analizë
Investimet që duhen ndalur

Investimet që duhen ndalur

Kreshnik Ahmeti - 19 mars 2019 - 14:03

Sistemi kapitalist nuk mund të mbijetojë pa rritje të vazhdueshme, e sipas disa teoristëve, për të mbijetuar si i tillë, forma kapitaliste e marrëdhënieve të prodhimit duhet të ketë minimalisht 3% rritje kumulative nga viti në vit. Kjo është njëra ndër kontradiktat primare të këtij sistemi ekonomik (por, për këtë temë ndonjë herë tjetër). Rritja sigurohet, mes shumë formave e mënyrave të tjera, edhe nëpërmjet realizimit të investimeve, qofshin ato publike apo private. E që nga fundi i viteve 1970-ë, në vendet e zhvilluara të perëndimit, neoliberalizmi profetizonte se investimet publike duhet të uleshin dhe “barrën” e tyre ta merrte sektori privat, në mënyrë që ekonomia, e bashkë me të edhe mirëqenia, të rriteshin. Kjo profeci rezultoi e gabuar.

Me gjithë të dhënat empirike e historitë e krizave ekonomike të fundviteve 1980-ë, të fillimit të viteve 2000, krizën e fundit të 2008-ës, e krizën e cila po ndërtohet aktualisht, shteti i Kosovës përqafoi sistemin e kapitalizmit neoliberal me synimin e luftimit të korrupsionit e rritjes ekonomike. Raportin e korrupsionit me sistemin neoliberal tashmë e kemi trajtuar [1]. Por, neoliberalizmi nuk u tregua i suksesshëm as në premtimin e dytë – rritjen ekonomike. Në Kosovë synimi ishte që të gjitha asetet publike të privatizoheshin, ato fonde të investoheshin nga sektori publik, e privatizuesit e huaj të investonin nëpërmjet sektorit privat. Në këtë mënyrë shteti i Kosovës zhbëri veten përbrenda ekonomisë së vet dhe këtë e bëri për një çmim konkret, rreth 700 milion euro. Ekonomia mbeti pa potencial të punësimit, qytetarët pa mirëqenie, e mjedisi i pashëndoshë.

Investimet shiheshin si zgjidhja përfundimtare e problemit tonë ekonomik, por ato u treguan vetëm si shumëfishuese e problemeve tona. Për këtë po i shqyrtojmë dy linja të investimeve: investimet publike dhe investimet e huaja direkte.

Për shkak të ndërtimit të një ekonomie konsumuese, shteti ynë, në mungesë të gjenerimit të të hyrave të mjaftueshme dhe në nevojë të mirëmbajtjës së konsumit, qe disa vite ka filluar të rrisë borxhin publik, i cili ka kaluar shifrën e 1 miliardë eurove. Në sistemin kapitalist është i pamundur aktiviteti ekonomik pa shfrytëzuar borxhin si metodë për sigurimin e mjeteve financiare. Por, parimi bazë është që kthimi nga investimi të jetë më i lartë sesa principali e kamata që do të paguhet nga gjeneratat e ardhshme të vendit. Përndryshe, pa kthim më të lartë vendin e presin kriza financiare e shtrëngime buxhetore në të ardhmen.  

Kosova është në rrugë të duhur për ta thelluar edhe më shumë krizën e saj ekonomike. Në një situatë ku ka mungesë të madhe të prodhimit, borxhet e siguruara janë shpenzuar për investime infrastrukturore në autostrada: rreth 1.5 miliardë euro në autostradën Prishtinë – Morinë; rreth 1 miliardë euro në autostradën Prishtinë – Shkup; dhe mbi 1 miliardë euro pritet të kushtojë autostrada e Dukagjinit.

Realizimin e këtyre autostradave e kanë bërë e pritet ta bëjë konsorciumi amerikano-turk, Bechtel-Enka. Pritjet ishin që këto investime të ndikojnë në rritjen e punësimit, ekonomisë e të mirëqenies së qytetarëve. Por, rezultatet janë të kundërta.

Puna për realizimin e këtyre investimeve filloi me bujë të madhe, por efektet pozitive ekonomike e sociale ishin të papërfillshme. Së pari, ideja ishte që investimet të ktheheshin në vendin tonë nëpërmjet efektit “trickle down”, me ç’rast pagesat ndaj Bechtelit, shpërndahen edhe tek punësimi në Bechtel-Enka, tek angazhimi i nënkontraktorëve vendor të cilët do t’i shtonin kapacitetet njerëzore e teknike, e në këtë formë tek rritja ekonomike. Por, bizneset e vendit përfituan një pjesë shumë të vogël të këtij investimi publik, e pjesa dërrmuese mbeti si fitim i pastër i konsorciumit ndërkombëtar. Kompanitë tona nuk arritën që të shtonin kapacitetet e shumë investime paraprake të tyre, me shpresë tek angazhimi nga Bechtel-Enka, shkuan huq dhe shumë kompani përfunduan me humbje.

Punëtorët të cilët arritën të punësoheshin për realizimin e këtij investimi, nuk arritën mirëqenien e premtuar. Pagat e tyre janë të ulëta e orari i punës i tejzgjatur. Punëtorët detyrohen që të punojnë, pa i siguruar standardet teknike e të sigurisë, deri në 10-12 orë në ditë. Brenda dy javëve ata pushim mund ta kenë vetëm një të dielë. Në këto kushte të punës, lëndimet në punishtet e Bechtel-Enka-së janë të rregullta. Pak prej tyre lajmërohen publikisht, e punëtorëve të lënduar, rastet e të cilave nuk bëhen publike, nuk u ofrohet as ndihmë e duhur mjekësore nga konsorciumi në vend të ngjarjes e as në trajtimin e mëtutjeshëm.

Këto projekte infrastrukturore kanë shkaktuar edhe dëme të mëdha në mjedisin e vendit. Investimet kaq të mëdha në infrastrukturë rrugore, kanë rritur kërkesën për zhavorr, gjë që ka rezultuar me rritje të jashtëzakonshme të kompanive të gurëthyesve në Kosovë, disa të regjistruara e disa të paregjistruara. Edhe në këtë fazë të realizimit të projektit, Bechtel-Enka u favorizua nga regjimi, duke ia mundësuar sigurimin e zhavorit nga punishtet e veta jashtëligjshëm. Qeveritë e Kosovës nuk kanë bërë kurrfarë studimi se si do të sigurohet zhavorri në mënyrë të qëndrueshme e pa e dëmtuar mjedisin në këtë masë. Aktulisht në Kosovë llogariten rreth 200 kompani gurëthyese të cilat po shkatërrojnë mjedisin e po e rrezikojnë jetën e banorëve. Gurëthyesit sot po rrafshojnë Kosovën, duke “ngrënë” kodrat e bjeshkët gjithandej nëpër vend, pa kurrfar plani për mbrojtje. Gurëthyesit kanë shkaktuar dëme të mëdha në lumenjtë e vendit e gjithashtu janë edhe një ndër faktorët krysor të shpyllëzimit të Kosovës. Përveç që dëmet në mjedis ndikojnë drejtëpërdrejtë në jetën e banorëve të Kosovës, gurëthyesit janë shkaktarë të shkatërrimit të jetës së banorëve të cilët gjenden afër tyre. Shumë nga ta janë shpërngulur, pasiqë shtëpitë e tyre kanë filluar të çahen e të rrezikohen seriozisht, i ka mbuluar pluhuri e nuk mund të bëjnë jetë të qetë nga zhurmat e dridhjet që shkaktojnë këta gurëthyes. Pushtetet e vendit nuk kishin interes për ndaljen e tyre, sepse ishin vet të lidhura me to (edhe një fakt ky i lidhjes së pashmangshme të neoliberalizmit me krimin).

Në anën tjetër, kemi investimet e huaja direkte (IHD), mjeti magjibërës për zhvillimin ekonomik të vendit, sipas regjimit të pasluftës në Kosovë. Për shkak të fuqisë punëtore të pakualifikuar, krimit të organizuar e politikave të gabuara ekonomike, IHD-të në vendin tonë kanë rënë nga viti në vit. Por, ajo që vërehet në vite të ndryshme, pa marrë parasysh nivelin e përgjithshëm të investimeve, është pesha e madhe e investimeve në ndërtim dhe patundshmëri, të cilat janë investimet më të mëdha në kuadër të IHD-ve.

Jo rastësisht pra, sektori i ndërtimit është një ndër sektorët kryesor të ekonomisë sonë. Ky sektor përbën 10.5% të qarkullimit të përgjithshëm financiar të kompanive private dhe 13% të punësimit të përgjithshëm në vendin tonë. Por, ky punësim nuk është se ngritë mirëqenien e përgjithshme të vendit. Pabarazia në sektorin e ndërtimit është e paimagjinueshme, ku nga punishtja e njëjtë kompania arrinë qindra mijëra euro fitim, përderisa punëtori gjenë shfrytëzimin, lëndimin e vdekjen.

Në Kosovë, nga 357,095 persona të punësuar, 70% janë me kontrata të përkohshme dhe nuk e dinë nëse do ta kenë atë vend të punës në muajin që vjen. Në sektorin e ndërtimit kjo situatë është shumë e theksuar, madje aty pjesa dërrmuese e punëtorëve të pakualifikuar punojnë pa kontrata. Punishtet e ndërtimtarisë janë jashtë çdo standardi teknik e të sigurisë. Ato nuk kanë rrethoja të sigurisë; punëtorët nuk i kanë paisjet e duhura; punëtorët nuk lidhen përderisa punojnë në lartësi të mëdha; punëtorët punojnë edhe në temperatura shumë të larta apo shumë të ulëta; nuk ka inxhinier të punishtes që të kujdeset për standardet teknike e të sigurisë; nuk ka ambulantë mobile në vendin e punishtes, etj. Si rezultat i shfrytëzimit të tillë, vetëm në vitin 2018 në Kosovë kanë vdekur 24 punëtorë në vendin e punës dhe 104 të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda. Dënimet që u shqiptuan për kompanitë në këto raste silleshin prej 2000 – 5000 euro për punëtorë të vdekur. Askush nuk u gjykua e nuk u burgos për këto raste, familjet e punëtorëve mbeten pa të hyra e kompanitë përgjegjëse për këto vdekje vazhduan me praktikat e njëjta.

Kjo politikë e ndërtimeve ka shkatërruar zonat urbane e rurale të Kosovës. Siç thekson profesori David Harvey, në punimin e tij “From Managerialism to Entrepreneurialism: The Transformation in Urban Governance in Late Capitalism” [2], qeverisjet lokale kanë kaluar nga një politikë e menaxhimit në atë të ndërmarrësisë, si rezultat i uljes së financimit si nga nivelet qendrore, poashtu edhe nga të hyrat vetanake. Me përqafimin e sistemit neoliberal, situatë e njëjtë është krijuar edhe në Kosovë, me ç’rast Komunat përgjithësisth bazohen në të hyrat e tyre vetanake nga lejet e ndërtimeve dhe nga taksa e shfrytëzimit të hapësirave publike. Për këtë arsye Komunat kanë qenë nxitëse të bashkimit të parcelave dhe dhënies së lejeve të ndërtimit për ato hapësira, në mënyrë që buxhetet e tyre të mbushen. Kjo ka ulur në mënyrë drastike hapësirat e gjelbërta në zonat urbane, hapësirat e përbashkëta për fëmijët, ndriçimin natyral për shtëpitë, ajrosjen e lagjeve të ndryshme dhe ka ngarkuar jashtë mase shërbimet publike si sistemin e ujësjellësit dhe kanalizimit, rrugët për qarkullimin e veturave, hapësirat e parkingut, sistemin e mbledhjes së mbeturinave, etj. Gjithashtu, një politikë e tillë e ndërtimit dhe mbushjes së buxhetit nëpërmjet ndërtimit, ka ulur për 50% hapësirat e tokave të punueshme dhe ka kontribuar në shpyllëzimin masiv të zonave rurale e malore.

Tërë këto ndërtime nuk kanë ndikuar aspak në uljen e numrit të të pastrehëve në Kosovë. Kjo për shkak që politikat e ndërtimit janë varur plotësisht nga kapitali privat, i cili ka arritur të drejtojë edhe punët e brendshme të pushtetit lokal. Politikat e vetme të nivelit qendror dhe lokal kanë qenë ndërtimi i disa njësive banesore për rastet sociale, të cilat kanë qenë të izoluara dhe të cilat kanë të gjitha predispozitat për t’u shndërruar në geto. Por, mungesa e politikave publike për ndërtimin e njësive banesore me kosto të përballueshme, ka krijuar situata ku p.sh. në Prishtinë janë rreth 2000 të pastrehë dhe në anën tjetër kemi rreth 15,000 njësi banesore të pashfrytëzuara (një pjesë e madhe e të cilave vlerësohet të jenë të pashitura). Përgjithësisht, në vendin tonë ka mbizotëruar lidhja e kapitalit privat, bankave komerciale dhe pushtetit lokal, gjë që i ka hapur rrugë ndërtimeve të egra e pa plan, ku ndërtesat më shumë kanë shërbyer si vlerë e këmbimit e spekulimit, sesa si vlerë shfrytëzimi.

Rritja e mëtutjeshme e logjikës së tillë të investimeve vetëm sa do t’i thellojë edhe më shumë problemet ekonomike, sociale e mjedisore të vendit tonë. Një shoqëri e cila ka nivele të ulta të prodhimit dhe në anën tjetër bën investime të shumta në autostrada, përfitimet e këtyre investimeve ua siguron ekonomive të rajonit të cilat kanë hegjemoni tregtare, e në anën tjetër koston ekonomike, sociale e mjedisore e mbanë për vete. Kështu po ndodhë me Kosovën, e cila po i ndërton këto autostrada duke u siguruar fitim kompanive të huaja; duke abuzuar me punëtorët vendor; duke shkatërruar mjedisin; e duke e rritur barrën financiare të gjeneratave të ardhshme të cilat do t’i paguajnë borxhet e siguruara në kohën tonë. Nga autostradat e Kosovës, Serbia e Maqedonia kanë siguruar dalje në det, zgjerim në tregje të huaja e rritje të eksporteve, përderisa Kosova ka siguruar “ngulfatjen” e prodhimit vendor e rritjen e deficitit tregtar. Njëjtë ndodhë edhe me investimet në ndërtim, të cilat po bëhen në shpinë të punëtorëve të pambrojtur, nga puna e të cilëve është krijuar një shtresë shumë e pasur e investitorëve, të cilët rrisin dhe e mirëmbajnë pabarazinë ekonomike e sociale në shoqërinë tonë.

Nga buxhetet e kaluara e buxheti aktual shtetëror dhe nga dokumentet e tjera të publikuar nga Qeveria e Kosovës, kuptojmë se ky trend i investimeve planifikohet të vazhdoj e të rritet në vitet në vijim. Por, Kosova nuk ka nevojë për investime të tilla. Në një shoqëri të drejtë e të barabartë këto raportet aktuale politiko-ekonomike do të duhej të përbyseshin. Rruga nëpër të cilën do të duhej të kalonte ekonomia jonë është rruga e zhvillimit të industrisë prodhuese, të harmonizuar me politika të mbrotjes së mjedisit; rritjes së punësimit, të harmonizuar me të drejta të punëtorëve; rritjes ekonomike të vendit, të harmonizuar me ulje të pabarazisë në të hyra dhe në pasuri. E tërë kjo e ndihmuar nga një sektor financiar me kapital të konsiderueshem publik, drejt një politike tregtare që ndërtohet mbi interesat ekonomike të vendit. E tërë kjo është e mundur vetëm me ndryshim të mendësisë mbi raportin e shtetit dhe ekonomisë, të materializuar me ndryshime rrënjësore të strukturës sonë ekonomike.


 

[1] https://www.koha.net/veshtrime/145477/privatizimit-i-duhet-kriza/?fbclid=IwAR09J_ClJUx4KrztZvZnvjrTPMX0oPO4B5DGVG7VQmQbrG0YgULX7CO_Wqg

[2]  http://urpa3301.weebly.com/uploads/4/0/9/2/4092174/04b.harvey_1973_.pdf