analizë
Për Universitetin, për Shoqërinë

Për Universitetin, për Shoqërinë

Edlira Xhafa - 29 janar 2019 - 10:19

Si u bënë protestat studentore rezistenca e parë masive ndaj neoliberalizmit në Shqipëri

Fillimdhjetor 2018. Gjithçka nisi në dukje si një shpërthim spontan i mllefit studentor kundër tarifave të imponuara ndaj studentëve për “provimet e përsëritura” në një fakultet. Thuajse menjëherë u përbashkuan mijëra studentë, nga shumë fakultete të Universitetit të Tiranës, dhe menjëherë pas kësaj, edhe nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Të gjithë u mblodhën përballë Ministrisë së Arsimit. Të frymëzuar prej kolegëve të tyre në Tiranë, në ditët që pasuan, studentë prej universiteteve të tjera në qytetet e mëdha të Shqipërisë organizuan protesta të ngjashme pranë universiteteve të tyre, e disa madje u nisën për t´u bashkuar me protestën studentore përballë Ministrisë së Arsimit.

Shqipëria nuk kishte parë një protestë studentore, në të vërtetë asnjë lloj proteste, të një përmase të tillë, që prej një tjetër dhjetori, atij të 1990, kur mijëra studentë organizuan aktin e parë masiv të kundërshtimit haptazi ndaj regjimit totalitar. Natyrisht, shumë filluan të flisnin për një “Dhjetor të dytë”. Teksa protestat studentore po rriteshin, objektivi i mërisë u zgjerua, prej tarifave të padrejta për provimet e përsëritura, tek pagesat e papërballueshme vjetore, sidomos për studimet master, të cilat i kanë detyruar shumë studentë të punojnë me kohë të plotë si kamarierë apo në call-center, e shumë të tjerë janë shtrënguar t´i braktisin studimet. Kishte mllef edhe për kushtet shumë të mjerueshme të konvikteve, për laboratorët e degraduar ose inekzistentë, për mungesën e bibliotekave, për çmimet e shtrenjta të librave të mbushura me material plagjiaturë të cilat u imponohen studentëve për t´i blerë, kundër profesorëve të korruptuar që kërkojnë para në këmbim të kalimit të provimit apo të një note të mirë, si dhe kundër ligjit famëkeq të arsimit të lartë (Ligji), i cili i ka thelluar dhe i ka përjetësuar problemet endemike të universiteteve publike.

Pak ditë pasi filloi protesta dolën në pah tetë kërkesa, të cilat përfshinë mes të tjerave, përgjysmimin e tarifave vjetore për të gjitha nivelet, më shumë buxhet për universitetet publike, libra falas, një peshë më e madhe për votën studentore në zgjedhjet e administratës studentore, një rishikim i përgjithshëm i titujve akademikë, si dhe përmirësimi i kushteve në konvikte. Kërkesat u shpallën si të panegociueshme. Përtej këtyre tetë kërkesave, mijëra studentë, me ndihmën e mikrofonëve njerëzorë, brohoritën refuzimin e tyre për status-quonë: “Jemi studentë, jo klientë”; “Nuk do të paguajmë për krizën tuaj”; “Nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur”; “Mjaft i financuat universitetet private me para publike”; “Rrëzojeni ligjin”; si dhe vizioni i tyre për të ardhmen – “Arsim publik falas.”

Ditët e protestës ishin të mbushura me mllef, pasion, shpresë, entuziazëm, kreativitet e këmbëngulje, gjë që i frymëzoi shqiptarët brenda e jashtë Shqipërisë. Shumë qytetarë iu bashkuan protestës, shumë të tjerë sollën ujë dhe ushqim për protestuesit. Këto ditë ishin shumë të vështira, sepse në to protesta studentore, e re dhe përplot shpresa, u sprovua prej manovrave të partive të mëdha politike, që u përpoqën dëshpërimisht ta devijojnë protestën studentore (qeveria e Partisë Socialiste), apo të përfitojnë prej momentumit të krijuar nga energjia protestuese (partitë e opozitës).

Në fillim kryeministri Edi Rama i injoroi protestat dhe i quajti protestuesit “ngelësa”. Megjithatë, i ballafaquar me masa gjithnjë e më të mëdha anekënd vendit, ai filloi të kërkojë dialog e negociata me përfaqësuesit e studentëve. Përgjigjjja që mori nga studentët në rrugë ishte e qartë e buçitëse – “Jo përfaqësim” dhe “Jo dialog, jo negociata” mbi ato çka për ta ishin kërkesa bazike. I injoruar prej studentëve në rrugë, kryeministri shkoi në tubime të organizuara prej zyrtarëve të lartë të universiteteve. Me veprime të një guximi e mosbindjeje të padëgjuar më parë, studentët u ballafaquan me kryeministrin, ose dolën nga sallat. Një tjetër strategji e përdorur nga kryeministri për të dalë nga situata, ishte përpjekja për ta zhvendosur fajin për mllefin studentor, duke shfajësuar Ligjin dhe duke fajësuar administratat universitare dhe stafin akademik – një lëvizje e cila, siç do të shohim më poshtë, mund të ketë patur efekt boomerang. Siç mund të shihet tek aktivizimi i asambleve të përgjithshme të fakulteteve.

Ndërkohë partitë opozitare, në krizë totale për legjitimitet, e në fakt pa asnjë vizion politik për të frymëzuar e për të mobilizuar njerëzit, u përpoqën ta bëjnë të vetën protestën, duke e ambalazhuar si një lëvizje anti-qeveritare. Studentët me forcë i refuzuan edhe partitë opozitare. Mesazhi i tyre ishte i qartë, të gjitha partitë politike kryesore ishin njësoj fajtore për gjendjen mjerane të universiteteve publike. Të përballura me një refuzim të tillë, forumet rinore të partive politike u aktivizuan me qëllim që t´i bindin studentët të lëvizin prej rrugës pranë Ministrisë së Arsimit, tek bulevardi pranë kryeministrisë, pra për ta zhvendosur objektivin nga kërkesat për arsim, tek kërkesat për rrëzimin e qeverisë.

Për shumë ditë studentët rezistuan dhe ndenjën te sheshi përballë Ministrisë së Arsimit. Megjithatë, ndërkohë që ministrja u zhduk prej skenës sepse kryeministri e mori mbi vete gjithë angazhimin me studentët përmes medias sociale dhe përmes vizitave në salla universitare, argumenti për të qëndruar përballë Ministrisë së Arsimit u dobësua. Eventualisht aksioni i protestës u zhvendos pranë kryeministrisë, dhe u fokusua tek realizimi i tetë kërkesave dhe te rrëzimi i ligjit për arsimin e lartë. Protesta studentore u ndërpre përkohësisht gjatë pushimeve të fundvitit. Gjatë kësaj periudhe kryeministri paraqiti një sërë masash, duke deklaruar se të gjitha kërkesat e studentëve ishin përmbushur. Të pakënaqur me këto masa protesta rifilloi në 7 janar 2019, kur, pavarësisht temperaturave të ulëta, studentët u mblodhën sërish përballë zyrave të kryeministrit.

Aktualisht shumë studentë prej fakulteteve të ndryshme në Tiranë dhe në disa qytete të tjera po bojkotojnë auditorët dhe disa grupe studentësh janë mbyllur brenda në sallat e universiteteve në atë që po e quajnë “zaptim të universitetit” apo “bojkot aktiv”. Cilado që të jetë etiketa, studentët po angazhohen në veprimtari politike që qartazi po e ri-përkufizon dhe po e ri-përfytyron universitetin publik si një hapësirë e lirisë dhe e mendimit kritik mbi të ardhmen e universitetit dhe shoqërisë. Gjatë kësaj, studentët po ndërmarrin ligjërata të vetë-organizuara dhe diskutime politike mbi Ligjin dhe mbi vizionin e arsimit publik, po shohin dokumentarë politikë, po planifikojnë hapat e ardhshëm, dhe po këndojnë e kërcejnë, ndër të tjera. Zënë midis protestave studentore nga një anë, dhe fajësimit prej kryeministrit nga ana tjetër, profesorë nga disa fakultete kanë bërë thirrje që të mblidhen në takim këshillat e përgjithshëm. Në disa fakultete këta këshilla u mblodhën për herë të parë, dhe aty u konsolidua mbështetja për bojkotin dhe kërkesat studentore, përfshi edhe rrëzimin e Ligjit. E duke ditur tashmë rezultatet e diskutimeve në këshillat e përgjithshëm të disa fakulteteve, Fakulteti i Gjeologjisë e Minierave i UT në 22 janar 2019 lëshoi thirrje për mbledhjen e një këshilli të përgjithshëm me përfaqësues prej stafit akademik nga të gjithë fakultetet, gjë e cila po ashtu do të ndodhte për herë të parë.

Si përgjigje ndaj bojkotit të vazhdueshëm të auditorëve, dhe i vendosur për të mos e rrëzuar Ligjin, kryeministri ka shpallur një “Pakt për Universitetin” që tash po diskutohet në të gjitha universitetet. Pakti megjithatë sërish dështon të adresojë kërkesat për të rritur peshën e votës studentore, për të ulur tarifat vjetore për nivelin master, si dhe për të garantuar që universitetet private nuk do të kenë akses tek paraja publike, gjë që e lë të pazgjidhur çështjen e uljes së tarifave vjetore në universitetet publike. Është e paqartë se sa i rëndësishëm do të jetë zëri i studentëve në këtë proces. Gjatë një diskutimi mbi Paktin ditët e fundit, kryeministri kërkoi që një studente të dalë nga salla, pasi që ajo e ngriti sërish kërkesën e protestës studentore për të rrëzuar Ligjin. Midis përpjekjeve të qeverisë për të aplikuar masa që i përçajnë studentët universitarë me ata të nivelit master, përpjekjeve të forumit rinor të Partisë Socialiste për të thyer bojkotin, presionit prej administratës universitare, dhe shpesh raportimit të anshëm e të kufizuar të mediave, rezistenca studentore vazhdon.

Fundja jo dhe aq spontane – Lëvizja “Për Universitetin”

Pra, çka u duk si një protestë spontane studentore, po vazhdon të mbijetojë në forma të ndryshme. Mirëpo, nuk ishte edhe aq spontane. Kjo është shumë e qartë për këdo që e njeh mënyrën e punës të lëvizjeve shoqërore. Për vite me radhë, një grup i vogël aktivistësh, i përbërë kryesisht nga studentë e nga pak profesorë, kanë rezistuar pa u lodhur përballë reformave dhe politikave që synonin komercializimin e arsimit publik në Shqipëri, duke shtruar udhën për valën e protestave studentore në dhjetor 2018. Nën parrullën “Universiteti në Rrezik”, këta aktivistë filluan të punojnë së bashku që në 2011, për të kundërshtuar projektligjin për arsimin e lartë, të përgatitur asokohe prej partive që tash janë në opozitë (në atë kohë ishin në koalicion qeverisës). Kryetari i Partisë Socialiste, asokohe në opozitë, Edi Rama, po ashtu e kundërshtonte atë projektligj, duke denoncuar atë çka e quante reformë e liberalizimit ekstrem të arsimit publik që po ndërmerrej nga qeveria. Ironikisht, ishte qeverisja e Partisë Socialiste, me Ramën tashmë kryeministër, e cila e votoi Ligjin në 2015. Asokohe të pafuqishëm për ta ndalur miratimin e Ligjit, aktivistët vazhduan aksionet e tyre nën emrin “Lëvizja për Universitetin”.

Gjatë këtyre viteve aktivistët e Lëvizjes kanë mbajtur qindra takime me studentë nga shumë fakultete të Tiranës, duke diskutuar problemet serioze të Ligjit, si psh. komercializimi i universitetit publik dhe financimi i universiteteve private me fonde publike, gjë e cila do të sillte rritjen e vazhdueshme të tarifave. Ata vazhdimisht e kanë kundërshtuar Ligjin në shumë emisione televizive, dhe kanë ndërprerë evenimente ku kanë qenë pjesëmarrës kryeministri apo ministrja e arsimit. Nën parrullën “Për universitetin, për shoqërinë” aktivistët patën organizuar shumë protesta te Ministria e Arsimit apo te Kryeministria. E fundit ishte në 22 nëntor 2018. Të dëshpëruar prej pjesëmarrjes së ulët, aktivistët me të cilët u takova gjatë protestës më thanë se kishin folur me qindra studentë nëpër disa fakultete. Dhe u deshën vetëm disa ditë, që ajo për të cilën ata kishin punuar shumë fort, të materializohej. Jeta – dhe sigurisht edhe mobilizimet e masave – kanë shumë më tepër befasi se ç´mund të imagjinojmë.

Gjatë protestës studentore, qoftë në rrugë e qoftë në universitete, mijëra studentë kanë vazhduar të brohorasin slloganet që Lëvizja ka krijuar gjatë këtyre viteve. Pak ditë pasi kishte filluar protesta njëri nga aktivistët deklaroi në TV se janë ende të befasuar prej masivitetit të studentëve në protestat në Tiranë e anembanë vendit. Të apasionuar, entuziastë dhe frymëzues, aktivistët vazhdonin të mobilizonin edhe kur sulmoheshin prej qeverisë, partive të opozitës, forumeve rinore të tre partive të mëdha politike, apo kompanive mediatike të afërta me to të cilat njëzëri i etiketuan studentët si marksistë, gjë e cila është një mënyrë e sigurt për ta hequr qafe tjetrin, në një vend që ka një histori të dhimbshme (jo fort të largët) me një regjim brutal stalinist. Duke u përpjekur ta pengonin rolin e Lëvizjes në protestën studentore, forumet rinore të partive të opozitës u vetëshpallën organizues të protestës, dhe në disa raste ushtruan edhe forcë ndaj aktivistëve të Lëvizjes për t´i ndaluar së foluri në protestë. Dallimet mes anëtarëve të forumeve rinore dhe aktivistëve të Lëvizjes nuk mund të ishin më të thella: forumet rinore kanë sisteme zërimi të fuqishëm, që vetëm partitë politike mund t´i blejnë, aktivistët e Lëvizjes kishin megafonë modestë dhe zëra të ngjirur prej përpjekjes për të bërë atë që nuk e bëjnë dot megafonët; forumet rinore këndonin himnin kombëtar dhe brohoritnin parrulla nacionaliste, aktivistët flisnin për problemet e studentëve dhe për të drejtën për edukim për të gjithë; ndërsa të rinjtë e forumeve krekoseshin sikur të ishin organizatorë të protestës studentore, aktivistët e Lëvizjes fokusoheshin vetëm tek ruajtja e energjisë së protestës dhe te uniteti studentor.

Prapa skenave shumë nga aktivistët u përballën me kanosje, kërcënime dhe akte të tjera dhune fizike. Ndërkohë që ajo që i ka ndodhur aktivistëve ende pret të dokumentohet tërësisht, po e jap vetëm një shembull për të ilustruar intensitetin e dhunës: një numër aktivistësh e ndjenë të nevojshme të shoqërojnë dhe të ruajnë njërin prej aktivistëve që kishte marrë kanosje serioze. Megjithatë asgjë nuk i ndali aktivistët. Aktivistët e Lëvizjes për Universitetin deklaruan: “Lëvizja nuk është këtu për ta marrë peng protestën, është këtu për të mos e lejuar protestën të shkojë. Ne nuk jemi as koka e as bishti, ne jemi mesi i protestës”.

 

Lëvizja studentore përtej studentëve

Ndërkohë që protesta studentore ka disa dimensione që vlejnë të hulumtohen, fokusi këtu do të jetë tek domethënia e saj në kontekstin e transformimeve dramatike në vend, gjatë tre dekadave të fundit. Në fillim të ´90 qeveria e Partisë Demokratike, partia e re që ishte krijuar pas rënies së regjimit autoritar, ndoqi në mënyrë religjioze recetën e FMN-së për një terapi radikale shock-u për marketizim – kjo ishte shkatërrimi i shpejtë i bazës ekonomike të ekonomisë së kontrolluar nga shteti përmes (kryesisht) mbylljes ose privatizimit të të gjitha fabrikave, minierave dhe fushave naftënxjerrëse. Në fund të ´90 qeverisja e Partisë Socialiste, ashtu si dhe qeverisjet pasardhëse të partive të tjera, përqafuan një agjendë radikale neoliberale, për marketizim dhe për komercializim të shërbimeve publike, siç janë arsimi, shëndetësia, uji dhe rryma elektrike.

Përgjatë këtyre ngjarjeve dramatike nuk ka patur ndonjë rezistencë masive të organizuar. Sindikatat ekzistuese kanë dështuar në mënyrë mjerane në përpjekjen për të mobilizuar punëtorët në mbrojtje të punësimit apo të shërbimeve publike. Ato kanë dështuar në organizimin e ndonjë rezistence kundër rrogave të ulëta dhe kushteve të këqija të punës me të cilat përballen shumica e punëtorëve të Shqipërisë. Ato po ashtu kanë dështuar të mobilizojnë protesta masive edhe në rastet e vdekjeve tragjike të punëtorëve në ndërtim apo miniera, ose në rastet e helmimit të punëtorëve të fabrikave të veshjeve a të këpucëve. Ishuj rezistence punëtorësh në ca nga minierat e në fushat naftëmbajtëse shpesh janë tradhëtuar prej atyre që vetë punëtorët i quajnë aleanca të fshehta mes sindikatave, firmave private dhe qeverisë. Roli i sindikatave ekzistuese është bërë aq i parëndësishëm, sa që ca vite më parë kryeministri bëri bujë kur ftoi investitorët italianë të investojnë në Shqipëri, sepse aty nuk ka sindikata që do të mund t´i bezdisnin. Disa mobilizime të tjera kanë ndodhur kohët e fundit, kundër komodifikimit të hapësirave publike, shkatërrimit të natyrës dhe rrënimit të shtëpive që supozohet të jenë pa leje, për të ndërtuar rrugë më të gjera. Por edhe këto raste nuk kanë mbërritur të prodhojnë një rezistencë masive.

Prandaj protesta masive e studentëve është një shkëndijë drite përballë gjendjes depresive të vendit, e cila i ka shtyrë një të tretën e banorëve të Shqipërisë drejt emigracionit. Kjo protestë përfaqëson atë çka e gjithë shoqëria ka shpresuar për një kohë të gjatë. Përtej energjisë dhe shpresës, sidoqoftë, protesta studentore kallëzon daljen në pah të një faze të re në historinë politike të tre dekadave të fundit. Analiza që bën Karl Polanyi tek Great Transformation (1944) na vjen në ndihmë për të shpjeguar domethënien e ngjarjeve të tilla, siç është lëvizja studentore në Shqipëri. Polanyi argumenton se historia e ekonomive kapitaliste, prej lindjes së tyre në Angli e deri tek kriza botërore e viteve ´30, formësohet prej një lëvizje të dyfishtë: forcat që zgjerojnë objektivin dhe influencën e tregjeve të vetërregulluara (lëvizja për laissez faire) kundërshtohen nga forcat që synojnë të kufizojnë sundimin dhe influencën e tregjeve (lëvizja për mbrojtje) duke e ruajtur “stofin e jetës shoqërore prej impaktit shkatërrues të presioneve të tregut”. Sipas Polanyi-t, pavarësisht impulsit konstant për komodifikim që ka kapitalizmi, “ky ka sukses vetëm deri në një farë pike”: “shoqëria gjerësisht… ka një prirje inherente për të mos e lejuar këtë”.

 

Komodifikimi i punës, tokës dhe parasë është shpjeguar nga autorë të ndryshëm se si e përfshin edhe komodifikimin e dijes. Michael Burawoy psh. vë në dukje se:

“… mënyra se si prodhimi dhe shpërndarja e dijes komodifikohet e detyron universitetin që t´ia shesë dijen e vet atyre që paguajnë më shumë, që të anojë në hulumtime kah interesi privat më shumë se kah ai publik, që të kultivojë studentin si konsumator që paguan tarifa gjithnjë e më të larta për forma të instrumentalizuara të dijes. Universiteti e riorganizon veten si një korporatë që maksimizon fitimin jo thjesht duke rritur të ardhurat, por edhe duke ulur rrogat e duke e degraduar stafin e vet, duke zvogëluar profesoratin e përhershëm, duke rritur punësimin e asistentëve të keqpaguar e të përkohshëm (që i prodhon vetë universiteti), dhe duke i nënkontraktuar shërbimet e tjera, teksa në të njëjtën kohë i zgjeron radhët e stafit menaxherial dhe administrues”.

Pra, sugjeron Burawoy, “studentët që dikur ishin krenaria e gëzimi i së ardhmes së kombit, befasisht e gjejnë veten teksa luftojnë për mbijetesë, duke u shndërruar prej qytetarë në konsumatorë, teksa korruptohet kuptimi i arsimit publik”. Rezistenca masive e ndërmarrë nga lëvizja studentore në Shqipëri, sipas mendimit tim, përfaqëson atë moment historik kur disa forca shoqërore dalin në pah, të cilat kundërshtojnë forcat e tregjeve të lira dhe e mbrojnë shoqërinë prej shkatërrimit që vjen prej këtyre forcave.

 

Lëvizjet sociale të Përjashtimit

Lëvizja studentore e Shqipërisë është shumë e ngjashme me lëvizjet shoqërore të përjashtimit, për të cilat flet Burawoy, sepse këto lëvizje përfaqësojnë “përgjigje ndaj formave e dimensioneve të ndryshme të marketizimit”. Forca lëvizëse për këto lëvizje të reja shoqërore të përjashtimit “nuk është një mobilizim prej brenda institucioneve të mëdha, por prej së jashtmi, kundër atyre institucioneve”. Edhe pse përqendrohen në elemente të ndryshme të marketizimit, këto lëvizje kanë një sërë karakteristikash të përbashkëta, që shfaqen po ashtu edhe te lëvizja studentore në Shqipëri.

Së pari Burawoy argumenton se, edhe pse të fokusuara në një çështje kombëtare dhe të përkufizuara prej konditave specifike politike, lëvizjet e reja shoqërore të përjashtimit lidhen edhe përtej kufijve përmes mediave sociale apo përmes përfaqësive vizituese, dhe e frymëzojnë atë. Në rastin e Shqipërisë, shumë nga aktivistët e Lëvizjes për Universitetin kanë marrë frymëzim dhe kanë ndarë informata me Lëvizjen Studentore Ndërkombëtare që është themeluar më shumë se dhjetë vite më parë për të mbështetur lidhjen dhe shkëmbimin e informacioneve mes aktivistëve të arsimit që luftojnë kundër komercializimit të arsimit dhe për një arsim falas e emancipues për të gjithë. Edhe logot e dy lëvizjeve janë të ngjashme. Lëvizja Studentore Ndërkombëtare ka shpërndarë në faqen e Facebook-ut vazhdimisht zhvillime e përditësime prej protestës studentore në Shqipëri.

Së dyti sipas Burawoy-t, këto lëvizje kanë të përbashkët “idenë se demokracia elektorale është marrë peng prej kapitalizmit… dhe se ka një hendek të madh mes pushtetit dhe politikës, kështu që pushteti është përqendruar tek nyja e kapitalit me shtetin, ndërsa politika elektorale është reduktuar në një ritual jo-efektiv”. Përgjatë këtyre viteve Lëvizja për Universitetin ka artikuluar një kritikë solide ndaj Ligjit, duke përimtuar mënyrat se si ky Ligj i shërben interesave të universiteteve private, duke zbuluar për publikun lidhjet mes pronarëve të universiteteve private me partitë politike, sidomos gjatë projektimit të Ligjit famëkeq. Kjo shpjegon se pse studentët këmbëngulin në refuzimin e sloganëve që kërkojnë rotacion politik të cilat vijnë prej partive opozitare, dhe në vend të kësaj kërkojnë ndryshim në sistemin arsimor. Kur kryeministri deklaroi se zvogëlimet e tarifave vjetore do të çojnë në ulje pagash për punëtorë të tjera, protestuesit e vetëdijësuar për aleancën kapital-shtet, u përgjigjën me parrullën “taksoni oligarkët”.

Një karakteristikë e tretë e identifikuar nga Burawoy, është se ndërkohë që refuzojnë demokracinë formale, këto lëvizje përdorin demokracinë direkte, që ndonjë herë përkufizohet si “´politikë prefigurative´e cila përfshin lidhje horizontale po aq sa beteja vertikale”. Në rastin shqiptar siç vumë në dukje më lart, studentët e refuzuan çdo lloj përfaqësimi prej këshillave të diskredituar studentorë, që kishin dështuar të ishin zëri i tyre për vite me radhë. Po ashtu ata këmbëngulën të mos pranojnë të zgjedhin një komitet përfaqësues studentësh. Kjo pjesërisht shpjegohet nga frika se komitetet nuk do të ishin të aftë të rezistonin përballë taktikave të kryeministrit, i cili mund të përdorë dialogun për të dobësuar protestën. Arsyeja më themelore, e cila rrjedh prej shumë bisedave me studentët gjatë protestave, si dhe prej slloganeve të brohoritur, besoj se është ndjenja që ata kishin, se zërat e tyre ishin nënveftësuar për një kohë kaq të gjatë, ndërkohë që universiteti po shkatërrohej me reforma e politika. Pra, thirrja për dialog ishte thjesht ofertë shumë e vogël dhe shumë e vonuar. Të përtërirë prej energjisë së protestave, studentët e gjetën guximin për t´u ngritur në këmbë përballë arrogancës së pushtetit, dhe e ndjenë se tash vendimmarrja u takonte atyre. Duke bërë kështu studentët kanë frymëzuar edhe profesorët e tyre, në rezistencë kundër arrogancës qeveritare, duke ua mësuar atyre fuqinë e demokracisë direkte, gjë që u pa në përpjekjet e stafit akademik për të aktivizuar, në ca fakultete për herë të parë, struktura ku mund të ushtrohet demokracia direkte, siç janë këshillat e fakulteteve, apo ndër-fakultete.

Së katërti Burawoy vë re se lidhjet virtuale bëhen efektive kur ka pikëtakime në hapësirë konkrete e reale. Në këtë mënyrë sheshi ku takohen njerëzit bëhet “kyçi për themelimin e komuniteteve të dendura e kreative, si dhe për planifikimin e aksioneve të reja e befasuese”, dhe media sociale “një mjet thjesht ndihmues, edhe pse esencial, për komunikimin”. Edhe për protestën studentore në Shqipëri mediat sociale luajtën një rol kyç në lidhjen e studentëve me njëri-tjetrin dhe në planifikimin e aksioneve, dhe vazhdon ende të jetë kështu. Roli i mediave sociale është edhe më i rëndësishëm po të kesh parasysh mungesën e strukturave dhe raportimin shpesh të anshëm dhe/ose të kufizuar nga ana e mediave, sidomos pas momentit kur rezistenca u zhvendos prej rrugës tek auditorët. Në të njëjtën kohë, pikëtakimi tek ministria e arsimit dhe aktualisht tek universitetet, i ka ndihmuar studentët të vetëdijësohen për përjetimin e përbashkët të mllefit kundër një sistemi të dështuar edukimi i cili e prek çdo student, edhe pse disa ndoshta më shumë se të tjerët. Kështu pra, studentët po mësojnë të lëvizin prej një fenomeni individual, të dështimit personal, drejt një fenomeni të ndërlidhur shoqëror të “dështimit të një sistemi arsimor”, “varfërisë dhe pabarazisë” dhe të “aleancës djallëzore të kapitalit e partive politike”. Në këtë mënyrë rrugët dhe universitetet janë bërë hapësirat ku ndërtohet solidariteti mes studentësh nga fakultete të ndryshme, vendi i edukimit politik dhe i mendimit kritik, dhe vendi i përtëritjes studentore për t´i bërë ballë autoritetit dhe për të vendosur për të ardhmen e vet: “Refuzojmë të jemi e ardhmja. Prej sot jemi e tashmja”. Sigurisht kjo ka mundësuar që Lëvizja për Universitetin të rritet dhe të piqet. Në të vërtetë Lëvizja është bërë gjithnjë e më e njohur, me të paktën 10.000 ndjekës të rinj në faqen e tyre në Facebook, dhe me shumë studentë që po u bashkohen në takimet që mbajnë në qendrën e tyre modeste.

Burawoy diskuton një pikë të pestë – kundërpërgjigjjen e ashpër policore përballë zaptimit të hapësirave publike. Ndërkohë që përmasa e dhunës të ushtruar gjatë protestës ende nuk është përcaktuar, nuk ka patur raportime për dhunë policore ndaj studentëve gjatë ditëve të protestës. Në fakt, shumë prej policëve, jo vetëm gjatë protestës studentore të dhjetorit, por edhe gjatë protestave të mëparshme të organizuara nga Lëvizja për Universitetin, duket se në heshtje janë solidarizuar me kërkesat e studentëve. Për më tepër, siç ka argumentuar njëri nga aktivistët e Lëvizjes, çdo dhunë policore kundër studentëve do të kishte provokuar një kundërpërgjigje të fortë prej qytetarëve. E me të vërtetë, në njërën prej ditëve të protestës, policia nxitoi ta shuajë thashethemin që supozohej se bazohej në “informata të brendshme”, se ata kishin lëshuar urdhër arrestimi për disa aktivistë. Në ditët e fundit megjithatë, kur protesta lëvizi prej rrugës në hapësirat universitare, firmat private të sigurisë që operojnë në universitete si edhe forcat policore kanë qenë më aktive. Larg syve të publikut ato kanë ndërhyrë për të pastruar korridoret e fakulteteve prej tavolinave e karrigeve të përdorura nga studentët për mbledhjet e tyre të përbashkëta, dhe raportohet se kanë ushtruar kërcënim e dhunë fizike ndaj studentëve.

Një pikë e fundit është domethënia e protestës së studentëve në Shqipëri. Polanyi paralajmëroi për rreziqet se kundërpërgjigjja ndaj komodifikimit mund të ketë një karakter reaksionar. Në vend të lëvizjeve progresive e emancipuese, mund të sjellë lindjen e fashizmit apo rritjen e lëvizjeve djathtiste-populiste, siç e kemi parë në vende të tjera të Evropës. Kështu, ndoshta një prej shërbimeve më të mëdha që studentët po i bëjnë Shqipërisë, është kanalizimi i mllefit dhe i depresionit popullor larg prej agjendave djathtiste nacionaliste, së paku për momentin që flasim.

Lëvizja studentore, me shpërthimin e saj të mrekullueshëm të mllefit e të shpresës, me aktet e saj guximtare e të fuqishme, sidomos prej grave studente, me posterat e saj dhe me mikrofonët njerëzorë, me leksionet e saj për demokracinë direkte, me vendosmërinë e saj për të vazhduar të zaptojë rrugë e universitete, pavarësisht përpjekjeve për ta përçarë lëvizjen e pavarësisht mungesës së strukturave, ka mundësuar një hapësirë për artikulimin e kërkesave për arsim publik falas, dhe për të përfytyruar një universitet publik që i jep studentëve dinjitet dhe vendit shpresë për të ardhmen.

Teksa ngjarjet ende po shtjellohen, gjithçka është e mundshme. Megjithatë, sido që të shkojë, historia po bëhet në Shqipëri, dhe vendi nuk do të jetë më i njëjtë si më parë: thyerja tashmë ka ndodhur.