kritikë
Trupin ta lëmë në shejtnin e vet

Trupin ta lëmë në shejtnin e vet

Anonim - 20 maj 2019 - 18:24

Pa emër

Heshtja i bën bashkë dhe i shkrin mes veti gratë e dhunuara dhe të zhdukurit e luftës së Kosovës. Heshtja i ndan ata prej nesh që nuk rrimë dot pa folur. Gratë e dhunuara dhe të zhdukurit i ndjejmë po aq larg. Edhe dëshmitë e pashoqe të Marte Tunajt e Vasfije Krasniqi-Goodmanit i ngjajnë më shumë jehonave sesa fjalëve, atyre jehonave që mbesin në kokat tona nga zëri i të dashurve të zhdukur. Gratë e tjera që kanë dëshmuar dhunimet ndaj tyre të aparatit shtetëror serb kanë folur me fytyrën mbuluar, si të ishin duke folur nga pozitat e të zhdukurave. Gratë e dhunuara janë vendi prej nga fjala del të jetë një lëvizje bllofi, të tingëllojë tepër pretencioze, siç mund të duket ky shkrim. Fjala jonë nuk është ende e denjë për trupat e tyre.

Pa emër, pa fytyrë, pa trup po shkruaj, po shkruaj gjuhën që lan hesapet me veten e saj. Pa emër, pa trup, të pafytyrë flasim. Akoma nuk e kemi gati fytyrën e fjalën për t’i bërë vend zhdukjes e përdhunimit. Gjithçka kemi pas shpirtit janë trupat e brishtë e plot ankth, fjalët e pabesa e të vrazhda gurë dhe të vërtetat tona që nuk po dimë akoma sesi t’i ndajmë. Bota ekziston falë të vërtetave, kush mashtron mundet me mashtru vetëm ngaqë ekziston e vërteta paraprakisht. Ekziston e vërteta, pra mundemi të mashtrojmë me të. Filozofi Teodor Adorno thoshte se kushti i të vërtetës është ta lejojmë dhimbjen të flasë. Detyra jonë është t’i bëjmë vend asaj fjale, të përgatitemi për të qenë gati për të dhe jo t’ia mbyllim gojën tek flasim në emër të saj. Tek flasim në emrin e tyre i zhdukim për së dyti.

Pa emër, pa trup, i pafytyrë po flas me veten. Nuk po flasin të zhdukurit/at e as të përdhunuarit/at. Po flasim për veten tonë, ne që kemi shtysën e pashpjegueshme ende për të folur në emrin e tyre, ne që besojmë tepër te përfaqësimi, që duam trupin ta riprodhojmë në foto e dhunën në imazhe. Ne që duam të flasim në emër të trupit e të dhunës së pësuar, ne na duhet më së pari të flasim me veten. Zhdukja e përdhunimi tërhiqen nga gjuha e na lënë fillikat.

Ne që duam të përfaqësojmë viktimat e përdhunimit e zhdukjes duhet më parë të mësojmë sesi të përfaqësojmë veten përballë tyre. Duhet të na tmerrojë fakti se mund t’i fyejmë apo mund t’ua neverisim me fjalët tona për ta. Duhet të na kalli datën fakti se fjalët tona për ta mund të mos jenë të duhurat. Duhet të na tmerrojë fakti se përpjekja jonë fjalamane e imazhndjellëse në emër të dhunës së pësuar mund të jetë po aq e dhunshme sa vetë dhuna.

Një përpjekje e madhe me mish e me shpirt lipset me i ndje gratë e dhunuara që zgjedhin të jetojnë e të heshtin në të njëjtën kohë. Një përpjekje e madhe përmbi vdekje lipset t’i ndjejmë tek zgjedhin heshtjen tek na shohin sesa të dhunshme janë fjalët tona tek pretendojmë se po i flasim. Si ta kuptojmë ndryshe Saranda Bogujevcin kur kërkoi që fotografia e shpërndarë nga Flora Brovina, mediat dhe qytetarë të tjerë të tërhiqej sepse dhunonte për së dyti si dhuna fillestare?!

Disa prej nesh e shpërndamë foton. Donim të inskenonim krimin. Jo vetëm dhunuesin e donim në skenë, por edhe viktimën; jo vetëm viktimën, por edhe aktin tek kryhej. Dëshpërimisht shpresonim se trauma na bën të ndjeshëm, na mobilizon e na emancipon. Ishim dorëzuar, donim të binim viktima. Donim të traumatizoheshim sepse dyshonim në ndjenim gjë më. Donim të bëheshim të ndjeshëm përmes dhunës. Tmerri se mos nuk ndjeja më asgjë prej kohësh. Nuk e ndamë lëkurën me viktimën, nuk ishte dinjiteti i saj qëndror për ne. Qëndrore ishte nevoja jonë me u traumatizu; basti se përsëritja e traumës do na e kthejë ndjenjën. Nuk e dinim se trauma vret herën e parë, por vret edhe më shumë herën e dytë.

Nuk ia kemi mbërritur t’i bëjmë vend fjalës së grave të dhunuara. Nuk e dimë se përdhunimi është aq i dhunshëm sa të bën të pandjeshëm, të anestezon, si portreti i Flora Brovinës. Sa e pandjeshme dukej Flora atë ditë, sa shpotitshëm e valëviste trupin e një gruaje tek dhunohej. Aq i dhunshëm është aparati i klikës së Kadri Veselit në PDK sa edhe një poete e aktiviste të të drejtave të njeriut e bën totalisht të pandjeshme, një instrument të verbër të dhunës së tyre mbi ndërgjegjet tona.

Thonë se një spiun perfekt është një spiun që nuk e di se është spiun. Sot mund të themi se një dhunues perfekt është një dhunues që nuk e di se është dhunues. Rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira thoshte Lenini. Qëllimet e mira nuk janë garanci e ndërhyrjeve të mira. Takti e mirësjellja janë gjithçka. Flora ishte atë ditë një dhunuese perfekte, ajo as nuk e dinte se ishte e tillë. Flora atë ditë zhduku veten e saj dhe u bë mediumi që inskenonte dhunën e aparatit shtetëror serb.

Kadri Veseli thotë se Flora Brovinës nuk duhet t’ia vëmë re se është e torturuar qysh e vogël e përgjatë gjithë jetës. Kadri Veseli e ka ditur këtë prej kohësh, atëherë i bie se pikërisht për këtë arsye e ka pranuar në radhët e veta. Kadri Veseli vazhdon të mos e trajtojë Florën si subjekt. Kadri Veseli do të na e zhdukë Florën nga sytë tanë. Kadri Veseli hodhi gurin e fshehu dorën, tani do të fshehë edhe gurin. Ne nuk mund të lejojmë që Flora të zhduket, ne duhet ta mbajmë atë përgjegjëse për ç’ka bëri. Flora Brovina po rrëshket nga njerëzia, Flora po vetëzhduket, ne duhet t’i kërkojmë asaj dorëheqjen, ajo s’mund të përfaqësojë më as veten e vet. Ne duhet ta mbajmë Florën në njerëzim duke i presupozuar përgjegjësi. Arthur Koestler ka thënë se nëse pushteti korrupton, atëherë edhe e kundërta është po ashtu e vërtetë, persekutimi korrupton edhe viktimat anipse ndoshta në mënyra më të nëntehshme e më tragjike.

Zhdukja dhe përdhunimi janë ndoshta aktet më të dhunshme që mund t’i bëhen një njeriu, një familjeje apo një populli. Këto dy përvoja ekstreme të një qenieje ekstreme si njeriu janë thuajse të pafolshme e të pakomunikueshme. Fjalët belbëzojnë, rrëzohen dhe shpërbëhen përballë këtyre dy krimeve kundër njerëzimit. Veshët nuk ia mbërrijnë t’i kapin notat e tonalitetin e kësaj kataklizme. Abisi që hapet nga ky gjymtim është një hendek i pakapërcyeshëm mes trupit dhe gjuhës. Pas zhdukjes dhe përdhunimit trupat nuk i zënë më besë fjalëve, trupat e dhunuar hezitojnë të flasin e trupat e zhdukur heshtin përgjithmonë. Thuajse fjala është e padenjë për trupin brenda një katastrofe të tillë. Në rastin e të zhdukurve fjala ndihet sikur nuk ia mbërrin kurrë të shkojë në destinacion, goja lëviz e dhimbja nuk del. Në rastin e përdhunimit fjalët na e neverisin dhe na kallin datën në të njëjtën kohë. Të gjithë e kemi ndjesinë këto ditë se nuk kemi fjalë për këtë që ndodhi. Ta dëgjojmë zonjën Vasfije tek thotë se nuk mund ta përshkruajë dhunën që u bë me shpërndarjen e fotos. Akti i zhdukjes dhe ai i përdhunimit qëndrojnë si një hije e rëndë mbi kokat e njerëzisë. Ankthi i tyre nuk është heroik, si rënia e dëshmorëve në luftë.

Dëshmorët na mbajnë pas veti e në Kosovë, ata na e themelojnë dinjitetin e jetës përmbi vdekje, na e lënë vitalitetin e luftës për liri dhe barazi si stafetë. Zhdukja dhe përdhunimi i përmohuar janë më të dhunshme ndaj nesh sesa rënia e dëshmorëve. Zhdukja dhe përdhunimi i përmohuar na mbajnë në një zonë midis jetës dhe vdekjes, as dëshmorë e as viktima, një jetë paralele ku koha nuk ecën, një jetë paralele e cila e varfëron së tepërmi botën.

Heshtja totale e të zhdukurit/ës që e rrethon familjen e të dashurit të tij ose të saj e bëjnë atë gjithnjë e gjithkund të pranishëm. Heshtja e tyre na bën t’i kërkojmë tokës të na flasë e ajrit të na përqafojë. I pagjetur na kaplon të gjithë universin dhe na e ndalon kohën. Një ndjesi borxhi dhe faji ndaj tij a saj nuk na shqitet nga trupi. Pa trupin, vajtimi nuk mjafton kurrë. Vetja na duket dy dimensionale, si një pikturë me laps gri në një letër të bardhë, si një dritëhije, kur humbjen nuk e qajmë dot në një varr, ku bota na bëhet një varr pa trup, ku Kosovën e ndjejmë sa të gjithë universin. Zhdukja e të dashurve tanë na e zvogëlon botën dhe na e bën të na duket e rrejshme.

Edhe gratë e dhunuara heshtin. Ruajnë një botë në gjirin e tyre që sapo shpallet shqyhet. Sentimentalizmit tonë ndaj tyre nuk është për t’i zënë besë. Pse rrinte dhe e pyeste gazetari i InfoMagazinës në Klan Kosova zonjën Vasfije, pasi ajo e kishte dhënë më parë dëshminë e saj në publik, vazhdimisht dhe deri në detaje se çfarë i kishte ndodhur asaj? Neveria që na shkakton një pyetësim i tillë kaq autoritar dhe i paskrupullt, njëjtë si shpërndarja e fotos nga mediat e në rrjetet sociale, s’duhet të na verbërojë, por të na bëjë të mendojmë. Gazetari dhe mediat ishin mjerane, po kërkonin spektaklin e traumës. Me çdo kusht po kërkonin tërheqjen e vëmendjes drejt tyre me valëvitjen e një trupi të dhunuar. Heshtja e grave ndër vite dhe shpërndarja e fotove prej Florës e mediave janë dy botë të ndryshme. Gratë e dhunuara e dinë se i kanë armike këto media që i përkojnë përshkrimit të Migjenit për mjerimin: të mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës mbi të cilën hangri darkën një qen i pamshirshëm, me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.

Shpërndarja e fotos e kurbanizoi trupin e gruas së dhunuar. Dinjiteti i pareduktueshëm i atij trupi ishte synuar të zhdukej përmes përdhunimit. Pikërisht momenti tek dinjiteti i trupit dëshpërimisht tentohet të shqitet prej tij u synua të shpërndahej nga mediat. Ajo pamje është pamja e abisit të qenies, shthurja e stofit të njerëzimit, momenti kur bota shpërbëhet. Ajo pamje nuk na mobilizon e nuk na bën të ndjeshëm, ajo pamje na copëton në mijëra copa të padukshme e të pavendosura kuantike. Duhet gjetur mënyra sesi të flasim për përdhunimin pa e cënuar edhe njëherë trupin.

Gratë e mbajnë shejtninë dhe dinjitetin e atij trupi me vete në heshtje. Nuk mund të presim të na e besojnë aq lehtë përvojën e trupave të tyre. Desh e kanë humbur njëherë, nuk mund ta rrezikojnë për së dyti me ne. Me fjalët e një filozofi mund të themi se konflikti me Serbinë është qëndror, por jo i rëndësishëm, dinjiteti i atyre trupave të grave është i rëndësishëm. Shumë feministe kanë vënë në dukje se dhunimi i grave nga forcat kolonizatore bëhet për të shpërfaqur me ekstazë pushtimin dhe posedimin e tokës prej tyre. Trupat e grave i dhunojnë të treguar se vendi tashmë u përket atyre. Për ne, Kosova është vendi ku shpërfaqet përmasa gjenocidiste e kësaj shtyse të shtetit serb dhe vendi ku hapet mundësia me rujt dinjitetin e njerëzve të saj. Gratë na thonë qartë me heshtjen e tyre se pavarësia e Kosovës nuk mjafton, se nuk jemi ende gati për t’i bërë vend atyre. Është qëndrore që Serbia të dënohet, por është e rëndësishme që ne të ruajmë dinjitetin e viktimave të saj. Na duhet t’i bëjmë vend trupave të tyre në mesin tonë.

Përdhunimi është akt aq i dhunshëm sa të mbijetuarit/at e tij shpesh i bën të largohen nga vendi edhe pasi trupat armike janë tërhequr. Përdhunimi tenton të ta bëjë edhe luftën, lirinë, barazinë e vetëvendosjen një alibi. Sikur të mos mjaftonte kjo, shumë prej grave të dhunuara gjatë luftës të thirrura në seancat intervistuese të UNMIK-ut janë marrë në pyetje deri në 28 herë për të njëjtën dëshmi të përdhunimit duke e shndërruar kështu UNMIK-un në një makth për to. Vetëm dy prej tyre kanë dëshmuar me emër e trup për ndërgjegjen tonë publike dhe për atë të botës. Valëvitja nga Flora, PDK-ja dhe mediat në Kosovë e një fotoje nga akti i dhunimit të një gruaje është relativizimi maksimal që i bëhet dinjitetit të trupit të viktimave. Kjo valëvitje nuk është me gratë e dhunuara, por gjymtuese armike e dinjitetit të tyre.

Këtë gratë e dinë shumë mirë, prandaj nuk flasin. Edhe për marshimin e sotëm protestues organizatorët e marshimit kanë bërë thirrje se, “të mbijetuarit e dhunës seksuale nuk munden të dalin hapur në këtë marsh, ju ftojmë të gjithëve që të na bashkangjiteni në marshin protestues, në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”. Edhe nëse morën pjesë gra të dhunuara në marshim ato ishin të pranishme si të zhdukurit, i ndjejmë gjithkund, por nuk mund t’i dëgjojmë e t’i shohim. Ndoshta e vetmja mënyrë për t’u bërë bashkë me to dhe me të zhdukurit është që protestat e tilla të kenë pjesmarrje masive nga ana jonë, por ku të gjithë të heshtim. Politika emancipuese fillon nga mënyra sesi e masim heshtjen. Le ta masim fjalën tonë me heshtjen e tyre.