kritikë
E di që është e keqe, por megjithatë duhet. Do të thotë nuk e di që është e keqe

E di që është e keqe, por megjithatë duhet. Do të thotë nuk e di që është e keqe

Arlind Manxhuka - 26 korrik 2019 - 16:42

Kosovën e pasluftës përgjithësisht e ka shoqëruar një kërcënim i vazhdueshëm i popullit nga të gjitha qeverisjet, ama bash secila. Asnjë nga qeverisjet nuk del të ketë qenë në frekuenca të ndryshme të operimit sa i përketë mënyrës se si i ka parë proceset në vend e karshi tij. Edhe në raste kur është dukur se diçka po ndërron menjeherë vërehej se ishte komplet reaksion i një kritike joparimore që tentonte të merrej me sekuenca të politikës së vet e që këto i shiste si patriotizëm. Pra politika jonë për këto 20 vite ka qenë rekasionare në premisa dhe “patriotike” në reagim ndaj vetës duke menduar se po i përgjigjeshin Serbisë. Ky do të ishte përkufizimi më i mirë nëse gjykojmë në nivel të një politike racionale që megjithëse e gabuar nuk ka diçka që fshihet prapa. Por realiteti e thotë ndryshe, në shumicën e negociatave ka pasur më shumë pazar se bisedim. Më shumë janë shtyer në çmim sesa kanë mbrojtur pozicionet.

Por, për gjithë këto vite në çdo fushatë, në çdo tubim a takim, çdo paraqitje televizive këta pushtetarë, përveç kompromisit të dhimbshëm, sillnin edhe një lloj kërcënimi me arsyetimin që ne e dijmë që kjo është keq, por megjithatë e kishim me patjetër. I gjithë qëllimi i këtij debati ishte që në fund qytetari jo që do t’i kritikonte, por mundësisht do të dilte duke u ndjerë keq, i pafuqishëm dhe ndoshta edhe duke i kërkuar falje për pritshmëritë e tij. Formula ishte e tipit që unë nuk mundem, por as ti mos provo. Nëse ishte e lehtë të gënjehej populli kur këta pushtetarë e futën vendin në tunelin ku nuk shihej askund dritë, tash na mbajnë patriotizëm duke e shtyrë me gjoks dritën e kamionit që po vjen në drejtim tonin. E para ndillte pafuqi, e dyta shet patriotizëm.

Fraza që më së miri e shpjegon diskrepancën mes asaj çka këto qeverisje kanë bërë duke menduar se ata nuk do t’i gjejë asgjë ose veprimet e tyre nuk do të kenë rezultate fatale është pa dyshim fraza e psikanalistit dhe filozofit të njohur Zizek i cili kur flet për hipokrizinë e njerëzve që tentojnë të bëhen sikur i njohin ngjarjet a momente por i injorojnë ato, çka do të thotë se ata në instancë të fundit nuk i njohin ato. “Unë e di që e di, por nuk dua të di që e di, dmth nuk e di”, thotë autori i mësipërm.

Dhe ja ku jemi sot, 20 vite pas përfundimit të luftës dhe 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe po përballemi me rezultatet konkrete të atyre marrëveshjeve për të cilat thonin se: “E dijmë që është kështu, por megjithatë u desht të nënshkruhej/votohej”. Kjo ishte epiqendra e shpjegimit racional të situatës për gjithë këto vite dhe çdo përpjekje për të ndaluar këtë gjë paraqitej si jorealizëm, joracionalitet, çmenduri, prolindor e shumë nofka të tjera. Pra për këto dy vite së paku kemi shijuar tentativën për ndarje të Kosovës që më parë cilësohej si synim i Serbisë, Asociacionin e Komunave me shumicë serbe që u nënshkrua dhe u ratifikua në Kuvend në vitin 2013 dhe Gjykatën Speciale për të cilën u ndryshua Kushtetuta dhe u votua më pas, këtu vlen të theksohet edhe akti i paprecedent i rikthimit për herë të dytë në votim pasi kishte dështuar herën e parë. Të gjitha këto gjëra pak a shumë janë votuar nga e njëjta klasë politike, me dallime shumë minore. Por ku qëndron hipokrizia tani?

Pra, ithtarët e frazës “e di që është keq, por megjithatë…” në premisa, tash bëjnë reagime duke i shitur si akte patriotike, të njëjtit që dikur thonin do ta dëshmojmë luftën e pastër të UÇK-së, tash shajnë të tjerët që i kritikojnë për këtë dhe i pozicionojnë si anti-UÇK, anti-kombëtar, përmes një vetviktimizimi të vazhdueshëm. Së pari, lufta e UÇK-së dhe përpjekja e popullit të Kosovës nuk ka pse dhe nuk mund të dëshmohet nga sprovat e Serbisë ajo është ndërtuar përkundër saj dhe përpjekja për t’ju dëshmuar asaj dhe bashkësië ndërkombëtare ka futur Kosovën në vorbullën e vetshkatërrimit. Dhe, së dyti, nëse është thënë se do të dëshmohet lufta e pastër, pse kemi nevojë për viktimizim dhe sjellje të tilla. Të dy këto argumente tregojnë më së miri se atëherë kur pretendohej se dihej, në fakt nuk dihej, ose dikush kishte marrë diçka në këmbim.

Në nivelin kur Kosova i ka krijuar tribunal vetës, dhe nuk e di nëse ka edhe diku tjetër në botë, dhe në kohën kur gjykohet përpjekja çlirimtare për liri dhe barazi e popullit të Kosovës, së pari tashmë jemi përlyer duke u vetfajësuar me paragjykim, dhe së dyti, është krejt irrelevante emri i atij që intervistohet nga Gjykata kur tashmë e kemi intervistuar historinë dhe vet luftën e UÇK-së. Imagjinojeni, ne e kemi çuar Kosovën në Haagë dhe tash befasohemi për komandantin që thirret. Tash është vonë dhe qytetarëve i duhet ndryshuar një herë e përgjithmonë kjo lloj mendësie e politikanëve që nënshkruajnë në fillim dhe jo në fund të letrës. Ndërkaq tash kur para nesh herë luajnë patriotin dhe herë viktimën, teksa thonë që “ne e dijmë, por megjithatë…”, ne njëzëri duhet t’i përgjigjemi “Jo nuk e dini”.