mendim
Universaliteti i provincës

Universaliteti i provincës

Arianit Beqiri - 27 janar 2019 - 14:03

(Shkrim për filmin “The Wild Pear Tree”)

Rrugëtim në mes të ujit. Kështu do e quaja këtë film. Sigurisht që figurativisht e shprehur, ngase filmi fillon dhe mbaron në mes sfondit të ujit. Në një kafene të qytetit, reflektimi i Bosforit mbi Sinan Karasu rikthehet nga nëndija ku porsi Don Kishoti në luftën me mullinjtë e erës edhe Sinani e vazhdon rrugën e të atit – gërmimin e një bunari në maje të një kodre. Dallimi është se tek kafeneja uji e mbyt imazhin e Sinanit, kështu fillon edhe filmi, për dallim nga fundi i filmit ku uji na shfaqet si një sfond i padukshëm që e mirëmban përpjekjen e Sinanit. Sigurisht, Sinani shfaqet prej shpinës, duke gërmuar në një gropë të thellë. Pra, Sinani mbart subjektin - punën pa rezultat konkret.

Sinani është personifikimi i një të riu në Botë. Përfundon studimet, kthehet në shtëpi dhe ballafaqohet me realitetin: papunësinë. Një dollap modest për disa libra, ku një shtrat ndonëse i vogël e zë pjesën më të madhe të dhomës së vogël, në një shtëpi me dy dhoma, në Çanak-kalenë e vogël, një djalosh po luftonte që të botonte librin e tij të parë. Nuk është libri si akti final ajo se çfarë Sinani donte të bënte, por ishte t’i realizonte mundësitë e daljes në botë. Botimit. Pra, jo produkti final, por përpjekja për ta arritur atë. Procesi. Sigurisht, që në një vend të tillë ku me mijëra shkrimtarë presin në radhë për botim, të rinjve nëse nuk u buzëqesh fati ata si fillim kanë entuziazmin, pastaj ndoshta as kujtimet.

Po pse Sinani është kaq i rëndësishëm? Sepse po flasim për atë që shumica prej nesh jemi. Sepse po flasim pikërisht për neve. Nuk po flasim për një talent të cilin do e kujtojë historia me krenari për vargjet a për shpikjet e tij, por as nuk po flasim për një të metë të cilin fati e përjashtoi e nuk do ta kujtojë më askush, po flasim për ne që jemi në mes. Ne, që sukseset ose dështimet tona na shpallen si produkt i punës a i mos punës sonë. Ëndrra po, por jo ëndërrimet. Sinani ëndërronte të bëhej shkrimtar, por ja që me një libër të botuar ëndrra nuk realizohet dot. Kjo ishte e para.

Që të vazhdojmë të flasim për rëndësinë e Sinanit, duhet të pyesim se çfarë nuk sheh Sinani të cilën ne e shohim në jetën e tij dhe nuk e shohim në jetët tona? Përditshmërinë. Jo monotoninë. Por se si duhet të jetojmë përditë, pa kuptim. Nuk e kupton se përse nuk pranohesh në një vend pune pavarësisht se ke diplomuar e ke kryer provime shtesë; po edhe nëse do pranoheshe nuk e kupton se a e do vërtetë atë punë; mbi të gjitha se a po e jeton ti jetën tënde, apo Dikush tjetër i ka krijuar disa parametra në të cilët ne veprojmë e ku mendojmë se jemi duke vepruar me vullnet të lirë.

Nëse kjo është pika e dytë, atëherë duhet të japim diku përgjigje më të zgjeruara e diku të pyesim sërish. Të imagjinosh tjetrin e nëpërmjet tij ta bësh kritikën për të. Të gjithë bëhemi Sinan dhe arrijmë të gjejmë zgjidhje për gjithçka, prej problemit me fondet për botimin e librit, tek zënka me grushte në shoqëri, britmat në familje, çështja e bunarit e çka jo tjetër. Në fakt, çdo zgjidhje që e ndërmerr Sinani neve edhe veç nëse na shkon në mendje, na duket absurde, sepse janë zgjidhje që nuk do t’i merrnim po të ishim në rolin e tij. Harrojmë, që në jetët tona, vendimet e tilla jo që i marrim por tashmë janë normalizuar. Tek tjetri jemi të zhveshur nga vetja. Ku nuk ndikohemi nga përditshmëria dhe se gjykimet i kemi tërësisht racionale. Por, a nuk thotë një filozof i madh gjerman, se gjithçka që është reale është racionale dhe se gjithçka që është racionale është reale? A nuk duket se të vetmen herë kur kemi marrë pjesë në jetët tona ka qenë atëherë kur e parafytyruam vetën tek Sinani?

Po përse për mua pika e tretë është më e rëndësishme ndonëse do të pasohet edhe nga një e katërt!? Pika e tretë është tek thirrja që e shohim nëpërmjet Sinanit, kurse ajo e katërta është vetë thirrja e Sinanit. Cilën thirrje e shohim tek Sinani? Provincën. Nuk përbën dallim se ku ndodhesh në vende të tilla: në cilën lagje jeton, në cilën kafene pi kafen a çajin, ku ushqehesh, ku e mbaron shkollën, e ku e ku tjetër jeton -të gjithë njihemi. Ndonëse nuk jemi në tavolinat e njëjta në çajtoret buzë rrugëve, ama mund të flasim me njëri-tjetrin për të gjitha bisedat që i lamë ditën e kaluar e që do i gjejmë sërish ditën e ardhshme.

Kjo është edhe thirrja kinematografike që na e bënë regjisori Nuri Bilge Ceylan. Skena të gjata me shumë dialog, ku nëpërmjet montazhit të vrazhdë – nga një kuadër na dërgon në tjetrin pa e shkëputur dialogun – regjisori thërret për llojin e bisedave që mund të ndodhin. Apo një vend i cili në të bëhet lajm se dikush paska vënë baste në garën me kuaj, i pafe do të duket hoxha i ri i fshatit kur fillon e mendon se ndoshta do të duhet ta reformojmë fenë islame e ta përshtatim me avancimin e madh të teknologjisë. Apo ku aplikimin e vetëm për punë e bënë si mësues, ndonëse nuk je i sigurt se a do të bëhesh tërë jetën mësues, por se do të duhet ta vazhdosh traditën familjare. Prandaj, që të shohim nëpërmjet Sinanit nuk është rrugë e lehtë. Sigurisht që do të duhet të kalojmë nëpër provincë. Të kalojmë, sepse Sinani është akti universal i provincës. Ne flasim për botën e tij, për atë që ai mendon se është më e shtrenjtë, për atë që ai ka për zemër dhe ku ai na thërret në universin e tij. Sepse të jesh Sinan Karasu i Çanak-kalesë sot, do të thotë të jesh sinan karasu i çdo province tjetër.

Po thirrja e Sinanit, si pikë e katërt? Cila është ajo? Asnjë thirrje tjetër përveç thirrjes që ky i ri i bën vetës: ta jetojë jetën me një fund të pasigurt. Nga konfliktet që mund të mos zgjidhen asnjëherë, tek njerëzit që krijojnë situata të cilat nuk i kuptojmë, por ku të jetuarit rehat në një parehati të vazhdueshme është akti të cilën individin e bën të vetëdijshëm për jetën e tij, për domosdoshmërinë e jetës me të tjerët dhe pamundësinë e arratisjes nga e vërteta. Të gjitha këto i mësuam nga Nuri Bilge Ceylan. Mësuam edhe diçka tjetër, se jo vetëm e drejta dhe e gabuara mund të ballafaqohen. Mund të kenë të dy të drejtë, por mund ta kenë edhe të dy gabim.