analizë
Trump a Clinton, Brexit a Remain, Maduro a Guaido? Të dyja janë më të këqijat!

Trump a Clinton, Brexit a Remain, Maduro a Guaido? Të dyja janë më të këqijat!

Slavoj Zizek - 25 shkurt 2019 - 15:43

Në ditët e sotme media popullore dhe elitat politike kanë qejf të «duartrokasin» vetëm alternativa që janë krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën. Pra, alternativat më të mira rrallë gjejnë hapësirë për diskutim.

Kur lexoj mbi betejën që ende po vazhdon në Mbretërinë e Bashkuar, atë për Brexit-in, gjëja e parë që më bie ndërmend është gjithnjë Stalini. Andej nga fundi i viteve 1920 gjeorgjiani u pyet nga një gazetar, mbi atë se cili ishte devijimi më i keq, ai djathtisti (i Buharinit me shokë), apo ai majtisti (i Trockit me të tijtë), dhe Stalini u përgjigj: «Të dyja janë më të këqijat!».

Me të vërtetë, është shenjë dëshpëruese e situatës sonë kjo që, kur vihemi përballë me zgjedhje politike e kur na duhet të marrim një anë, qoftë ajo edhe e keqja më e vogël, shumë shpesh përgjigjja e cila vetëimponohet është kjo: «Të dyja janë të këqija!».

Kjo sigurisht nuk nënkupton se të dy polet e alternativës thjesht janë e njëjta gjë. Në situata konkrete përshembull na duhet që të mbështesim me disa kushte protestat e Jelekëve të Verdhë në Francë, apo të bëjmë një pakt taktik me liberalët për të ndalur kërcënimet fondamentaliste ndaj lirive tona (fjala vjen kur fondamentalistët duan të kufizojnë të drejtën për abort, apo kur haptazi çojnë përpara politika raciste).

Sidoqoftë kjo do të thotë se shumica e zgjedhjeve që na imponohen prej mediave të mëdha janë zgjedhje të rrejshme – funksioni i tyre është që të mjegullohet opsioni i vërtetë. Dhe nga kjo mund të nxjerrim një mësim të trishtë: nëse njëra anë në një konflikt është e keqe, kjo nuk do të thotë se ana tjetër është domosdoshmërisht e mirë.

 

Zgjedhje dëshpëruese

Le të merremi me situatën e tashme në Venezuelë: a duam Maduro-n apo Guaido-n?

Të dyja janë zgjedhjet më të këqija, dhe pse jo në të njëjtin kuptim. Maduro është «më i keqi» sepse sundimi i tij e solli Venezuelën në një fiasko komplete ekonomike, ku shumica e popullsisë jeton në varfëri të thellë, një situatë e cila nuk mund t´i atribuohet vetëm sabotazhit prej armiqve të brendshëm e të jashtëm.

Mjafton ta përfytyrojmë se ç´dëm të pashueshëm i ka bërë regjimi i Maduro-s idesë së socializmit: për dekada me radhë do të na duhet të dëgjojmë variacione mbi temën «Doni socializëm? Epo shiheni Venezuelën».

Mirëpo edhe Guaido nuk është më pak «më i keqi»: vetëshpallja e tij si president virtual ishte pa dyshim një grusht shteti i mirëpërgatitur e i orkestruar nga SHBA, e jo një kryengritje popullore (e cila është pikërisht opsioni i tretë «më i miri», që mungon tek alternativat e Maduro-s dhe Guaido-s që janë «të dy më të këqijat»).

Dhe s´duhet hezituar që të aplikojmë logjikën e njëjtë, sa i përketbetejës mes populistëve dhe liberalëve sundues, e cila po karakterizon këto kohë demokracitë perëndimore. Sa i përket politikës amerikane, kjo do të thotë se në pyetjen «kush është më i keqi, Trump apo Clinton (apo tash Pelosi)?» përgjigjja jonë duhet të jetë e njëjta: janë të dy më të këqinjtë!

Trump është «më i keqi» sigurisht: si agjent i «socializmit për të pasurit», i cili vazhdimisht po i shkatërron normat e jetës politike të qytetëruar, po i zhbën të drejtat e minoriteteve dhe po i injoron kërcënimet ndaj mjedisit, përveç shumë gjërave të tjera.

Megjithatë, në një tjetër sens, edhe establishmenti demokratik është «më i keqi»: nuk duhet të harrojmë se ishte dështimi imanent i establishmentit demokratik ai që çeli hapësirën për populizmin e Trump-it.

Pra, hapi i parë për të mposhtur Trump-in është një kritikë radikale për elitat e stabilizuara në pushtet. Pse munden Trump-i e populistët e tjerë t´i shfrytëzojnë frikërat dhe mllefet e njerëzve të thjeshtë? Sepse ata u ndjenë të lënë në baltë prej atyre që ishin në pushtet.

Çka do të thotë kjo, konkretisht? Mes të tjerave kjo do të thote se, sado e pahijshme të duket kjo, e majta nuk duhet të ketë frikë edhe të mësojë prej Trump-it.

 

Zhdërvjelltësi

Si funksionon Trump-i? Shumë analistë të mprehtë tregojnë se si, edhe pse (më së shpeshti) ai nuk i shkel ligjet e rregullat e shkruara, ai i shfrytëzon deri në skaj faktin se të gjitha këto ligje e rregulla mbështeten në një stof të dendur rregullash e zakonesh të pashkruara, të cilat na mësojnë se si aplikohen ligjet e rregullat e shkruara – e atij as që i bëhet vonë për këto rregulla të pashkruara.

I fundit (dhe gjer më tash me i skajshmi) shembull i kësaj procedure, është shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e Trump-it. Kritikët e tij u tronditën prej mënyrës se si e aplikoi këtë masë, e cila qartësisht ishte parashikuar vetëm për raste katastrofash të mëdha, siç mund të jetë kërcënimi për luftë apo ndonjë tragjedi natyrore, thjesht për të ndërtuar një mur kufitar që të mbrojë territorin e SHBA-ve prej një rreziku imagjinar.

Megjithatë nuk ishin vetëm demokratët kritikë ndaj kësaj mase – edhe disa djathtistë u alarmuan prej faktit se shpallja nga ana e Trump-it vendos një precedent të rrezikshëm: çka nëse një president i ardhshëm i majtë e demokrat do të mund të shpallte një gjendje të jashtëzakonshme fjala vjen për ngrohjen globale?

Unë po them pikërisht këtë, që një president majtist në të ardhmen do të duhet të bëntë diçka të tillë, sidomos meqenëse ngrohja globale nuk është thjesht një urgjencë kombëtare. E shpallur apo jo, ne JEMI në një gjendje të jashtëzakonshme.

Dhe kjo na sjell sërish te ngërçi i vazhdueshëm me Brexit-in. Bllokimi i sëmurë i vendimmarrjes së qartë politike në Mbretërinë e Bashkuar, dhe çarja që i pret të dyja partitë tradicionalisht dominante, qartësisht dëshmon se të dyja anët janë më të këqijat. Asnjëra prej tyre nuk duket se ka ndonjë vizion politik koherent, në fakt ato të dyja përziejnë oportunizmin me shtrembërime ideologjike.

Brexiteer-ët janë «më të këqij» për shkak të thelbit populist-nacionalist të arsyetimit të tyre, anti-brexiteer-ët janë «më të këqij» sepse nuk adresojnë me të vërtetë atë çka është thellësisht gabim në mënyrat se si funksion BE-ja sot.

Zgjedhja që i ofrohet pra britanikëve në fund thjesht riprodhon konfliktin global mes establishmentit liberal dhe reaksionit populist ndaj tij.

Të dyja anët dështojnë të adresojnë synimin e vërtetë: si të ndërtohet një Evropë e re, e cila do të mirëmbante atë pjesë të trashëgimisë evropiane për të cilën ia vlen të luftohet. Në vend të kësaj, ata e tradhtojnë këtë trashëgimi, njëra palë duke e shtyrë Evropën prapa, drejt politikës së shteteve-kombe, pala tjetër duke e transformuar Evropën në një mbretëri ekspertësh teknokratë. Këto janë dy anë të së njëjtës katastrofë.

Përktheu: Arbër Zaimi