kritikë
Përbrenda fantazisë së Presidentit

Përbrenda fantazisë së Presidentit

Arlind Manxhuka - 26 janar 2019 - 20:42

Gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës shteti i Kosovës u vendos gjithnjë para emergjencave që impononin veprim të shpejtë. Por këto emergjenca nuk kanë qenë prodhim i fatit tonë të keq. Ka qenë kjo klasë qeverisëse ajo që gjithmonë na ka prodhuar situata të tilla, për të cilat pastaj na fton të reagojmë me emergjencë. Përgjigjet që ata kanë dhënë ndaj këtyre situatave emergjente, kanë qenë shpesh të dëmshme për Kosovën, kanë qenë përgjigje të gabuara, që në panik e sipër janë bërë të pranueshme. Por elementi kyç që ia hap rrugën imponimit të përgjigjeve të gabuara, është pranimi i pyetjeve të gabuara. Kosova nuk ka nevojë t’i përgjigjet pyetjeve të gabuara të askujt. Por në këtë qorrsokak është futur tashmë ekipi negociator, i cili me vetë këtë iniciativë po përpiqet të racionalizojë një projekt krejt absurd.


“Nuk ka vija të kuqe”

Nuk ka vija të kuqe. Kjo ishte gatishmëria e presidentit Thaçi ndaj Serbisë dhe hapja e parë e tij ndaj publikut të Republikës së Kosovës. Ishte kjo deklaratë me dy tehe, që kërkonte nguti, nxiste emergjencë dhe ngjallte panik e frikë për rrezikun që po premtonte ta sillte vetë ai. Mirëpo kjo megjithatë nuk ishte pika zero. Para se ta shpallte këtë gatishmëri kërcënuese, ai kishte zhvilluar negociata paraprake e të fshehta, mbi vetë negociatat. Këtu ishte hedhur gjithçka në tavolinë, në diskutim, në pazar. Dhe ky është dialogu aktualisht. 

Kjo përpjekje e Thaçit ngeci në absurdin e saj, dhe nuk po gjente mish për top deri në kohën kur ekipi negociator u themelua me shumicën e thjeshtë të prodhuar nga disa parti të vogla që nuk kanë as lidhje programore e as ndonjë lidhje tjetër, përveç interesave të përbashkëta për të mos e rrëzuar qeverinë. Ky ekip që pretendon se po e kufizon aventurën e Hashim Thaçit, e gjeti veten të jetë në fakt akt nismëtar i po atij projekti. Grupi negociator është hapi i parë konkret për realizimin e projektit për të cilin Thaçi kishte negociuar paraprakisht. Ky ekip ka filluar që në përpikmëri ta luajë lojën rregullat e së cilës i ka vendosur treshja Thaçi-Mogherini-Vuçiq. Kësisoj ekipi negociator është materializimi i parë i idesë së kësaj tresheje, goli i parë i kësaj loje që deri pak para disa javësh s’po e luante askush. Prej shqetësimit nga deklarata që llogaritej si kërcënuese, se nuk do të kishte vija të kuqe, vetë ekipi negociator mundësoi që të hiqet vija e kuqe ndaj kësaj deklarate. Ata u bënë pjesë e zbardhjes a ndoshta zverdhjes së vijës së kuqe.

Ekipi negociator apo cilido subjekt tjetër politik që pretendon ta limitojë Hashim Thaçin brenda lojës e tij, e ka shumë gabim për më tepër kur vetë ky hap e zhbllokoi dhe i dha kuptim kësaj përpjekje personale të presidentit, e cila dikur dukej krejt absurde. Ekipi negociator po sillet sikur po luan me presidentin, a në fakt vetë janë marionetat e negociatave, kornizat dhe fushveprimin e së cilëve e ka përcaktuar me kohë treshja e mësipërme Thaçi-Mogherini-Vuçiq. Madje edhe kritikat ‘konstruktive’ që ky ekip mund t’i ketë, në mënyrë automatike shndërrohen thjesht në këshilla për përsosje dhe mirëmbajtje të vetë kësaj aventure të presidentit. Arritja e parë e ekipit negociator pra është de-absurdizimi i aventurës së rrezikshme të presidentit Thaçi, bërja e saj “të pranueshme”. Kjo fantazi ishte krejt e pavlerë derisa disa subjekte politike besuan se mund ta reformojnë atë. Ky ishte momenti vendimtar.

Kosova nuk duhet të luajë dhe nuk duhet të ndjekë vallen e Hashim Thaçit. Ekipi negociator nuk ka nevojë të na shfaqë talentin e tij brenda fantazisë së presidentit. Pozicionimi i vetëm i drejtë sot, do të ishte tek grupi a përkatësia politike që refuzon të përfshihet në këtë fantazi. Ekipi aktual negociator në rastin më të mirë mund të jetë thjesht një version pozitiv i një ëndrre të keqe. Çdo mekanizëm që nuk e demanton fundamentalisht këtë lojë me Republikën e Kosovës, fantazinë e Hashim Thaçit jo vetëm që nuk e ndalon, por edhe vetë përkthehet në mekanizëm që e jetëson këtë projekt të huaj. Duke iu referuar filozofit slloven Slavoj Zizek do të mund të thoshim se ky ekip negociator është “aktivitet i rremë” në raport me problemin që mendojnë se janë duke u marrë: pra veprojnë që të ndodhë diçka, me qëllim që të mos ndryshojë asgjë. Jemi ende përbrenda të së njëjtës fantazi.

Janë dy pyetje që duhen shtruar këtu që njëkohësisht përbëjnë edhe thelbin e këtij shqetësimi. Si mund ta largojmë rrezikun e të qenit të ekspozuar direkt ndaj humnerës së kësaj aventure të presidentit? Dhe si do të mund ta përballojmë këtë takim të rrezikshëm me dëshirën e presidentit?

Shpëtimi për këto është imagjinata do të thoshte Zizek. Është ajo që na mëson si të dëshirojmë. Imagjinata e ekipit aktual negociator nuk është të dalë përtej koordinatave të horizontit të Hashim Thaçit, por thjesht imagjinatë e një veprimi ‘realist’ që kërkon të bëjë më të mirën e mundshme përbrenda një fushëveprimi krejtësisht të pakontrollueshëm nga ta dhe i përcaktuar nga tjetërkush. Akti nismëtar për negociata siç duhet do të ishte demantimi i hapësirës së mbyllur, denoncimi i detyrimit për të zgjedhur përbrenda një fantazie të rrezikshme. Përzgjedhja për t‘u futur në këto bisedime pa demantim dhe pa ndalje të kësaj inciative është përcaktim për t’u marrë me pafundësinë e problematikave që kanë prodhuar deri më tash proceset e njëjta nga njerëz të njëjtë për shkaqe të njëjta. Pa reflektim mbi të kaluarën, rezultatet kurrë nuk do të jenë të ndryshëm. 

Interpretimi i fantazisë së presidentit

Posa u futën në këtë lojë drejtuesit e ekipit negociator dolën me një lloj ultimatumi për presidentin Thaçi në lidhje me dorëzimin e dokumenteve të cilat dëshmojnë se deri ku ka arritur procesi i bisedimeve Kosovë-Serbi. Përveçse nuk iu përgjigj fare këtij ultimatumi, presidenti nuk i dorëzoi dokumentet fare tek këta drejtues. Duket sikur presidenti Thaçi nuk ua beson atyre as interpretimin e fantazisë së tij. Ai kishte përgatitur një ‘doracak’ për ta se si do të duhej të lexoheshin bisedat, temat që ai tashmë i kishte negociuar në Bruksel. Por e vërteta nuk është këtu. 

Kërkesa që ekipi negociator i ka bërë presidentit duke i kërkuar atij dokumentet e bisedimeve të deritanishme mes tij dhe Vuçiqit për të kuptuar të vërtetën, nuk paraqet thelbin e problemit. Thelbi i problemit është vetë presidenti me përpjekjen e tij. Nuk mund të kërkohet asgjë përtej tij. Tash e sa vite jemi dëshmitarë të negociimit, politikave e veprimeve të tij. Ky rast mes ekipit negociator dhe presidentit Thaçi natyrshëm të kujton proverbën e njohur për punëtorin që dyshohej për vjedhje. Pas çdo mbrëmje kur ai përfundonte punën karroca e tij i nënshtrohej një kontrolle të rreptë, por që rojtarët nuk gjenin asgjë, përderisa në fund e kuptuan se ai po vidhte vetë karrocat. Në një pronocimin të dy drejtuesve të ekipit negociator pas takimit të dytë me Thaçin u theksua se në këto dokumente nuk ka asgjë, duke aluduar se gjithçka duhet të nisë nga fillimi. Në fakt e vërteta qëndron pikërisht në zbraztësinë e dokumenteve dhe mungesën e tekstit në negociatat e presidentit. Aty, te fakti se ky person nuk lë gjurmë të shkruara, mund të mësohet gjithçka.