kritikë
Kapitalizmi si fe

Kapitalizmi si fe

Walter Benjamin - 12 dhjetor 2018 - 19:38

Shënim: Pjesa e mëposhtme, e botuar shumë dekada pas vdekjes së autorit me titullin “Kapitalismus als Religion”, i përket vitit 1921 dhe bën pjesë në një shumësi shënimesh që mendimtari gjerman Walter Benjamin (1892-1940) la në dorëshkrim. Kjo është arsyeja përse ato kanë pamje të çrregullt, me pohime thuajse delfike dhe shpesh herë, në dukje, pa vazhdimësi të qartë. Përkthimi i mëposhtëm ka respektuar të gjitha detajet e përcjella nga botimi në anglishte, duke vendosur mes kllapave të ngurta [ ] si terma të cilët në origjinalin gjermanisht mund të linin shkas për tjetër interpretim, ashtu edhe shtesat të cilat, në dorëshkrim, janë shuajtur ose nuk dalloheshin qartë, duke cënuar kuptimin e krejt fjalisë. Nga teksti nuk janë hequr as titujt e veprave të konsultuara nga vetë Benjamin-i (titulli i të cilave është vënë në shqip), ndoshta me qëllimin e një shtojce bibliografike.

 

[Fragmenti nr. 74]

Ndokush mund të shohë te kapitalizmi tiparet e një feje, që do të thotë se, në thelb, kapitalizmi shërben për të përbushur të njëjtat kokëçarje, angështi dhe shqetësime: po atyre që, njëherë e një kohë, u përgjigjej e ashtuquajtura fe. Të dhënat e ngrhinës fetare të kapitalizmit – jo vetëm si një ngrehinë e ndërtuar në trajtë feje, siç mendonte Weber-i, por si një fenomen thelbësisht fetar – ende sot mund të çojnë gabimisht drejt një sherrnaje të pafund dhe gjithëpërfshirëse. S’mund t’i afrohemi dhe aq rrjetës në të cilën qëndrojmë. Ngase, njëvështrim mbizotërues me vonë do të bëhej i mundur.

Megjithatë, tre janë tiparet ende të dallueshme të ngrehinës fetare të kapitalizmit në ditët e sotme. Së pari, kapitalizmi është një bestytni fetare e kulluar, mbase më e skajshmja që është parë ndonjëherë. Përbrenda tij çdo send ka veç kuptim të lidhur drejtpërsëdrejti me bestytninë: nuk njeh dogma, as teologji. Nga kjo përqasje, dobishmëria përfton ngjyresën e saj fetare. Ky mishërim i bestytnisë krijon lidhje me tiparin e dytë të kapitalizmit: përzgjatjen e përherëshme të bestytnisë. Kapitalizmi është kremtimi i bestytnisë sans rêve e sans merci[1].Në këtë rast nuk kemi ndonjë “ditë javore”, asnjë ditë që të mos ishte një ditë kremtimi në kuptimin e hatashëm të madhështisë shenjtërore – ushtrimi i skajshëm i adhurimit. Së treti, kjo është një bestytni e cila përcjell fajësim. Mund të themi se kapitalizmi është rasti i parë i një bestytnie të ngarkuar me qortime se me ftesa për pendesë. Bash këtu qëndron ndërlidhja fetare në rënien e kësaj lëvizjeje llahtarisëse. Një ndjesi e pamatë faji që s’di sesi mund të arrijë pendesën, e ngërthyer pas bestytnisë, jo me qëllim që të pendohet për fajin, por sesi të përfshijë të gjithë dhe gjithçka në të, ta gozhdojë atë në ndërgjegje dhe në fund e mbi të gjitha të përfshijë dhe Zotin vetë në faj në mënyrë që përfundimisht ta tërheqë dhe të në pendesë. Kjo [pendesë] është e tillë që s’duhet të ketë pritshmëri të saj në bestytni, as në reformimin e kësaj feje – që duhet të bazohet mbi diçka të mirëqenë brenda saj – ndërkaq as në mohimin e saj. Kapitalizmi qëndron në zemër të kësaj lëvizjeje fetare –i ngarkuar deri në fund, deri në ngjalljen e plotë dhe përfundimtare të fajësisë te Zoti, me përmbushjen e një bote dëshpërake, e tek e cila ka ende shpresohet. Bash atje qëndron ky përçudnim historik i kapitalizmit: feja nuk është më reformim i qenies, por zhbërja e saj. Nga kjo shtrirje e dëshpërimit në gjendjen fetare mbarënjerëzore, pritet shërim. Prania e përtejme e Zotit s’është më, por ai s’ka vdekur. Atë e kanë tërhequr në fatin e njeriut. Kalimi i këtij “njeriu planetar” (Planeten Mensch) në shtëpinë e dëshpërimit është, në vetminë e qartë të udhës së tij, ethosi[2] i përshkruar nga Nietzsche-ja. Ky njeri ështëÜbermench-i, i pari i cili, me sa dimë, nis të kuptojë fenë kapitaliste. Tipari i katërt [i ngrehinës fetare të kapitalizmit] është që Zoti duhet fshehur dhe mbi të mund të flitet vetëm në kulmin e fajësisë së tij. Bestytnia kthehet në e kremtueshme përpara një procesi hyjnëzues ende të papërfunduar, [teksa] çdo imazh, çfarëdo lloj mendimi përreth tij, ia dëmton fshehtësinë përfundimtare.

Teoria frojdiane, gjithashtu, i përket rregullave priftërore të bestytnisë. Në mendime është përgjithësisht kapitaliste. Përfytyrimi i ndrydhur, mëkatar, ka, thellë-thellë, një ngjashmëri ndriçuese me kapitalin – tek i cili shkon vëmendja e ferrit të pandërgjegjes.

Ky lloj mendimi kapitalist, fetar has vetveten për mrekulli te filozofia e Nietzsche-s. Mendimi i Übermensch-it s’e humbet kapërcimin apokaliptik nëpërmjet ndryshimit të rrugëve, shëlbesës, pastrimit, [apo] pendesës, por në atë që, pavarësisht dukjes vazhduese, mbetet në fund një shpeshtim mosvazhdues. Ja përse shpeshtimi dhe evolucioni janë të papërputhshëm në kuptimin e “non facit saltum”[3]. Übermensch-i është ai i cili pa ndryshuar, mbërrin, i cili sulet si shigjetë përmes parajsës – njeriu historik.

Njeriu paragjykon [predikon] se [në] këtë hapje çarëse të parajsës nëpërmjet një procesi në rritje njerëzimues [Menschaftigeit] qortimi fetar (edhe për Nietzsche-n gjithashtu) është dhe mbetet. E njejta gjë [me] Marx-in. Kapitalizmi i pakthyeshëm [nicht umkehrende] shndërrohet në socializëm me interes dhe interes të përbërë, të cilët [janë] funksionet e fajit (shih vagullsinë djallëzore të këtij koncepti)[4]. 

Kapitalizmi është një fe e kulluar bestytnore, të cilës i mungojnë dogmat. Vetë kapitalizmi u zhvillua në mënyrë parazitare në Krishtërimin perëndimor – jo vetëm në Kalvinizëm por gjithashtu, e mbetet për t’u treguar, në lëvizjet ortodokse të Krishtërimit – në një mënyrë që, ne fund, jetëshkrimi i tij është në thelb jetëshkrimi i parazitëve të tij, të kapitalizmit. Le të krahasojmë gjithë ikonografinë e shenjtë [Heiligendbirden] të feve të ndryshme nga njëra anë me kartëmonedhat e vendeve të ndryshme nga ana tjetër: Fryma që përçojnë zbukurimet e kartëmonedhave.

Kapitalizmi dhe e drejta [Recht]. Tipari pagan i së drejtës. Sorel Mendime përmbi dhunën fq. 262.

Mposhtja e kapitalizmit nëpërmjet sorollatjes [Wanderung]. Unger Politikë dhe MetafizikëS44.

Fuchs: Ngrehina e shoqërisë kapitaliste o.ä [?]

Max Weber: Përmbledhje sprovash mbi sociologjinë e fesë2B 1919/20

Ernst Troeltsch: Mësimi shoqëror në kishat dhe grupet e krishtera (Ges. W.I. 1912)

Shih sipër gjithë bibliografinë schönbergiane nën II.

Landauer: Thirrje për socializëm fq. 144.

Kokëçarjet: një sëmundje mendore, e cila ka përveshur epokën kapitaliste. Mungesë shprese shpirtërore (jo materiale) në varfëri, endacakëri-lypësari-kallogjeri. Një gjendje e tillë pa shpresë është e fajshme [verschuldend]. “Kokëçarjet” janë renditje e ndërgjegjes fajtore të pashpresë: “Kokëçarjet” e gjejnë prejardhjen në frikën e mungesës së shpresës, e cila i ka themelet në bashkësi, jo tek individi-mall.

Krishtërimi në kohën e Reformës nuk i dha dhe aq zemër kapitalizmit, më shumë sesa ta kthente veten në kapitalizëm.

Metodologjikisht, do të ishte [e volitshme] të hulumtohej se ç’lidhje ka ushtruar paraja me mitin përgjatë rrjedhës së historisë – derisa të mund t’i marrë Krishtërimit elemente mitologjike të mjaftueshme e të ndërtojë mandej mitet e veta.

Wergild[5]/ fjalor i punëve të mbara/ Pagesa që i detyrohet një prifti. Plutoni si perëndi i pasanikëve.

Adam Müller: Ligjëratat mbi gojëtarinë 1816 S56FF

Ndërlidhje e dogmës së natyrës që ka dija – e cila, në cilësitë e saj vendimarrëse [auflösenden] është, për ne, në të njejtën kohë, një çliruese dhe vrasëse – me kapitalizmin. Në përfundim na rezulton një dije çliruese dhe shkatërruese [erledigende].

Merr pjesë në një dije rreth kapitalizmit si një fe për të pëfytyruar se paganizmi i fillesave me bindje dhe me më afërsi e ngërthen fenë jo si një bashkërendim “sipëror” “moral”, por si një praktike e menjëhershme – që, me fjalë të tjera, ka marrë vetëdije për natyrën “ideale” dhe të “përtejme” të saj, siç është sot kapitalizmi, por sheh tek individët jofetare ose të një besimi të ndryshëm anëtarë të pagabueshëm të bashkësisë së tij, saktësisht në po atë mënyrë që borgjezia moderne [sheh] anëtarët e saj jofitimprurës [nicht erwerbenden Angehöringen].

 

Përktheu dhe pajisi me shënime: Edon Qesari

 

[1] Në frëngjishte në original (“pa ëndrra dhe pa mëshirë”), por, siç diktojnë botimet e mëvonëshme të dorëshkrimit benjaminian, bëhet fjalë për ndonjë gabim tejshkrimor të pjesëzës sans trêve e sans merci (pa pushim e pa mëshirë), e cila gjendet në parimin VI të Dekalogut mesjetar të Kalorësisë, siç e kishte renditur në shek. XIX historian francez i letërsisë, i mirënjohuri asokohe, Leon Gautier. Ky parim, në vetvete, bënte fjalë për mënyrën sesi një kalorës duhet të luftonte të “pabesët” (pra të jokrishterët), çka shkonte me përshkrimin që Benjamin-i i bënte kapitalizmit dhe vetë George Sorel-i, që do të përmendet më vonë në këtë shkrim, tregonte për Krishtërimin dhe kapitalizmin në të tijat Réflections sur la violence.

[2]Ethosi nënkupton thirrjen që i bëhet dikujt në emër të etikës, duke e bindur atë nëpërmjet vlerëve të lidhura me mirësjelljen dhe moralin e pranuar nga bashkësia. Në mënyrë të ngjashme, pathosi i bën thirrje ndjenjave të dikujt, ndërsa logosi arsyes.

[3]Copëzim i të mirënjohurës shprehje evolucioniste “Natura non facit saltum” (Natyra s’bën kapërcime), e shkëputur nga vepra e Leibniz-it Nouveaux essais sur l’entendement humain e vitit 1704.

[4]Benjamin-i e ka fjalën për vagullsinë e termitSchuld në gjermanishte, që do të thotë njëkohësisht faj, qortim dhe borxh.

[5]Në të drejtën e vjetër angleze dhe atë teutonike, Wergild (apo edhe Wergeld) është vlera që i jepet një jete njerëzore dhe i paguhet familjes apo të zotit të të vdekurit.