analizë
Për Një Kritikë Ideologjike të Anti-Korrupsionit

Për Një Kritikë Ideologjike të Anti-Korrupsionit

Pavjo Gjini - 20 shtator 2019 - 17:37

Është e drejtë me pasë luftë kundër korrupsionit, mirëpo lufta kundër korrupsionit nuk është vetë drejtësia. Në emër të kujt bëhet kjo luftë, kjo është pyetja. Korrupsioni si përdorimi privat i gjësë së përbashkët nuk është vetë sistemi, por pjesë e tij, simptomë dhe efekt i tij. Është sistemik siç është simptoma, jo siç është sistemi, dhe merr formën e sistemit ku ushqehet porsi krimbi. Sot, mund të themi se sistemi është raport shtet-kapitalizëm dhe korrupsioni është efekt i këtij raporti. Ky fenomen në majën e gjuhës tonë shpërfaq faktin se shteti në dekadat e fundit është trajtuar gjithnjë e më shumë jo si konfigurim etik universal, si vend barazie për qytetarët përballë tij, por si dhunë arbitrare në shërbim të tregut. Shteti është dobësuar së tepërmi, prandaj korrupsioni ia ka përmbytur zyrat. Si strukturë publike institucionale, shteti është nën sulm të organizuar nga të gjitha anët. Le të themi se korrupsioni lulëzon kur nuk dimë ç’të bëjmë me shtetin, pos t’ia nënshtrojmë tregut. Për korrupsion flasim kur duam të njëjtin sistem por me fytyrë disi më njerëzore. Ligjëratën anti-korrupsion përgjatë dekadave të fundit e kanë kalëruar ithtarët e një tregu pa shtet, gurutë e neoliberalizmit dhe të terapive të shokut për të cilët shteti në vetvete është korruptues dhe duhet çmontuar e privatizuar. Me stilin e Brehtit do të mund të thoshim: ç’është korrupsioni në krahasim me tregtarizimin e shtetit?!

Le të pohojmë spekulativisht se shteti, demokratik ose socialist, është vendi ku barazia rishtrohet vazhdimisht si problemi kryesor dhe ekskluziv i njerëzimit. Brenda tij presupozoj votë të barabartë me kryeministrin dhe, figurën e tij, si të dalë prej mesit tonë; presupozoj se të ardhmen e vendit më duhet ta vendos bashkë me të tjerët dhe synimi është zgjerimi maksimal i vendimmarrjes dhe i aftësive tona si individë brenda tij. Shtetin nuk e kemi vetëm për të pohuar barazinë me popujt e tjerë dhe për të riprodhuar pabarazinë mes vetes. Shtetin e kemi për barazi brenda dhe jashtë vetes. Ndërsa për tregun, nuk mund të themi se ka të njëjtin raport me barazinë. Sulmi ndaj përmasës barazimtare të shtetit dhe animi i peshores nga ana e tregut po bëhet në emër të: 

tregut, si qëllim ekskluziv i njerëzimit;

konkurrencës mes privatësh, që e shtyn përpara këtë treg; dhe

shtetit, si instrument i verbër për këtë. 

Një shtet në shërbim të interesave private të tregut sigurisht që do të riprodhojë mbizotërimin e interesave private, qoftë si korrupsion i pushtetarëve që e përdorin shtetin në treg, qoftë me synim privatizimin e institucioneve1. Thënë më copë dhe ngjashëm me Horkheimer-in, do të mund të themi se çdokush që nuk flet për raportin mes shtetit dhe tregut, do të bënte mirë të heshtte edhe për korrupsionin. Ligjërimi bashkëkohor i tregut flet për rritjen ekonomike të shtyrë nga bizneset e mëdha të cilat, si efekt anësor, përftojnë të mira (të pabarabarta) të cilat i presin poshtë punëtorët e qytetarët si ndihma të hedhura nga aeroplanë. Tregu thotë se fati ynë varet totalisht nga fati i pronarëve të mëdhenj të kapitalit. Sipas ithtarëve të tregut prodhimi në ekonomi, për shkak të korrupsionit në shtet, nuk optimalizohet. Shteti shihet si “mbeturinë e së shkuarës” socialiste apo nacionaliste, për t’u luftuar edhe përgjatë fazës kapitaliste si shkaktar i mosrealizimit të plotë të kapitalizmit. Për tregtarët, zgjidhja është ëndrra e një revolucioni privatizimi të përhershëm deri në zhdukjen eventuale të shtetit, një pervertim djathtist i trockizmit dhe leninizmit.

Lufta kundër korrupsionit përcaktohet negativisht. Himni i kësaj lufte, në rajonin tonë, këndohet me vargje neoliberale. Prandaj, raporti shtet-treg duhet të rikonfigurohet në mënyrë që të përcaktohet pozitivisht edhe lufta kundër korrupsionit. Korrupsioni përgjithëson dhe kulturalizon degradimin e shtetit në shtet klasor, ku disa mund t’i përdorin institucionet publike privatisht dhe shumë të tjerë mund t’i pësojnë ato si institucione arbitrare. Nëse vazhdojmë ta konsiderojmë tregun si përbindësh të cilin të gjithë duhet ta shërbejmë e prej të cilit presim mëshirë, atëherë politika si e drejtë popullore në vendimmarrje vdes. Pa ngulmim në një model të ri të shtetit social, të ndjeshëm ndaj inovacionit, risive e problemeve ekologjike dhe për reduktimin e pabarazive mes qytetarëve dhe shteteve, anti-korrupsioni është pilulë që riprodhon shijen neoliberale për treg pa shtet, na ngulfat në një shije të lodhur, moraliste dhe me shumë mundësi ziliqare. Prandaj, pyetja qendrore është se në emër të kujt e duam luftën kundër korrupsionit? Në emër të barazisë në dhe përpara shtetit, apo në emër të privatizimit të tij dhe dorëzimit përballë pabarazive të tregut? 

Ideja e shtetit si dhunë arbitrare, i kokulur në shërbim të forcave që e mbizotërojnë tregun, quhet neoliberalizëm. Menteshat e kësaj ideologjie mbahen nga ide të: derregullimit të tregut, zvogëlimit të administratës, shkurtimeve të shpenzimeve buxhetore, konkurrencës në të gjitha sferat e jetës, lavdit për biznesmenët dhe uljes së taksave për ta, zhdukjes së punëtorëve nga diskursi politik, privatizimit, shpëtimit që vjen nga investimet e huaja direkte2, PPP-të, si dhe nga zvogëlimi i investimeve në shërbimet publike (shëndetësi, arsim, kulturë, programe sociale). Këto koordinata përcaktojnë realitetin tonë politik, ekonomik dhe kulturor. Vetë këto koordinata përcaktohen nga meta-shkenca shoqërore e ekonomisë.3 Kushdo që nuk është i gatshëm me e vënë në pyetje këtë konfigurim neoliberal është dogmatik ideologjik. Thënë ndryshe, ideologjia neoliberale (si çdo ideologji tjetër) nuk është luks, e as nuk është diçka brenda të cilës futemi e jashtë së cilës jemi. E thënë me Althusser-in, ajo është tashmë konfiguruesja e vetë ëndrrave dhe dëshirave që kemi për botën, marrëdhënie e përhershme dhe e përditshme imagjinare me kushtet reale të jetës. 

Ideologjia në vetvete është realizëm fantastik – strukturë idesh që mirëmban dëshirat tona dhe, me mirëmbajtjen e tyre, riprodhon të njëjtin realitet mes nesh; ajo është formulë që pafundësisht na mbarështon të njëjtën fantazi për jetën e duhur. Ideologjia është dëshirore, prandaj nuk ka transform politik e ekonomik në një vend të caktuar pa patur, në të njëjtën kohë, transform ideologjik të tij. Madje, dëshira për të ndërruar dëshirat tona – karakteristikë kjo thelbësisht njerëzore – pra, pakënaqësia e dëshirës me një ideologji të caktuar i paraprin transformimeve politike dhe ekonomike. Nuk ka ndryshime të mëdha pa ndryshime të mëdha të dëshirave. 

Kriza e neoliberalizmit në perëndim shpërfaqet në tre momente kryesore pas krizës së vitit 2008. Në konkurrencën tregtare që Kina po i bën SHBA-së del në pah fakti se Kina është rritur në përmasat e sotme jo përmes një drejtimi neoliberal të ekonomisë, por përmes një strategjie të mirëpërcaktuar shtetërore. Nga ana tjetër, në vitet e fundit ka patur deklarata të herë-pas-hershme të guruve të kapitalizmit, si Bill Gates dhe Elon Musk, se kapitalizmi ka nevojë të kontrollohet nga shteti dhe se një formë e re e socializmit duhet të konsiderohet. Ndërkohë, një e majtë e re në perëndim – e përqendruar në figura si Berni Sanders, Jeremi Corbyn, Yanis Varoufakis e të ngjashëm – tregon për shtysën e brendshme politike për ndryshimin e trajektores ekonomike.

Në linjat e shenjave të kësaj të majte të re në perëndim, mund të themi se ligjërimi antikorrupsion kërkon thjesht besim nga qytetarët, ndërsa ligjërimi për një shtet social-demokrat për shekullin e 21-të zgjeron imagjinatën dhe shton entuziazmin e qytetarëve. Dëshira për treg dhe neveria ndaj shtetit mund të tejkalohent nga dëshira për barazi dinamike përmes një shteti aktiv i cili siguron investimet më ambicioze dhe inovative bashkë me garantimin e shërbimeve bazike publike – tavanin dhe dyshemenë e ekonomisë – çka si efekt sjell krijimin e tregjeve dinamike të reja midis vetes nga vetë shoqëria civile. Një nga shtjellimet më të mira të kësaj platforme vjen nga filozofi Roberto Unger, ndër të tjera ish-ministër në Ministrinë e Çështjeve Strategjikë në qeverinë e majtë të Presidentit Lula në Brazil në vitin 2007 dhe në vitin 2015. 

Për sa kohë e shohim politikëbërjen si të lidhur me shtetin dhe meqë shtetin dinamik e social-demokrat për të cilin po bëjmë thirrje e kemi ideal, atëherë rruga ndërmjetësuese e këtij ideali është ajo e një qeverie me bindje social-demokrate e cila shtyn përpara një politikë sektoriale, e cila bëhet mollë sherri me opozitën dhe bizneset e mëdha deri në pikën që opozita dhe bizneset e mëdha duken konservatore përballë shtetit. Për shembull, e gjithë qeveria e Obamës do të mbahet mend për Obamacare-in,4 e cila e veçoi Obamën nga republikanët, ashtu sikurse nga demokratët dhe kompanitë e mëdha të sigurimeve shëndetësore të ngjashëm me ta5. Ngjyra e lëkurës së tij nuk e uli racizmin, as nënshtrimi qeveritar ndaj bankave nuk u ndal prej tij, as vazhdimi i luftrave nëpër botë. Gjithsesi, të gjitha këto të tjerat janë vazhdim i të njëjtës politikë amerikane, ndërsa Obamacare del në pah si e reja e sjellë nga qeveria e tij.

Sa i përket historisë tonë, nuk mbajmë mend politika ndonjë politikë të tillë sektoriale. Kështu, për shembull, pas vdekjes së Berishës do t’i numërojmë atij si politikë ligjin 7501, skemat piramidale dhe investimet infrastrukturore, ndërsa Ramës PPP-të dhe konsolidimin e oligarkisë; aty kondensohet domethënia e tyre në politikë. Lufta kundër korrupsionit është e domosdoshme, sidomos në Shqipëri dhe Kosovë si dy vende me krim të organizuar të lidhur shumë mirë dhe shumë ngushtë me shtetin;6 është e domosdoshme për të mos na u dukur vetja, në jetën tonë publike, si në performancë të rremë; është e domosdoshme për të treguar se qeveria nuk shantazhohet dot nën tavolina. Mirëpo kjo nuk është e gjithë politika. Kështu, lufta kundër korrupsionit nuk është e vetëmjaftueshme. Aktualisht, politika e vërtetë varet nga ana që ne mbajmë në raportin “shtet-treg”. 

------------------------------------------------------------------------------

 1. Kreshnik Ahmeti e shpjegon përmes procesit të privatizimit në Kosovë këtë fenomen, “Për një dekadë e gjysmë të privatizimit dërrmues, shteti shiti rreth 1500 asete shoqërore, nga të cilat nuk arriti të mbledhë as 700 milionë euro. I tërë ky proces u bazua dhe ende po bazohet mbi dy premtime: 1. privatizimi do ta zhvillojë ekonominë e vendit nëpërmjet investimeve (veçanërisht të huaja) dhe 2. nëpërmjet privatizimit do të luftohet korrupsioni, që domosdo vjen kur asetet janë në pronë publike apo shoqërore. Zhvillimi ekonomik nuk erdhi, por papunësia u shtua për rreth 80.000 persona për shkak të privatizimit. Ndërsa, korrupsioni jo që nuk u luftua, por u pa se është fenomen i domosdoshëm për realizimin e procesit të privatizimit (prandaj edhe shitjet super të lira të aseteve, sikurse shitja e KEDS-it për 26 milionë euro)”. (Kreshnik Ahmeti, “Përtej Stagnimit”, 21 janar, 2019. Koha Ditore, https://www.koha.net/veshtrime/140857/pertej-stagnimit/)

2. Investimet e huaja direkte për vendet e pazhvilluara e në zhvillim zëvendësojnë idenë e ndihmave të jashtme, mirëpo historia e tyre nuk duket kaq bamirëse me histori krijimi monopolesh, çregullime të ekonomive, shmangie të taksave dhe grushte shtetesh. Në një studim të fundit është zbuluar se thuajse 40% e investimeve të huaja direkte botërore përfundojnë në kompani guackë me synim shmangien e taksave dhe jo me efekt krijimin e vendeve të punës apo projekteve inovative. Gjithsesi, shumica e tyre shkojnë në vendet e zhvilluara tashmë në Veri. (Olesya Dmitracova, “Një studim zbulon se një pjesë e madhe e investimeve të huaja synojnë shmangien e taksave më shumë sesa krijimin e vendeve të punës”, The Independent. 10 shtator, 2019, https://www.independent.co.uk/news/business/news/foreign-direct-investment-tax-avoidance-havens-imf-a9097906.html) Bashkë me ekonomistë si Ha Joon Change mund të themi se Investimet e huaja direkte e ndjekin dhe nuk e krijojnë rritjen e qëndrueshme ekonomike. Vendet në zhvillim e ato të varfra duhet të stabilizojnë një shtet zhvillimor si parakusht për tërheqjen e tyre dhe t’i instrumentalizojnë me synime specifike për gjenerim teknologjie, në edukim dhe për diversifikim të industrive sipas nevojave zhvillimore. (Ha-Joon Chang & Ilene Grabel, Reclaiming Development. New York: Zed Books, 2004. f.138-139)

3. Ekonomistët Ha-Joon Chang dhe Ilene Grabel shpjegojnë gjerësisht sesi programe të mirëdizajnuara të një vizioni zhvillimor shtetëror shpjegojnë shumicën e historive të suksesit historikisht dhe aktualisht në botë, “Qeveritë e Azisë lindore kanë përdorur një varg masash politike për modernizimin e strukturës industriale dhe rritjen e prodhimit. Këtu përfshiheshin: proteksionizëm i industrive foshnjore; subvencionime për eksport dhe për bizenese të tjera; kreditim (përmes të cilit bankat me kontroll shtetëror ofronin kredit të subvencionuar për industri të pikasura); planifikim investimesh domethënëse; rregullim dhe koordinim i investimeve industriale; dhe mbështetje edhe sektoriale edhe të përgjithshme për Hulumtim&Zhvillim e trajnime. Industritë e njohura botërisht të automobilave, hekurit dhe elektronikës në Japoni dhe Kore, dhe elektronika e lëndët kimike në Taivan, nuk do të ishin zhvilluar pa politika industriale”. (Chang & Grabel, Reclaiming Development, f.75)

4. Obamacare është pseudonimi i “The Patient Protection and Affordable Care Act”, reforma e kaluar nga qeveria Obama në vitin 2010 me efekt zgjerimin e mbulimit me sigurim shëndetësor te mbi 20 milion qytetarë amerikanë. Reforma u bë mollë sherri mes qeverisë Obama dhe Republikanëve prej masave që ajo parashihte mbi detyrimin e kompanive të sigurimit për të mbuluar edhe kushtet shëndetësore të pacientëve parasiguracionit, subvencionimin e kësteve të siguracionit dhe kostot e xhepit, detyrimin e punëdhënësve të mëdhenj që të paguanin siguracionin e tyre, dhe taksimin e kompanive farcameutike që përfitojnë nga zgjerimi i kujdesit shëndetësor.

5. Agon Hamza në një shkrim për Koha Ditore mbi zgjedhjet e fundit në Kosovë shkruan se, “ndryshimi i statusit të pamundësisë nuk është aktivitet në fushën e imagjinatës e të fantazisë (p.sh. të natyrës biblike shndërrimi i ujit në verë), por i pikave më të ndjeshme në ngrehinën ideologjikë të shoqërisë përkatëse. Në kohën e presidentit Obama, debati për Obamacare preku në pikat më të ndjeshme të iluzionit amerikan për “lirinë e zgjedhjes”, apo plani i ish-ministrit grek të Financave për riprogramimin e borxhit të jashtëm grek vuri në pikëpyetje tërë bindjen (natyrisht të gabuar) të BE-së për shtrëngesat financiare si rruga e vetme për konsolidim buxhetor dhe rimëkëmbje ekonomike”. (Agon Hamza, Kushti i mundësisë politike, Koha Ditore, 4 shtator, 2019, https://www.koha.net/veshtrime/182588/kushti-i-mundesise-politike/)

 

6. Instituti Ifimes e shpjegon mbi zgjedhjet e ardhshme në Kosovë dhe gjendjen në Ballkan duke thënë se, “me rënien e regjimit të Thaçit, oktapodi kriminal dhe i korruptuar i Ramës me tentakulat e shpërndara në Kosovë do të fillojë të dalë në pah. Edhe Thaçi edhe Rama kanë thuajse një mënyrë identike të të vepruarit bazuar në plaçkitjen e resurseve publike, kërcënimin e qytetarëve dhe kundërshtarëve politik, vjedhjen dhe blerjen e botave, mashtrimin e komunitetit ndërkombëtar, prodhimin e vazhdueshëm të krizave dhe përplasjeve me opozitën në mënyrë që të krijojnë një kaos të kontrolluar përmes të cilit munden ta mbajnë pushtetin me sasi të jashtëzakonshme parash të pista. Në këtë situatë, krimi dhe korrupsioni kanë përcaktuar jo vetëm mënyrën sesi ata e sundojnë por edhe mënyrën sesi jetojnë. Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të zbulojnë rrjetin e mercenarëve të Thaçit”. (Ifimes, “Kosova-Shqipëria-Maqedonia e Veriut 2019: në pritje të kolapsit të regjimeve të bashkuara Thaçi-Rama”, 9 shtator 2019, https://www.ifimes.org/en/9694?fbclid=IwAR2aQWADLEVPMS09cmvgMuRR3pATeYHgf2RL0OAjEJhLXePWEmjz2M7GWyg).