kritikë
Duart ‘socialdemokrate’ mbi qytetin

Duart ‘socialdemokrate’ mbi qytetin

Glauk Tahiri - 30 prill 2019 - 14:40

“Kompanitë e ndërtimit duhet të protestojne te shtëpia e Hashimit që përmes kontratave milionëshe me Bechtell-in, i la këto kompani dhe të gjitha mjetet e tyre të punës jashtë autostradave dhe jo te Komuna që nuk po ua lë qytetin”, pata shkruar si status në rrjetin social facebook me datë 25 prill, 2015, kur përplotë kamionë të ndërtimtarisë po parakalonin pranë zyrës së Lëvizjes, në shenjë proteste për ndalimin e ndërtimeve pa leje. Ky status ndoshta jo më i qëlluari atëherë, por prapëseprapë i vërtetë, më erdhi në mendje tani kur po shihja Inspektoriatin e Komunës së Prishtinës tek pengonte një qytetar të protestonte përballë qeverisë kundër vdekjeve të punëtorëve në vendpunishte.

Insepektoriati i Komunës së Prishtinës, si institucion kredibil ka filluar të shquhet në kohën kur Lëvizja VETËVENDOSJE! udhëheqte me Komunën, dhe kur një nga premtimet kryesore për ndalimin e ndërtimieve pa leje, si dhe për vënien e një standardi të ri në fushën e ndërtimtarisë po merrte formë. Pra, për sa kohë Lëvizja e kishte komunën, kompanitë e ndërtimit nuk ndërtonin kuturu, por sipas një plani urbanistik. Puna karshi planit urbanistik përcillej me një standard  asokohe që i pati minimizuar aksidentet në vendpunishte me thuajse asnjë aksident fatal ku ndonjë punëtorë pati humbur jetën.

Inspektoriati i Komunës së Prishtinës sot, në vitin 2019, ku komuna e fituar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! u vodh nga një njeri e disa njerëz që patën një agjendë tjetër, ka sjellë një gjendje tjetër, të re, e mjerisht edhe më të rëndë. Komuna e Prishtinës shumë shpejtë është shndërruar në qytetin ku ato katër vite të drejtuara me maturi shthuren brutalisht me rikthimin e zhbërjes së dikurshme të qytetit. Tashmë, vendpunishtet nuk inspektohen dhe numri i vdekjeve të punëtorëve në to është rritur. Pra, sot në Prishtinë përveç se janë shtuar mbindërtimet, janë shtuar edhe përfitimet e kompanive private që pajisen shumë shpejtë dhe lehtë me leje. Në anën tjetër kompanitë private nuk lodhen as ta rrethojnë vendpunimin, sepse nuk kanë një institucion ose inspeksion që i mbikqyrë. 

Këto dy vitet e fundit 31 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës. Shumë prej këtyre rasteve kanë të bëjnë me këtë qytet ku edhe zhvillohen ndërtimet pandërprerë tash e katër vite. Për shumë prej rasteve të aksidentuara dhe me fatalitet e dimë se si dhe pse kanë ndodhur. Përveç raportimit të mediumeve, i shohim përditë vendpunishtet të qëndrojnë të parrethuara dhe punëtorët të punojnë pa u lidhur. Nuk janë të vogla as rastet që shumë bashkëqytetarë fotografojnë këto vendpunishte dhe i postojnë nëpër rrjete sociale duke paralajmëruar rrezikun, por institucionet si ato qendrore edhe ato lokale përherë heshtin.

Së fundi, një qytetar erdhi me një ide kreative të protestës për të shënuar mungesën e sigurisë në vendpunishte dhe papërgjegjësinë e institucioneve karshi kompanive private të ndërtimit dhe ai u pengua nga Komuna. “Kurban për themele të ndërtesave”, e kishte titulluar aksionin e tij simbolik ky qytetar duke aluduar te gjaku i punëtorëve nëpër themelet e ndërtesave të reja në Prishtinë ku po punohet çnjerëzisht dhe mjerisht kundër qytetit. Por ky aksion u pengua nga inspektorati i Komunës së Prishtinës.

Komuna e Prishtinës që dikur punonte nga mëngjesi deri në mbrëmje duke ofruar shërbime për qytetarët, tani e vjedhur nga ‘socialdemokratët’, për një javë nuk pati kohë të ndajë leje për qytetarin në fjalë dhe e përdori pikërisht këtë mungesë të lejes për të intervenuar, për ta parandaluar zhvillimin e një proteste pranë institucioneve qendrore. Pra, disa 'socialdemokratë' që në të kaluarën kanë bërë përplotë aksione dhe protesta pa marrë kurrë leje nga institucionet, tani u bënë institucionalë-tepër-institucionalë para qytetarit si kurrë më parë. Kjo mund të lidhet me pazaret që këta kanë me hajnat në qeveri; qeveri të cilën edhe janë duke e mbajtur me votat e tyre të vjedhura, por kjo nuk mund të kalojë edhe mbi trupat e punëtorëve. Është e papranueshme të shkelen e të vriten punëtorë në vendpunishte përshkak se disa zyrtarë në qeveri kanë kompani ndërtimi dhe përshkak se disa zyrtarë të tjerë në komunë kanë detyrime ndaj tyre. Çfarëdolloj socialdemokracie nuk ka vrarë dhe nuk ka zvarritur qytetarët e punëtorët kësisoj sikur kjo parti që na e vodhi qytetin. Kjo parti as protestën qytetare nuk ta lejon, ndërkohë që pretendon të shtrihet në popull. Kur vjedh votën e qytetarëve nuk e ke merak as jetën e punëtorëve, as qytetin dhe as protestat.