analizë
Ramadoksi, apo e hëna e përditshme

Ramadoksi, apo e hëna e përditshme

Arbër Zaimi - 11 mars 2019 - 21:21

E hënë, 11 mars 2019. Ditë e ftohtë në Tiranë, gati si për shi. Kryetari i bashkisë njofton se do të shtyhet festimi “Ditës së Verës”, njëra prej datave që i është shtuar kalendarit të konsumit e të marketingut, që prej pushtimit të jetës së qytetit nga qendrat e mëdha tregtare. Meqenëse ditë të tilla shërbejnë që qendra tregtare të dalë në rrugë, me kitsch-in e reklamave të saj farfuritëse, me uljet e çmimeve që nuk ndalen kurrë e me fushatat e saj që objektifikojnë gjithçka njerëzore – atëherë është më se e arsyeshme që dita të jetë me diell. Po të zotëronim teknologjinë e përparuar si Kina, mbase do t´i largonim retë. Por nuk e kemi, ndaj le të shtyhet “Dita e Verës”, e le të mbahet të dielën. Edhe ashtu, kuptimi religjioz kalendarik i kësaj dite, i lidhur me festa etnike, është harruar e vrarë qëmoti. Në Tiranën e sotme nuk ka më etni, as komunitet kulturor, sepse nuk ka vend për sakralitete komunale. Gjithçka është e përdhosshme, sepse vetëm ashtu është e shitshme, e shkatërrueshme, e betonueshme – siç e lyp koha. Ndërsa shpirtërorja objektifikohet në çdo përbërës, për t´u vënë në treg, materialja klonohet, falsifikohet, sulmohet, e përfundimisht prishet, për t´u ndërtuar sërish, edhe më e vjetër, edhe më e bukur. All that is solid, melts into air.

Të tilla janë lajmet. Psh. marrim vesh se në Gjirokastër është hequr sokaku me mozaikë, i bërë nga gurgdhendësit në vitet ´60-70. Do ta bëjnë një edhe më të bukur, edhe më të vjetër. Sigurisht, arsyeja nuk është dëshira për të bërë projekte “me vizibilitet” në një vit elektoral. As nevoja për të ushqyer me para bizneset e ndërtimit e zyrat e projektimit. Arsyeja e vetme ishte se sokaku nuk ishte krejt i lëmuar. Kishte gunga tek-tuk.

Para pak ditësh isha në një vend deri diku të vizituar nga turistët, e deri diku të njohur për trashëgiminë kulturore, në Athinë, mirëpo kurrkund nuk e pashë atë sokakun e lëmuar që mëtohet nga qeveritarët tanë rindërtues. Njerëzit, qytetarë e turistë, bashkëjetonin me gungat historike, dhe paratë i vinin në funksion të restaurimit të asaj që është e domosdoshme të restaurohet. Ama jo duke zhveshur gjithë sokakun prej kalldrëmit, për të rregulluar pesë-gjashtë gunga...

A nuk mund të përdoreshin këto para p.sh. për të rindërtuar shtëpitë e moçme që janë rrëzuar nga moskujdesi, apo për të forcuar ato syresh që mezi mbahen në këmbë? Se sokaku mirë ishte, kemi ecur aty edhe ne shqiptarët anash turistëve tanë të shenjtë, dhe nuk na pati lënë përshtypje aq të këqija.

Uria e ndërtuesve nuk ngopet me një tender për rishtrim kalldrëmi në Gjirokastër. Këtë më së miri e dinë banorët e Tiranës. Jo se janë të mençur, po se ua ka thënë kryetari i tyre, Erion Veliaj, kur ka shpalosur në formë aforizme lindore dijen e tij: “Tokën e kemi të kufizuar, kurse qiellin jo”. Also sprach lali Eri. Nietzsche-ja librin e tij (Zarathustrën) e nëntitullonte “Një libër për të gjithë e për asnjë’. Tamam si principi qeverisës i këtij vendi, për të gjithë ndërtuesit, e për asnjë qytetar.

Çka do të thotë “toka e kufizuar, e qielli i pakufishëm”, do të merrem më sistematikisht në një shkrim tjetër. Tash për tash mjaftohemi të shpjegojmë atë që e dimë të gjithë: do të thotë ndërtim kullash të larta, në dendësi sa më të madhe. Përqendrim i popullsisë në një territor sa më të vogël, ku mungon infrastruktura minimale e nevojshme për ta përballuar gjithë atë dendësi. Pastaj do të thotë mbingarkesë në shkolla, pamundësi e ambulancës dhe zjarrfikëses për të ardhur në kohë, mungesë e terreneve sportive dhe e gjelbërimit, trafik i rënduar, ndotje, zhurmë. Por më shumë konsum, më shumë fitim, më pak përkujdesje për standardet shoqërore e urbanistike. Por hej, eja mbille dhe ti një pemë. Sa herë dalin lajme për kullat e larta, duhet të gjejmë ndonjë figurë publike që del e mbjell pemë me kryebashkiakun.

E nëse dikush del të kundërshtojë principin e betonit për arsye ambientaliste apo për arsye të dëshirës për të ruajtur një peizazh urban me domethënie, si te parku apo te teatri, atëherë merren masa. I turren policë e opinionistë të pavarur, një palë për t´i trembur, pala tjetër për t´i etiketuar. Se kush e kundërshton betonin nuk mund të mos jetë berishist, komunist, anarkist, injorant, kadri. E kur rezistenca nuk vjen nga bindjet, por nga situata ekzistenciale, siç ndodh psh. me banorët e periferisë të cilëve projekti i “Unazës së Re” do t´ua shkatërrojë shtëpitë, ata etiketohen si “uzurpatorë” që jetojnë në prona të palegalizuara. Asnjë hap nuk ndërmerret që të sqarohet se pse dhjetëra-mijëra të tjerëve u janë legalizuar banesat, por pikërisht këtyre jo. E pastaj, sigurisht që këta “uzurpatorë” janë shpellarë, berishistë etj. Zbulohet se projekti i “Unazës së Re” mbante brenda vetes mashtrim e një aferë me potencial të lartë korruptiv, gjë që mund të shpjegonte edhe çmimin e stërmadh të asfaltit në atë projekt. Thuhet se edhe një ministër u bë kurban pas zbulimit të kësaj afere. Mirëpo banorët, shtëpitë e të cilave do t´i prishte asfalti më i shtrenjtë në Ballkan, vijojnë të mbeten «uzurpatorë». Mjerë ti nëse i kundërvihesh bizneseve të mëdha të ndërtimit. E gjithë vëmendja për ju!

Kur banorët protestuan, u vunë përballë policë të pambrojtur. E një prej fishekzjarreve a tymueseve të përdorura nga protestuesit, i ra një policeje të re, e cila fatkeqësisht humbi gishtin duke u përpjekur ta largojë. I gjithë incidenti u përdor për të heroizuar policen, e cila sakrifikoi gishtin për mirëmbajtjen e rendit, kundër shpellarëve uzurpatorë që bënin sikur protestonin për banesat e tyre, por në fakt protestonin vetëm për pushtetin e opozitës... Një vajzë e një familjeje të thjeshtë, një police e re, viktimë, heroinë. Një turmë e demonizuar. E ku ka më mirë, për ata që nuk dëshirojnë të flitet e të dihet e vërteta. Pse nuk përfitojnë nga legalizimi edhe këta si të tjerët? Pse duhet të jetë aq i gjerë asfalti? Pse duhet të jetë më i shtrenjtë se kudo në botë asfalti? Pse fitohen këto projekte kaq të shtrenjta nga kompani ku përgjegjës e drejtues është një djalosh mustaqepadirsur, që s´di as vetë ç´po bën? A mjafton largimi i ministrit për ta mbyllur këtë çështje? Pse policia del në protesta të tilla e pambrojtur, mos ndoshta pikërisht që të ndodhin lëndime të tilla e pastaj të demonizohen protestuesit? Por pyetje të tilla nuk u bënë, sepse të gjithë u solidarizuam me vajzën police. Si të mos solidarizoheshe me të. E keqpaguar, e keqpajisur si police, tashmë e përballur dhe me sfida shëndetësore. Dhe e përdorur për të shtyrë përpara një koncept politik, pa e marrë asnjëherë mendimin e saj për këtë gjë.

Por sot, e hënë 11 mars 2019, një tjetër police del në lajme. Pa uniformë kësaj radhe, ajo është duke protestuar. Kundër prishjes së shtëpisë së saj. Përmbarimi privat ka ardhur të nxjerrë nga një shtëpi disa familje që banojnë aty, sepse pronari që paska marrë nga gjykata të drejtën e pronës mbi atë shtëpi, dëshiron të ndërtojë një ndërtesë të lartë.

Përveç polices protestojnë edhe banorë të tjerë. Një grua shtatzënë. Gra të tjera. Gjyshe. Fëmijë të vegjël. Edhe burra, por burrat rrinë brenda në shtëpi. S´guxojnë të dalin, se po të dalin pastaj protesta e tyre rrezikon të etiketohet menjëherë si protestë shpellarësh. Kanë filluar edhe hallexhinjtë ta kuptojnë se si korrektesa dhe «feminizmi i pushtetit» përdoren si armë kundër shtresave të ulëta.

Nëse me policen që humbi gishtin në mbrojtje të rendit u solidarizuan gjithë ministrat, zv.ministrat, deputetët e mazhorancës, dhe një pjesë e mirë e diplomatëve, drejtuesve të medias dhe shtresës së lartë e të mesme të lartë të këtij qyteti, kolegia e saj protestuese nuk e pati të njëjtin fat. Përkundrazi, ajo pohoi se kishte marrë kërcënimin se mund ta hiqnin nga puna. Natyrisht motër police. Sipas principit qeverisës policët janë bij e bija të familjeve të varfra që përdoren kundër të ngjashmëve të tyre. Kur ata bij e bija vendosin të dalin përkrah familjeve të tyre, ata nuk janë më policë. Ky është princip tërësisht i paanshëm.

Për raste të tilla, ushtrimin e dhunës shteti e ka deleguar te kompanitë private, që vetëquhen «përmbarim». Sipas shembullit anglez të kohës së Margaret Thatcher-it. Pse? Sepse hapen tregje të reja me këto polici private që mbrojnë e sulmojnë, ruajnë trupa e prona, por edhe “përmbarojnë”. Nga ana tjetër, duke qenë se përmbarimi gjithnjë bëhet kundër hallexhinjve e të varfërve, është më mirë ta bëjnë privatët, sepse po ta bënte policia e shtetit, do dukej sikur shteti i shërben të pasurve dhe do të mund të humbeshin vota. Të gjithë e dinë që shteti është i paanshëm në këtë përballjen mes të pasurve dhe të varfërve, apo jo?

Mirëpo, ja që qytetarët e thjeshtë, i dolën në krah familjeve që protestonin kundër përmbaruesve, duke pamundësuar kështu realizimin e “misionit të tyre fisnik”. Kështu që policia u detyrua të ndërhyjë. Pamjet jo edhe aq të këndshme të policëve që kapeshin me fëmijë 10-12 vjeçarë e me nëna shtatzëna, solli reagimin e menjëhershëm të ministrit të rendit. Në përputhje të plotë me kurimin e imazhit të tij si njeri i butë dhe sensitiv, që udhëheq një organ të butë e sensitiv, ai shkroi në tuiter (ku tjetër) se Policia vërtet që ka për detyrë të mbështesë përmbarimin për zbatimin e një vendimi gjyqësor, mirëpo kësaj radhe nuk ka mbërritur të jetë dinjitoze dhe efikase. Më pas, kryepolici i Shqipërisë pushoi nga puna kryepolicin e Tiranës, dhe sërish ministri tuitoi duke thënë se nuk mjafton që policia të ishte ligjërisht në rregull, por ajo duhet të jetë në lartësinë që kërkon ndjeshmëria e publikut. Me një fjalë, banorët duhen hequr prej shtëpisë ku jetojnë prej më shumë se njëzet vitesh, policia duhet ta mbështesë përmbarimin privat në rast se protestuesit e kundërshtojnë. Por e gjithë kjo duhet të ndodhë larg syve e veshëve të publikut, sidomos ajo pjesa ku kapen me fëmijë e gra shtatzëna. Megjithatë jo gjithçka shkoi keq. Psh. ajo pjesa ku disa policë lotojnë, ishte shumë mirë për imazhin e ministrisë. Mbase duhet të kultivohet e të profesionalizohet ky gjest policor në të ardhmen, si pjesë e planit për ruajtjen e imazhit të policisë së shtetit.

Kryebashkiaku po ashtu u trondit nga fakti se shteti kësaj radhe nuk arriti ta portretizojë vetveten si pionier i anës së drejtë të historisë dhe protestuesit si kafshë të prapambetura. Prandaj u detyrua të shkëputet për pak nga stacioni metereologjik dhe nga barometrat me të cilët po mat mundësinë e fillimit të shkulmeve të shiut, dhe të tuitojë se institucioni që ai kryeson nuk mban asnjë përgjegjësi, dhe se ai mund t´i ndihmojë këta që jetojnë pa leje (mund të thoshte uzurpatorë, po mbase është rëndë t´u thuhet kështu fëmijëve e grave protestuese), pra të ndihmojë këta që jetojnë pa leje të zhvendosen nga qendra e qytetit tek ca periferi anonime ku janë ndërtuar getot e të varfërve, të quajtura banesa sociale.

Nuk mund të mos tuitonte dhe kryeministri. Meqë ministri i rendit luajti policin zemërmirë, kryebashkiaku luajti policin leshko, nuk mundet që kryeministri të mos luante policin e ashpër. Por gjithsesi të drejtë. Si një baba tradicional. Ai vuri re se gjendja ishte e trishtueshme (duhej sqaruar kjo, se mund të ketë ndjekës në tuiterin e Ramës që mendojnë se njerëzit protestojnë kundër forcave të rendit për shkak të gjendjes së lumturisë të lartë jetësore që kanë, e jo për shkak të trishtimit). Pastaj tha se qeveria nuk mund të ndërhyjë në këtë çështje, pasi është vendim gjykate dhe se përmbarimi e policia kanë detyrë të ndihmojnë në ekzekutimin e këtij vendimi.

Kështu kryeministri u vendos në anën e ligjit e të rendit, në anën e gjykatës. Ai vetë nuk lë gjë pa thënë kundër gjyqtarëve e gjykatave, sa herë që i intereson. Retorikën ofenduese ndaj gjyqësorit e përdor për të çuar përpara reforma e projekte politike, apo edhe për të sprapsur opozitën. Mirëpo, kur vjen puna te konflikti mes pronarit dhe banorëve, sigurisht që gjykata bëhet me pronarin, dhe shteti, siç thamë i paanshëm në konfliktin mes të kamurve e skamnorëve, bëhet me gjykatën. Gjithnjë duke angazhuar media e marketerë që të bëjnë të mundur që skamnorët të duken sa më fajtorë.

Rama pra bën të qartë që e drejta e pronës, e drejta e pronarit, është e shenjtë për të. Socialist i vërtetë. As që vjen në diskutim e drejta për banim, e cila njihet edhe si e drejtë njerëzore nga kartat prestigjioze të nënshkruara edhe nga Shqipëria. Asgjë mbi të drejtën e pronës. Dhe vendimi i gjykatës është ligj. Apo jo?

Po të hënën, më 11 mars 2019, vijnë lajme nga një zonë jashtë gjeografisë së zakonshme politike, pra nga jashtë unazës së Tiranës. Në zonën naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë, në një vend që mban emrin ekzotik Marinzë, një 50 vjeçar ka hipur në një oxhak të lartë të industrive të dikurshme, dhe kërcënon me vetëvrasje. Pse? Sepse kompania private Bankers, e cila ka marrë në shfrytëzim një pjesë të mirë të tokave naftëmbajtëse, nuk ia ka dhënë paratë që i detyrohej atij si pronar i tokës. Aty kishte polici për të penguar vetëvrasjen, mirëpo polici te Bankersi për të detyruar zbatimin e kontratës, nuk kishte. E pra, shteti është i paanshëm, ai është për ligjshmërinë. Të varfërit në Tiranë nuk kanë letra, prandaj duhet të zbythen. Edhe i varfri në Marinzë ka letra, prandaj duhet të zbythet. Pronari në Tiranë i ka letrat në favorin e vet, ai në Marinzë (Bankersi) i ka kundër vetes, megjithatë janë të dy pronarë. Prandaj kanë të drejtë. Shteti është i paanshëm, si në nivelin qëndror ashtu edhe në atë lokal, si i veshur civil, ashtu edhe i veshur me fuqi policore. Lum ne.

Në të njëjtën ditë, pra të hënën, më 11 mars 2019, kryeministri, ministri i rendit dhe dy-tre dyzina miliarderësh ishin mbledhur dhe po vrisnin mendjen se si t´ia bënin me një hall të madh që e ka zënë vendin. Arbitrat e futbollit po bojkotojnë kampionatin, dhe kjo ka sjellë ndërprerje të futbollit në vend. Kjo i ka mërzitur shumë – jo lojtarët apo tifozët – se ata as që i llogarit kush, por pronarët dhe drejtuesit e klubeve. Sigurisht ata nuk i hedhin milionat e tyre në futboll për të fituar edhe më shumë miliona, ata thjesht shpenzojnë për pasion e për bamirësi, dhe dihet se pasioni për bamirësi është urgjent e nuk pret dot, prandaj u desh kjo mbledhje në një hotel luksoz.

Bojkoti i arbitrave erdhi për shkak se në njërën nga ndeshjet, drejtuesit e njërit nga klubet e rrahën paq një arbitër në fushën e lojës. Një njeri normal do të mendonte se zgjidhja në këtë rast do të ishte dënimi e ndëshkimi i drejtuesve të klubeve. Jo vetëm që ata shpesh janë fizikisht të dhunshëm ndaj arbitrave e ndaj lojtarëve, ndonjëherë edhe ndaj tifozëve, stjuardëve e policëve. Por, është më se e zakonshme arroganca me të cilën ata trajtojnë gjithë komunitetin sportiv, trajnerët, lojtarët e sportdashësit. Jo rrallë ata nuk i paguajnë, apo i paguajnë me vonesë lojtarët e trajnerët, madje ka raste që edhe nuk i paguajnë fare, paçka se të punësuarit mund ta fitojnë çështjen edhe në gjykatë (është edhe ky si ai rasti kur vendimi i gjykatës nuk mbështetet nga përmbarimi, policia dhe shteti i paanshëm). Përveç kësaj, këta njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me sportin, i imponohen trajnerëve e lojtarëve për çështje tërësisht teknike e profesionale, dhe ua ndërpresin kontratat nëse nuk u binden. Dhe, jo rrallë, i përziejnë klubet ku sundojnë me afera shitblerjesh të rezultateve e të basteve.

Mirëpo, kryeministri, ministri i rendit dhe miliarderët e federatës dhe të klubeve nuk dolën tek kjo zgjidhje. Ata sollën propozimin tjetër: të disiplinohen tifozët. Kryeministri propozoi burgosje të tifozëve që shkelin rregullat, presidentët e klubeve folën me përbuzje për tifozët që i quajtën “palo tifozë” dhe ministri i rendit kërkoi regjistrimin në databazë policore të të gjithë tifozëve. Se si zgjidhet eksesi i dhunës e i arrogancës së presidentëve e drejtuesve milionerë duke ndëshkuar tifozët, një zot e di.

Sigurisht, për zgjidhjen që propozuan, ata duhet të referoheshin diku. Dhe u referuan te reformat policore të ndërmarra në Angli në kohën e Maggie Thatcher-it (e cila po përmendet për herë të dytë në këtë shkrim, jo edhe aq rastësisht). Zonja e hekurt, nëna e neoliberalizmit, e përdori propagandën kundër huliganizmit për të përforcuar paragjykimin dhe policimin e shtresave të ulëta të shoqërisë, gjë që ndihmoi drejtpërdrejt në shtypjen dhe dobësimin e demonstratave të mëdha me të cilat ajo u përball. Politika e saj ishte kundër shtetit të mirëqenies, dhe për uljen e taksave e rritjen e përfitimit nga bizneset e mëdha e nga milionerët. Politikat e tilla neoliberale e ulën në gjunjë perëndimin dhe botën, përfshi edhe Anglinë e Britaninë, mirëpo edhe pse e kanë humbur prestigjin akademik, ato ende përdoren si dogmë udhëheqëse nga politikanë servilë të shtresës së pasur, siç është Edi Rama. Madje, për të mos e lënë abuziv krahasimin, Rama u propozoi edhe heqje të tatimit mbi fitim investitorëve në sport. Pra, njerëzit e biznesmenëve rrahën arbitrin, tifozët shahen dhe ndëshkohen, dhe biznesmenëve u hiqet tatimi mbi fitim. Perfekt.

Shyqyr që të paktën kemi lirinë e fjalës dhe median e lirë, e cila na mundëson kritikën objektive edhe ndaj neoliberalizmit, e edhe ndaj shtetit që merr anë. Paçka se, në pikë të mëngjesit të të hënës 11 mars 2019, një foto qarkulloi në rrjete sociale, ku tre figura drejtuese të dy mediave të mëdha të Tiranës dhe një medie të madhe të Prishtinës, në shoqërinë e njeriut më të pasur në Shqipëri (Zamir a Samir Manes), kishin shkuar me pushime në Panama. Bermudat e tyre ngjyrëndezura dhe borsalinot e tyre të bardha ngjanin aq të lezetshme, si të dala nga filmat e Coppolas. Sigurisht, këto figura markante mediatike, kanë shkuar në Panama të shqetësuar për faktin se media shqiptare nuk ka reaguar kurrë për parajsat fiskale ku i çojnë paratë biznesmenët e mëdhenj, pushtetarët dhe korporatat. Ata nuk duan të taksohen në Shqipëri, edhe pse fitimin e nxjerrin këtu. Eh media e lirë, media e lirë.

 

Sa për opozitën, në Tiranë këtë të hënë qarkullojnë fjalë se djali i Ramës e vajza e Berishës jetojnë në të njëjtin kat të fundit në një residence luksoze të projektuar nga një starkitekt ndërkombëtar. Po ashtu thonë se shumë nga të tjerët, ashtu si dhe kryebashkiaku Erion, jetojnë jashtë qytetit, në lagje artificiale të ndërtuara nga Zamiri e nga zamirët e tjerë. Ndërsa Rama, vilën ekstravagante në Surrel e ka ndërtuar me kursimet që ka mbledhur në kurbet. Por këto janë vetëm thashetheme.