ua mbyll dyert me arsyetimin se është obligim i Komunave përkatëse që ta vazhdojnë mbikqyrjen e strehimoreve. Kwshtu vazhdon loja me strehimoret mes Ministrisë dhe Komunave, të cilat ia hedhin fajin dhe barrën e përgjegjësisë njëra tjetrës.

Si pjesë e Sekretariatit të Gruas Aktiviste, në kuadër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, së fundmi kemi vizituar strehimoret e viktimave të dhunës në familje me viktima gra dhe fëmijë.

Marrë parasysh sa funksionon shteti dhe sa i jep rëndësi jetës së gruas, ka qenë e pritshme gjendja e strehimoreve. Puna jashtë çdo kapaciteti bazuar në raportimin e rasteve të dhunës në familje dhe dështimi për të përfshirë viktimat në shoqëri pas përfundimit të periudhës së strehimit, kanë qenë të vërtetat e këtyre strehimoreve, si pasojë e mungesës së mbështetjes nga institucionet shtetërore të niveleve qendrore dhe lokale.

Shuma që e fitojnë strehimoret nga Ministria është 20.000 euro në vit. Po e themi qëllimisht e fitojnë sepse procedura se si aplikojnë ato është kjo: dërgojnë projektet e tyre me planin e punës në MPMS, kur aty të hapen konkurset për subvencione; presin 3 muaj derisa MPMS t’i shqyrtojë ato dokumente duke vlerësuar se a i meritojnë mjetet financiare, apo jo. Strehimoret  duhet të supozojnë sesa vajza e gra do t’i strehojnë; e në fund fitojnë mjetet financiare. Pra, shteti ynë këto shoqata i trajton më shumë si të ishin ndonjë organizatë rinore, sesa si shoqata të cilat trajtojnë një problem serioz e urgjent të shoqërisë sonë.

3 muajt e parë pa fonde jo të gjitha strehimoret punojnë. Disa strehimore gjejnë forcë mes gjitha sfidash t’i mbajnë ato të hapura, vetëfinancohen apo financohen nga biznese të ndryshme me gjëra ushqimore apo veshmbathje.

Shuma 20.000 euro të cilën e fitojnë nga shteti ndahet 30% paga për stafin dhe 70% për viktima. Me të dëgjuar këto shifra dëshpëruese domosdoshmërisht lindi nevoja për një hulumtim se sa i takon në ditë një viktime nga totali 70% i shumës vjetore bazuar në kapacitetet për strehim të secilës strehimore. 

Analiza e mëposhtme synon ta paraqes një pasqyrë të përgjithshme të gjendjes nëpër komuna. Ajo është bërë duke u bazuar në kapacitetin e shtretërve dhe atyre që në ditën e vizitës sonë strehonin viktima jashtë çdo kapaciteti të mundshëm për të mos i lënë viktimat në rrugë. Shifra që paraqitet përfshinë ushqimin, veshmbathjen, higjienën e plot gjëra esenciale të viktimave.

 

-Strehimorja në Gjilan me kapacitet prej 15 shtretërve, kostoja ditore e një viktime është 2 euro e 55 cent në ditë.

-Strehimorja në Ferizaj me kapacitet prej 6 shtretërve, kostoja ditore e një viktime është 6 euro e 39 cent në ditë.

-Strehimorja në Gjakovë me kapacitet prej 16 shtretërve e cila njihet si strehimorja me më së shumti viktima të strehuara, në ditën tonë të vizitës kishte të strehuara 22 viktima. Kostoja ditore e një viktime është 1 euro e 75 cent në ditë.

-Strehimorja në Prizren me kapacitet prej 10 shtretërve, kostoja ditore e një viktime është 3 euro e 83 cent në ditë.

-Strehimorja në Mitrovicë me kapacitet prej 5 shtretërve, kostoja ditore e një viktime është 7 euro e 76 cent në ditë. 

 

Secila nga këto strehimore janë regjionale, pra mbulojnë edhe komunat rreth tyre.  

Ne anën tjetër, paga e një punonjëse në këto strehimore është nën pagën minimale të sanksionuar nga Qeveria e Kosovës. Ato paguhen vetëm 120 euro në muaj, pavarësisht natyrës së rëndë të punës, orarit të stërzgjatur dhe mungesës së sigurisë. Pra, praktikisht ato punojnë vullnetarisht.

Në takimet tona vërehej se ato prioritet nuk e kishin pagën sa e kishin problem strehimin dhe mbijetesën e viktimave aty.

Duke parë trendin në rritje të raportimeve të dhunës në familje dhe kapacitetit të strehimoreve për të ofruar shërbime, është nevojë urgjente institucionalizimi i strehimoreve.Strehimoret nuk mund të jenë OJQ të cilat mbesin në vullnetin e mirë të disa personave. Ato duhet të jenë institucione shtetërore, të cilat ofrojnë strehim, ushqim, siguri, arsimim dhe riintegrim në shoqëri.

Përveç institucionalizimit, duhet insistuar që strehimoret të kenë një linjë buxhetore të veçantë dhe asesi të subvencionohen si deri më tash. Linja e veçantë buxhetore duhet përfshirë në buxhetin vjetorë të shtetit.  

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas,  Konventa për të Drejtat e Fëmijës janë vetëm disa nga dispozitat ndërkombëtare në të cilen mbështetët Kushtetuta e Kosovës. Të gjitha këto janë bazament që shteti do të duhet të ofrojë siguri, mbrojtje dhe mirëqenie për qytetarët e saj. Por, në realitet institucionet tona kanë dështuar që viktimave të dhunës në familje të ju ofrojnë strehim dhe mirëqenie, në mungesë të këtijë shërbimi viktimat në 95% të rasteve janë recidive. Rrjedhimisht shkaktari i përsëritjese së dhunës është direkt shteti. 

Gjendja alarmante e strehimoreve është thirrja e fundit që institucionet kompetente të veprojnë një hap e më parë konform përgjegjësive që kanë.