analizë
Pesë vërejtje mbi domethënien bashkëkohore të Mesjetës

Pesë vërejtje mbi domethënien bashkëkohore të Mesjetës

Alain Badiou - 18 gusht 2019 - 20:46

1.  Kur flasim për Mesjetë duhet të mbajmë parasysh se nuk kemi të bëjmë kurrsesi me një periudhë topitjeje intelektuale, diku mes botës së lashtë dhe asaj moderne që zë fill me Rilindjen. Një përshtypje e tillë, e cila merr trajtë përgjatë Iluminizmit dhe mbahet gjallë përgjatë paradigmës shkencore të shekullit XIX, buron nga takimi mes ideologjisë republikane dhe përpjekjeve antiklerikale. Në të vërtetë, Mesjeta - veçanërisht që nga shekulli XI e më tutje - është një hark kohor gjatë të cilit hasim një riorganizim konceptual parësor. Është periudhë në të cilën zbulohen nocione që e kanë zanafillën në botën e lashtë, si dhe përvetësohen mandej brenda caqeve të një botëkuptimi krejt të ndryshëm, qendërsynimi i të cilit shkon kah feve monoteiste. Thënë kjo, duhet të kuptojmë se ky qendërsynim gatit kushtet për një proces modernizimi, në thelb të të cilit është përpunimi i vazhdueshëm i një vizioni të ri të Subjektit. Që do të thotë se rruga drejt Descartes-it nis të hapet që në Mesjetë, duke mëtuar mbërritjen në një sintezë mes racionalizmi grek, si dhe prirjes së Krishtërimit që, pas Shën Palit, qendërsynon bindjen e përveçme të njeriut. Kësodore, në kulmin e Mesjetës, filozofi has në dy sipërmarrje intelektuale të cilat vijnë duke e zgjeruar fushë veprimet përkatëse: një rikthim të tekstit dhe një shqyrtim të ri të tij.

2. Sipërmarrja e parë, që ka të bëjë me përcjelljen, i ngjan një “zbulimi të madh” në botën e mendimit. Dihet tashmë se kjo përcjellje është kryer fillimisht nga dora e arabëve. Është dashur shumë punë, e cila është kryer në kushte aspak të lehta materiale. Ruajtja, kopjimi, përkthimi dhe përcjellja e teksteve – gjithë kjo veprimtari është në vetvete një peripeci që s’ka të krahasuar. Marrë nga ky këndvështrim, dijetarët mesjetarë ishin të vetëdijshëm se po rinisnin punën në pikën ku e kishin lënë të urtët e Aleksandrisë dhe Romës. Falë tyre ne zotërojmë sot një trashëgimi tekstuale të një rëndësie të paçmueshme, nga gjithë fushat e dijes, ku përfshihen poezia, teatri, historia, shkencat, filozofia. Është e qartë se, për sa i përket shqyrtimit të kësaj tërësie tekstuale, ata i dhanë rëndësi më së shumti asaj pjese që i shkonte më përshtat botëkuptimit të tyre, e që mbështetej mbi skeptrin e besimit. E megjithatë, ata ditën të mirëmbajnë edhe atë pjesë për të cilën nuk ishin ende gati që ta kuptonin: mes tyre, tekstet e ndërlikuar matematikorë të cilët, ende në shek. XVI – madje dhe atë XVII – Perëndimi me mund po i përvetësonte.

3.  Sipërmarrja e dytë ka të bëjë me një përpjekjeve të jashtëzakonshme hermeneutike,të papërsëritshme në Histori: përshtatja e një sasie shumë të ndërlikuar konceptesh shkencore dhe filozofike me natyre profane brenda caqeve të një Zbulese, e cila i përket një rendi krejt të ndryshëm. Në thelb, pranohet se racionaliti, si kategori e artikuluar dhe dytësore për nga rëndësia, mund të bashkëjetojë paqësisht me epërsinë e besimit. Në këtë kuptim, mund të themi se vepra e filozofëve mesjetarë, pavarësisht se e ndryshme për nga natyra, ia del të vihet në krahasim me prodhimet e të njëjtit lloj në periudhën klasike. Mendimtarët e kësaj të fundit, që zë fill prej Rilindjes, e përçmonin mendimin mesjetar, pasi për ta veprat e grekëve dhe të latinëve kapnin maja të paarritshme. Kur, në Francë, La Bruyére-i shkruante se «tout est dit, et l’on vient trop tard depuis sept mille ans qu’il y a des hommes et qu’ils pensent» [gjithçka është thënë tashmë, ndërsa ne jemi shtatëmijë vjet mendim njerëzor me vonesë], duket se e kishte fjalën për njëfarëlloj zanafille, e cila luante rolin e një shëmbëllesë të përçuar nga të lashtët. Edhe mendimtarët mesjetarë i adhuronin mjeshtrat e lashtësisë, por e kishin të pamundur t’i kthenin ata në shëmbëllesë të padiskutueshme. Zbulesa i detyroi ata që të merrnin parashtresa konceptuale të atyre mjeshtrave, t’i zhbënin dhe mandej t’ipërpunonin, me synimin që t’i përputhnin me këtë Zbulesë. Le të themi se, ndërsa klasikët i vunë qëllim vetes që të shkërbenin të lashtët, mendimtarët mesjetarë iu vunë punës për t’i përshtatur.

4.  Mesjeta është gjithashtu një periudhë në të cilën vjen duke u përcaktuar një marrëdhënie e re midis klasave të ngritura - të alfabetizuara - dhe masave popullore. E në fakt, ndryshe nga ç’ndodhte në botën e lashtë, këtu kemi një të dhënë shumë të rëndësishme që është e përbashkët për të dy përbërësit: besimin fetar dhe gjithçka që vërtitet përreth tij (duke iu bindur këtij ose duke iu kundërvënë). Si rrjedhojë, është e mundur që të ekzistojnë gjini të ndërmjetme mes koncepteve shkencore të hedhura në letër dhe ngrehinës së besëtytnive dhe praktikave popullore, prej nga lindin romancat e dashurisë dhe të aventurës, romanet në vargje, si dhe gjithë repertori i teatrit popullor (pasionet dhe farsat). Është e mundur që të krahasohet një përvojë e tillë me disa prirje bashkëkohore në drejtim të artit revolucionar. Gjithçka ka të bëjë me prodhimin e një sistemi formash dhe të një repertori situatash të cilat do të ishin, njëkohësisht, në lartësinë e kërkesave intelektuale që lyp marksizmi; si të tilla, ato i drejtohen një mase të gjerë ndjekësish, duke bartur dhe synime didaktike në këtë vazhdë. Ne e dimë se veprat madhështore të artit (Brecht-i, disa pjesë operistike revolucionare kineze, romanet e mëdhenj të letërsisë amerikano-latine etj.) janë rrjedhojë e këtij afrimiteti të qëllimshëm mes bindjesh të bashkëndara (siç mund të jetë një bindje politike) dhe pjesëmarrjes në një lëvizje artistike që ka lënë gjurmë në histori. Parë nga disa këndvështrime, një përpjekje e tillë ka më shumë të përbashkëta me botën mesjetare se atë atë klasike.

5.  Kësisoj, mund të flasim për një bashkëkohësi të Mesjetës. Në botën e kapitalizmit të vonë na duhet gjithashtu të parashtrojmë një rishqyrtim të kulturës “klasike”, si dhe të vendosim veten në kushtet e të qenit përballë një përfytyrimi kolektiv (të shprehur në film, televizion, muzikë etj.). Si pasojë, është krejtësisht e mundur që një pikëmbështetje teorike e re - një fazë e re e marksizmit - të marrë përsipër rolin përbashkues që në kohë të tjera i ka takuar trajtave të ndryshme të religjiozitetit gjatë Mesjetës. Parë nga ky këndvështrim, është e nevojshme bëhemi të vetëdijshëm për veprimtaritë më të rëndësishme intelektive në Mesjetë (ato që trajtuam, pra ruajtjen dhe zhbërjen). Në përfundim, pas shumë shekujsh kulture të lartë borgjeze, ne jemi në po të njëjtën gjëndje e cila është vetvetiu e krahasueshme me atë të murgjërve perëndimorë përballë trashëgimisë së lashtësisë. Pasi ne i bëjmë vetes po të njëjtat pyetje: ç’duhet të bëjmë me gjithë këtë peshë, të shndritshme dhe madhështore, por që në vetvete nuk i shkon përshtat qëllimeve tona, e të cilën mund ta quajmë “komuniste” në kuptimin e përgjithshëm të fjalës.

 

Burimi: Diacritics, vëll. 36, nr. 3/4, Theories of Medieval Iberia (Fall - Winter, 2006), The John Hopkins University Press, fq. 156- 157.

Përktheu: Edon Qesari