Intervista
Jelekët e verdhë: një reagim ndaj shpërthimit të pabarazive mes super të pasurve dhe klasës së mesme

Jelekët e verdhë: një reagim ndaj shpërthimit të pabarazive mes super të pasurve dhe klasës së mesme

- 16 dhjetor 2018 - 19:37

Jelekët e verdhë: një reagim ndaj shpërthimit të pabarazive mes super të pasurve dhe klasës së mesme

Intervistë me Chantal Mouffe, nga Simon Blin për “Liberation”

Për filozofen Chantal Mouffe, frymëzuese të “La France insoumise”, Macron-i mishëron stadin suprem të post-politikës neoliberale: prandaj opozita nuk mund të aktualizohet, përveçse nga rruga.

Profesoreshë e Universitetit të Westminsterit, në Londër, filozofja belge ka qenë teorizuesja e “populizmit të majtë”, koncept kyç për të kuptuar evoluimin e së majtës radikale. Ajo mbron një vizion konfliktual për demokracinë.

Intervista:

A është populizëm lëvizja e jelekëve të verdhë?

Qartësisht po përjetojmë një situatë populiste. Me “populiste” duhet të kuptojmë stabilizimin e një kufiri politik mes atyre “poshtë”, “neve”, popullit, dhe atyre “lart”, “kastës”. Ky ndërtim i një kufiri të ri është rezultat i ngjarjes së shumë resistencave përgjatë tridhjetë viteve të hegjemonisë neoliberale gjatë të cilave është instaluar një post-demokraci. Kjo post-demokraci karakterizohet prej krizës së përfaqësimit politik dhe krizës së sistemit ekonomik neoliberal. Së pari, qytetarët kanë ndjesinë se nuk ka dallime të vërteta midis ofertave politike që duhen zgjedhur, nuk e dallojnë dot më qendrën e majtë nga qendra e djathtë. Kështu që pyesin veten se përse duhet të votojnë. Kjo është një lëvizje me taban të përbashkët në gjithë Evropën perëndimore. është ajo që unë e quaj “iluzioni i konsensusit”: individët kanë përshtypjen se janë lënë në harresë, dhe dëshirojnë të dëgjohen. Njëri prej sloganeve të “Indignados” në Spanjë ishte: “Kemi vota, por s´kemi zë”. Bëhet fjalë për një reaksion ndaj “oligarkizimit” të shoqërisë, që karakterizohet prej shpërthimit të pabarazive ekonomike mes një grupi super të pasurish dhe klasës së mesme.

Përse jelekët e verdhë po përqendrohen te Macron?

Kjo lëvizje nuk mund të gjejë ndonjë zgjidhje afatgjatë pa një transformim të thellë. Ndërsa politika e Emmanuel Macron-it po përpiqet ta forcojë politikën neoliberale e cila e ka pjellë kundërshtimin aktual. Ai konsideron se problemi i Francës qëndron tek mosthellimi sa duhet i reformave, me theksin tek vënia në pikëpyetje e shtetit social, sipas linjës politike të rrugës së tretë të aplikuar më parë nga Tony Blair në Angli. Macron-i është stadi suprem i kësaj post-politike. Jo vetëm kaq, por ai është një president i zgjedhur keq. Dhe për më shumë, ka arritur ta neutralizojë parlamentin, duke fituar një shumicë dërrmuese të deputetëve, gjë që e ka bërë punën parlamentare të panevojshme. Kështu që në fakt, nuk mbetet asgjë tjetër veç rrugës, për t´iu kundërvënë politikave të qeverisjes.

Në ç´lloj lëvizjeje politike do të mund të zhvilloheshin jelekët e verdhë?

Kjo formë e antipolitikës do të mund të artikulohej në kahjen e një populizmi të djathtë, ose të një populizmi të majtë. Guxoj të besoj se zhvillimet aktuale të ngjarjeve i hapin disa perspektiva drejt një lëvizjeje politike populiste të majtë. Fakti që kolektivët antiracistë, si komiteti Adama dhe komiteti Rosa Parks janë bashkuar të shtunën e fundit me manifestuesit e ardhur prej pjesëve periurbane të Francës, flet në këtë drejtim. Kjo dëfton se tashmë ekziston një lidhje mes Francës rurale, e cila e nisi lëvizjen, dhe lagjeve popullore të qyteteve të mëdha. E kanë kuptuar se kanë interesa të përbashkët. Gjithë çështja tash është të kuptohet se si do të duhet të artikulohen kërkesat e tyre të përbashkëta.

Çfarë u mungon këtyre premisave kryengritëse për t´u konkretizuar politikisht?

Mendoj se zgjidhja qëndron te propozimi i François Ruffin-it, i cili dëshiron që borgjezia e vogël intelektuale, pjesëmarrësit e Nuit Debout, për ta thënë shkurt, të bashkohen me jelekët e verdhë. Nëse këto dy elementë nuk bëhen bashkë dhe nuk arrijnë të artikulojnë kërkesa feministe, antiraciste dhe në të mirë të punëtorëve, atëherë mundësitë për të ndërtuar politikisht një popull të majtë, do të jenë shumë të kufizuara.

A mos duhet të organizohen jelekët e verdhë përreth një udhëheqësi?

Jo domosdoshmërisht. Edhe pse, sipas meje, një kryetar, së paku simbolikisht, mund të ndihmojë për të kristalizuar ndjesitë e shprehura tek mllefi shoqëror. A kemi parë ndonjëherë ndonjë lëvizje të rëndësishme politike pa udhëheqës? Roli i tij do të mund të lejonte mobilizimin e pasioneve kolektive. Sepse lëvizja e jelekëve të verdhë na i kujton se sa të rëndësishme janë emocionet në politikë. Këtë gjë që teknokratët e kanë harruar tërësisht.

A mund t´i krahasojmë jelekët e verdhë me Lëvizjen Pesë Yje në Itali?

Karakteri i mjegullt dhe horizontal i lëvizjes, e cila paraqet si kundërshtarin e saj të vetëm Macron-in, na përkujton në fakt origjinën e Lëvizjes Pesë Yje. Njësoj si ata, edhe kjo e Francës shprehet se nuk është as e djathtë as e majtë dhe për momentin ka një formë heteroklite dhe antipolitike. është një refuzim i gjithçkaje që ka të bëjë me partitë politike dhe që përfaqëson establishmentin. Nëse jelekët e verdhë nuk gjejnë një formë politike institucionale, atëherë nuk ka siguri që në të ardhmen nuk do ta marrin ndonjë kthesë të rrezikshme. Kjo është ajo çka ndodhi me Pesë Yjet. Pasi që hynë në qeveri ajo lëvizvje ka marrë tashmë pozicion të djathtë. është një lojë me të cilën do të përballet në të ardhmen edhe lëvizja e jelekëve të verdhë, nëse arrin të qëndrojë gjatë.