kritikë
Revolta e protestuesve jelekverdhë kundër centrizmit do të thotë mirë – por populizmi i krahut të majtë nuk do të ndryshojë politikën franceze

Revolta e protestuesve jelekverdhë kundër centrizmit do të thotë mirë – por populizmi i krahut të majtë nuk do të ndryshojë politikën franceze

Slavoj Zizek - 18 dhjetor 2018 - 12:34

Protestat në vazhdim të jelekverdhëve (gilets jaunes) në Francë vazhdojnë për fundjavën e pestë. Ato filluan si lëvizje bazike që u rrit nga pakënaqësia e përhapur për një eko-taksë të re mbi benzinën dhe naftën, duke u parë si goditje për zonat jashta metropolitane ku nuk ka transport publik. Në javët e kaluara lëvizja u rrit për të përfshirë një varg kërkesash, përfshirë Frexit-in (daljen e Francës nga BE), uljen e taksave, pensione më të larta dhe përmirësimin e fuqisë blerëse të njerëzve të zakonshëm francez.

Ata ofruan një rast tipik të populizmit majtist, të shpërthimit të zemërimit të njerëzve në të gjitha konsistencat e tij: taksa më të ulëta dhe më shumë para për shkollim dhe kujdesin shëndetësor, derivate më të lira dhe luftën ekologjike...Megjithëse taksa e re e derivateve me sa ishte një justifikim ose më shumë prektekst jo për atë çfarë protestat "kanë të bëjnë vërtetë'', është e rëndësishme të theksojmë se çka i shkaktoi protestat ishte një masë me qëllim të veprojë kundër ngrohjes globale. Nuk është çudi që Trumpi me entuziazëm mbështeti jelekverdhët (madje edhe thirrjet halucinative të disa prej protestuesve ''E duam Trumpin''),  duke vënë në dukje se njëra nga kërkesat ishte që Franca të dalë nga marrëveshja e Parisit.

Lëvizja e jelekëve të verdhë përshtatet me traditën franceze të protestave të mëdha publike me objektiv elitat politike (më shumë se elitat e biznesit dhe ato financiare). Sidoqoftë, në kontrast me protestat e '68-ës, jelekët e verdhë janë më shumë një lëvizje e thellë e Francës, revolta e saj kundër zonave të mëdha metropolitane, që do të thotë se orientimi majtist është shumë i paqartë. (Të dy edhe Le Pen e Melenchon mbështesin protestën). Siç pritej komentatorët po pyesin se cila forcë politike do të përvetësojë energjinë e revoltës, Le Pen apo e majta e re, me puritanistët që kërkojnë të qëndrojë një protestë e 'pastër' me një distancë nga politika e vendosur.

Një gjë duhet të jetë e qartë këtu: në gjithë shpërthimin e kërkesave dhe shprehjeve të pakënaqësisë, është e qartë se protestuesit nuk e dijnë me të vërtetë çfarë duan, nuk kanë një vizion për një shoqëri që duan, kanë vetëm përzierje të kërkesave që janë të pamundura t'i gjesh përbrenda sistemit megjithëse ato i adresojnë brenda tij. Ky tipar është qenësor:  kërkesat e tyre shprehin interesin e tyre të rrënjosur në sistemin ekzistues.

Nuk duhet harruar se ata janë duke adresuar këto kërkesa në sistemin (politik) në më të mirën e tij, i cili, në Francë, do të thotë: Macron. Protestat shenjojnë fundin e ëndrrës së Macron-it. Rikujto entuziazmin rreth Macronit për ofrimin e ëndrrës së re jo vetë për mposhtjen e kërcënimit të populizmit djathtist por edhe të prodhimit të një vizioni të identitetit evropian progresiv, që solli filozofë po aq të kundërt si Habermasn dhe Sloterdijku për të mbështetur Macronin. Rikujto se si çdo kritikë e majtë ndaj Macron-it, çdo vërjejtje rreth limitive fatale të projektit të tij, ishte hedhur poshtë si mbështetje ''objektivisht'' për Marine Le Pen.

Sot, me protestat që vazhdojnë të zhvillohen në Francë, konfrontohemi brutalisht me të vërtetën e hidhur të entuziazmit pro-Macron. Adresimi televiziv i Macron-it për protestuesit më 10 dhjetor ishte  një performancë e mjerushme, gjysmë kompromis gjysmë apologji, e cila nuk e bindi askend dhe dukej qartazi për mungesë të vizionit. Macroni ndoshta është më i miri i sistemit ekzistues, por politika e tij është e lokalizuar përbrenda koordinatave liberal-demokratike të teknokracisë së përndritur.

Prandaj ne duhet t'i japim protestës një po të kushtëzuar – të kushtëzuar që prej se është e qartë se populizmi i majtë nuk prodhon një alternativë të qëndrueshme ndaj sistemit. Kjo do të thotë, le të imagjinojmë që protestuesit disi fituan, morën fuqinë dhe vepruan përbrenda koordinatave të sistemit ekzistues (si Syriza në Greqi) – çka do të ndodhte pastaj? Me gjasë një lloj katastrofe ekonomike. Kjo nuk do të thotë që thjeshtë kemi nevojë për një sistem socio-ekonomik ndryshe, një sistem i cili do të ishte në gjendje të takonte kërkesat e protestuesve: procesi i transformimit radikal po ashtu do të rriste kërkesa dhe pritje të ndryshme. Në lidhje me kostot e karburanteve le të themi se çka vërtetë është e nevojshme nuk është vetëm karburanti i lirë, por qëllimi i vërtetë është të zvogëlohet varësia jonë në vajëra për arsye ekologjike, për të ndryshuar jo vetëm transportimin por tërë mënyrën tonë të jetës. E njëjta qëndron për taksa më të ulëta plus kujdes shëndetësor dhe edukim: e gjithë paradigma duhet të ndryshojë.

E njëjta qëndron për problemet tona të mëdha etiko-politike: si t'ja bëjmë me rrjedhën e refugjatëve? Zgjidhja nuk është vetëm te hapja e kufijve për të gjithë ata që duan të hyjnë dhe duke e bazuar këtë hapje në fajin tonë të përgjithësuar (''kolonizimi është krimi ynë më i madh që duhet ta paguajmë përgjithmonë''). Nëse qëndrojmë në këtë nivel, ne shërbejmë në mënyrë përfekte interesat e këtyre fuqive që nxisin konflikt mes emigrantëve dhe klasës lokale punëtore (që ndjehen të kërcënuar nga ata) dhe mbajnë pozicion superior moral. (Në momentin që dikush fillon të mendojë në këtë drejtim, e majta politikisht korrekte menjëherë klith fashizmin – shih sulmet e egra ndaj Angela Nagle për eseun e saj të njohur ''Rasti i së majtës kundër hapjes së kufijve''). Përsëri, ''kontradikta'' mes avokuesve për kufinjtë e hapur dhe populistëve anti-emigrant është një ''kontradiktë dytësore'' e pavërtetë funksioni përfundimtar i së cilës është të për të turbulluar apo errësuar nevojën për të ndryshuar vetë sistemin: tërë sistemin ekonomik ndërkombëtar që në formën aktuale krijon refugjatë.

A do të thotë kjo se duhet të presim me durim për ndryshimin e madh? Jo, ne mund të fillojmë që tani me masa që duken modeste por megjithatë minojnë themelet e sistemit ekzistues sikur gërmimi nëntokësor i urithit. Çka rreth rishikimit të tërë sistemit tonë financiar që do të ndikonte rregullat se si investimet dhe kreditet funksionojnë? Çka rreth imponimit të rregullave të reja që do të mbronin eksploatimin e shteteve të botës së tretë prej nga vijnë refugjatët?

Motoja e vjetër e 68' Soyons realists, demandons l’impossible! (Bëhu realist, kërko të pamundurën!) është plotësisht relevante – me kusht që ta marrim parasysh zhvendosjen në të cilën duhet të parashtrohet. Së pari, ka ''kërkesë të së pamundurës'' në kuptimin e bombardimit të sistemit ekzistues me kërkesat që ai s'mund t'i realizojë: kufijë të hapur, kujdes shëndetësor më të mirë, paga më të larta... Këtu jemi sot, në mes të një provokimi histerik të padronëve tanë (ekspertëve teknokratë). Megjithëse ndryshime të tilla duken ''të pamundura'' (të pamendueshme përbrenda koordinatave të sistemit), ato janë të kërkuara qartë nga gjendja jonë ekologjike dhe shoqërore, duke ofruar të vetmën zgjidhje realiste.

Përktheu: Arlind Manxhuka