mendim
Kush “e dogji” Evropën e 30 dashamirëve liberalë

Kush “e dogji” Evropën e 30 dashamirëve liberalë

Arbër Zaimi - 30 janar 2019 - 19:55

E fundit epikë muzikore e ciklit wagnerian Der Ring des Nibelungen (Unaza e Nibelungëve) është titulluar Götterdämmerung apo Perëndimi i Perëndive. Bëhet fjalë për veprën që përqendrohet rreth vdekjes së heroit të ciklit, i cili goditet tradhtisht në të vetmin vend ku mund ta shpojë arma, në shpinë. Vepra fillon me tre Nornat që endin fillin e fatit, të cilat habiten kur ky fill befasisht, jashtë çdo parashikimi u këputet. Përfundon me Valhallën në flakë, teksa çdo rregull e rend hyjnor merr fund dhe kozmosi pushtohet nga forcat e kaosit.

Një e tillë përshtypje të vjen ndërmend kur lexon traktin1 e nënshkruar nga “Një kolektiv shkrimtarësh ndërkombëtarë”, botuar nga francezja Libération. Edhe titulli i shpalljes, apo manifestit siç e quan gazeta, është piroteknik: Il y a le feu à la Maison Europe – Shtëpisë Europë i ka dalë flaka. Si Valhalla te Perëndimi i Perëndive.

Ky grup patriotësh evropianë duket se ende nuk po ia pranojnë vetes që vitet ´80-´90 kanë shkuar me kohë, e se neoliberalizmi, apo zgjerimi i tregjeve e i kapitalit përmbi autonominë e secilës sferë njerëzore, e ka futur botën në krizë. Askush nuk beson më te parimet e shenjta të “konsensusit neoliberal”, të cilat kanë perënduar, së paku që prej vitit 2008, kur tre dekada pas sundimit neoliberal dhe logjikës laissez faire, nisi një krizë prej së cilës bota nuk po del dot më. Ekonomistët e mëdhenj të universiteteve perëndimore, shumica të formuar në traditën klasike liberale të ekonomisë, nuk e parashikuan dot krizën as kur ajo u afrua, dhe vazhdimisht ia huqën kohëzgjatjes së saj. Ç´shkencëtarë janë ata që nuk parashikojnë dot as një event kaq vigan e kataklizmik? Tamam si Nornat e mitologjisë, këta ekonomistë thurnin e tirrnin me furkë një fill leshi teorik, me të cilën më shumë se sa shkencë, shtynin përpara agjendë politikë. Si çdo shkencëtar, edhe ata thoshin se punonin për të mirën e përgjithshme, kur zhvilluan teorinë e tyre trickle down, sipas së cilës sa më shumë që pasurohen më të pasurit, aq më shumë do të pasurohen edhe më të varfërit, (sepse të pasurit pasurinë e re do ta investojnë për ta shumëzuar, duke hapur vende të reja pune e kështu me radhë). Mirëpo shifrat flasin ndryshe. Prej popullsisë së globit 1% më i pasur ka fituar 27% të të ardhurave të krijuara në 30 vitet e fundit, ndërsa gjysma më e varfër e njerëzimit, mbi 3 miliardë njerëz, së bashku kanë marrë vetëm 12% të të ardhurave të krijuara në 30 vitet e fundit.2 Ky trend i rritjes progresive të pabarazisë nuk është thjesht global, por është edhe kombëtar, e nuk ndodh vetëm në vendet e dobëta e me shtete difektoze, por psh. edhe në vendin më të fuqishëm ushtarakisht e ekonomikisht në botë, SHBA. Aty në tre dekadat e fundit të ardhurat para taksimit të 10% më të pasur janë dyfishuar, të ardhurat e 1% më të pasur janë trefishuar, e të ardhurat e 0.001% më të pasur janë shtatëfishuar, ndërkohë që të ardhurat mesatare të 50% më të varfër kanë mbetur pak a shumë të njëjtat3 - siç referon Anand Ghiridharadas4 në artikullin “Kryqëzata qesharake e elitës së re, të shpëtojmë botën, pa ndryshuar asgjë”.

Pra, ndryshe nga “ç´besonin” ekonomistët e famshëm neoliberalë e klasicistë, të pasurit që u bënë edhe më të pasur, nuk vendosën të investojnë në hapje të vendeve të reja të punës. Përmes zhvillimit teknologjik të kontrolluar e pronësuar prej tyre, ata përkundrazi, i pakësuan vendet e punës, duke synuar gjithnjë e mv shumë e kudo që është e mundur ta zëvendësojnë punëtorin me makinë. Askujt nuk i lindi ideja që të zëvendësohet administratori, qeveria apo pronari me makinë, fundja gjasat janë që një algoritëm i cili e zëvendëson bordin e pronarëve apo ministrin e financave, do të mund të ishte njëherazi edhe më human, edhe më pak lakmiqar, e edhe më racional se të parët. Veç kësaj të stërpasurit vazhdimisht iu shmangën edhe kontributeve sociale e atyre publike, duke e “deleguar” prodhimin tek vendet e varfra e jodemokratike ku mund të përdorin krah pune të lirë e të pambrojtur prej ligjeve e sindikatave, e duke i ikur taksave përmes regjistrimit të kompanive në parajsa fiskale.

Kjo solli nga një anë rritjen e pasigurisë sociale në vendet e zhvilluara, ku punët në prodhim u pakësuan, papunësia e varfëria u rrit, e shtetet u dobësuan sepse nuk mund të mblidhnin më taksa prej të pasurve, e nga ana tjetër përkeqësim ekstrem në vendet e pazhvilluara, ku për të mbajtur kosto fare të ulët të krahut të punës dhe një situatë pa ligje e sindikalizëm, duhej të ndalej çdo lloj lëvizjeje demokratizuese e duheshin mbështetur udhëheqës mizorë. E meqë të ashtuquajturat sweatshops, ose siç i thonë në Shqipëri – biznese fasone – nuk paguajnë aq sa t´ia vlejë të jetosh nën diktatura e në varfëri, miliona zgjedhin të emigrojnë drejt vendeve më të zhvilluara, (ndër ta edhe shqiptarët tanë të Ballkanit, që jetojnë në kontinentin evropian, por me shtet, demokraci e kapital që i ngjan më shumë jugut të botës).

Mërgimi, edhe pse gjithnjë pjesë e historisë njerëzore, kësaj radhe po i shqetëson më shumë banorët e vendeve të zhvilluara. Kjo jo për shkak të numrit të madh të emigrantëve, se sa për shkak të dobësimit të sigurisë të tyre individuale, shoqërore dhe ekonomike, që e përmendëm më sipër, si dhe për shkak të rritjes së vështirësisë për të gjetur punësim dinjitoz, në kohën kur shtresat e gjera popullore janë reduktuar në konsumatorë të thjeshtë, pasi prodhimi ka mërguar tjetërkah, ndoshta në Indonezi a Kinë e kapitali në një vend krejt tjetër, ndoshta në Maltë a në Panama.

E tillë është situata kaotike e “zjarrit në Valhalla”. Perënditë duket se kanë perënduar vërtet, kur sheh se si liberalët bestytë e zemërmirë ngrenë duart përballë kësaj situate. Ata duan ta ruajnë neoliberalizmin, por nuk e duan kaosin që ai prodhoi. Paradoks?

Në manifeston e tyre, që më shumë duket sikur është shkruar nga pseudointelektuali famëkeq Bernard Henri Lévy, patriotët evropianë shfaqen si të fundmit mohikanë të neoliberalizmit (gjë që, po t´i pyeste dikush veç e veç jam i sigurt që do ta mohonin më fort se Pjetri Krishtin), ankohen se pse po u shpështjellohet ëndrra evropiane, se pse po u shthuret qilimi i tyre fluturues. Shkrimtarët e famshëm fajin për këtë rrëzim ëndrre e vendosin mbi shpinën e të masivizimit elektoral të të fandaksurit injorant e fanatik, i cili kinse po kërkon të gjejë rrënjët e humbura identitare te kombi i vet dhe kjo po e shkatërroka Evropën e Bashkuar, e cila prandaj na qenka braktisur nga SHBA e Britania, dhe rrezikon të mbetet në dorë të përbindëshave lindorë.

Lind pyetja – a e dinë këta patriotë evropianë se në SHBA tashmë ka fituar Trump me një agjendë nacionaliste e konservatore dhe se në Britani ka fituar me referendum Brexit-i i iniciuar dhe i fryrë prej politikanëve të së djathtës ekstreme si Nigel Farage, apo ultrakonservatorëve nacionalistë si Boris Johnson? Dmth. nuk është rritja e nacionalizmave në Evropë ajo që e ka bërë SHBA-në dhe Britaninë të braktisë Evropën, por e anasjellta. Rritja e nacionalizmave e reaksionarizmave të ndryshëm në Evropë u parapri dhe po ndihmohet prej “internacionalizmit nacionalist” alla Steve Bannon, dhe po nxitet prej shembujve qeverisës amerikanë e britanikë (por edhe prej parave ruse e kineze ndonjëherë). Pikërisht duke u bërë më nacionaliste Evropa në fakt po e ndjek këshillën e 30 shkrimtarëve, pra po shkon pas SHBA-ve dhe Anglisë.

Perspektiva e 30 intelektualëve duket e verbër. Ata thonë se kritikat në rritje, mllefi dhe dezertimet prej projektit evropian, vijnë nga njerëzit që duan t´i japin fund ëndrrës evropiane dhe të gjejnë “shpirtin kombëtar” dhe “identitetin e humbur”, të cilat janë gjëra që nuk ekzistojnë përveçse në imagjinatën e demagogëve. Sa çudi të shohësh kaq shumë shkrimtarë, mjeshtra të shpirtit të gjuhës e të gjuhës së shpirtit, të pohojnë se “shpirti kombëtar nuk ekziston”. Ndër ta edhe autori i dy “eseve” aq esencializuese e nacionaliste mbi shpirtin kombëtar të shqiptarëve, Autobiografia e popullit në vargje dhe Mosmarrëveshja. Ka mundësi që shkrimtarët patriotë të mos kenë marrë vesh se çfarë kanë nënshkruar, se nuk ma merr mendja që të nënshkruanin kështu, vetiu një deklaratë të tillë.

Përveç kësaj, 30 kalorësit e Evropës e gjejnë problemin tek rritja e “të mashtruarve”, te masat e gjera popullore përbërë nga të fandaksurit injorantë që po kërkojnë rrënjët identitare, dhe po shkojnë prapa profetëve të rremë. Por evropianët e thjeshtë nuk u gdhinë brenda natës fashistë e nacionalistë, ky imazh prej dordoleci për njeriun e shtresave të gjera është i shpikur prej mediave, dhe funksionon vetëm për të trembur sorrat në mendjet e liberalëve, të cilët ose nuk janë në gjendje të shohin, ose nuk kanë fuqi e nder të pranojnë se:

1. Evropa e Bashkuar e qeverisur nga bankat e korporatat i zhveshi popujt nga vendimmarrja. Njerëzit u ndjenë gjithnjë e më të pafuqishëm, gjithnjë e më jo-sovranë, në momentin kur çdo vendim që ata mund të merrnin për çështje të qeverisjes së vendit të tyre, rrëzohej nga Brukseli e nga forume ministrash të vendeve të tjera. Me zhveshjen e popujve nga sovraniteti, u zhvesh dhe demokracia përfaqësuese, sepse s’kish më kuptim as të votoje. Dhe demokracia, që siç thotë filozofi francez Etienne Balibar, është e barabartë me sovranitetin, është ide thellësisht evropiane.

2. “Evropa në shërbim të tregut” nuk solli zgjidhje për popujt e saj, as në formë zhvillimi e punësimi, po as në formë solidariteti. Trakti i shkrimtarëve përmend garibaldinët që bashkuan Italinë me bindjen se “Italia do të bëhet vetë”. Entuziazmi i madh i garibaldinëve bazohej edhe në premtimin se pas bashkimit, jugu i pazhvilluar industrialisht i Italisë, do të bëhej si veriu i zhvilluar. Mirëpo, pas bashkimit ndarja veri-jug thjesht u përjetësua, sepse industrialistët kishin nevojë jo për konkurrencë industriale në jug, por për një vend ku mund të gjenin krah të lirë pune dhe konsumatorë të rinj. Kështu jugu mbeti i pazhvilluar, gjysmëfeudal, i kontrolluar nga religjioni e mafia, ndërsa veriu u mbush me emigrantë nga jugu, gjë që i bëri vendasit të ndihen të rrezikuar e të zhvillojnë krahinarizma diskriminues, ndërsa Garibaldi u syrgjynos e u mbyll në një ishull, me ëndrrën e thyer. Përveç Garibaldit optimist, keq përfundoi edhe Mazzini pesimist, i cili kish thënë se “Italia u bë, tash duhen bërë italianët”. Sepse Garibaldi e Mazzini, vërtet etër të revolucionit që solli bashkimin, nuk u treguan në gjendje që pas revolucionit të vendosnin kontrollin politik. Pushteti i mbeti industrialistëve dhe aristokratëve të Savojës, që nuk e kishin aspak hallin tek “bërja e italianëve”, e që paqen sociale në jugun e pazhvilluar e blenë me çmimin “më të lirë”, duke bashkëpunuar me feudalët e klerikët për të krijuar milicitë konservatore para-ligjore, që më vonë u shndërruan në mafia.

Modeli i problemit të zhvillimit të pabarabartë, ilustruar më së miri nga rasti italian jug-veri, shërben për të kuptuar si i ka ka sot punët Evropa e Bashkuar, e cila nuk po mbërrin të kuptojë se solidariteti, lufta ndaj zhvillimit të pabarabartë, dhe njohja e vetëvendosjes së kombeve brenda e jashtë vetes së saj, janë po ashtu themele jetike për projektin evropian. Le të mos harrojmë programet sociale si dhe investimet për zhvillimin e industrializimin e zonave të prapambetura, që origjinën e kanë nga koha e bashkimit të principatave gjermane nën udhëheqjen e Von Bismarck-ut. Po ta kish ndjekur atë shembull Italia, mbase ndryshe do të ishte puna sot me ndarjen e saj veri-jug, e sigurisht, në shkallë më të gjerë, po ta kishte ndjekur Bashkimi Evropian atë shembull, fjala vjen me një “plan Marshall” për vendet e lindjes dhe të jugut, Evropa sot do të ishte edhe më e fortë, edhe më e pasur.

Shkrimtarët e mbetur besnikë ndaj perëndive të perënduar të neoliberalizmit nuk kanë më fuqi argumentative që ta mbrojnë ëndrrën e tyre, sepse ajo është bërë zhgjëndërr për shumëkënd, apo sipas tropes së Kadaresë, “ëndërr mashtruese”. Ndaj, studiues e intelektualë të tjerë kanë filluar me kohë të përdorin për neoliberalizmin togfjalëshin ironik “stalinizëm i tregut të lirë” (togfjalësh me probleme të mëdha konceptuale brenda vetes, por i pranueshëm vetëm në kontekstin e ironisë).

Veç operës wagneriane, ekziston edhe një vepër tjetër monumentale që titullohet Götterdämmerung. Bëhet fjalë për filmin e regjisorit të madh italian, Luchino Visconti, botuar në 1969. Filmi trajton se si një familje e shtresës më të epërme gjermane, që kontrollon korporata e monopole të çelikut e të makinave, gradualisht kapërcen prej bindjeve të djathta liberale ekonomikisht e kulturalisht konservatore (patriarkale), në fashizëm. Kapërcimi është momenti kur korporata bëhet aq e madhe sa që është e pakonkurueshme, ndaj thjesht njësohet me shtetin (shteti korporativ i fashizmit), dhe sundon në formë monopoli apo oligopoli. E në aspektin e konservatorizmit kulturor ndodh një kapërcim tjetër, nga patriarkalizmi kalohet tek estetizimi disiplinuar i dhunës. Sadizmi e mazohizmi, ekzibicionizmi e vuajerizmi bëhen shfaqje dominante kulturore.

Kapërcimi i tillë, prej liberalizmit në fashizëm, nuk ekziston vetëm në filma por ka qenë fenomen historik. Marcuse5 psh. citon filozofin fillimisht liberal e pastaj zyrtar të fashizmit, Giovani Gentile-n tek i drejtohej Duçes kështu:

“Si një liberal në bindjet e mia më të thella unë nuk mund të mos bindesha, gjatë muajve në të cilët pata nderin të bashkëpunoja me qeverinë tuaj dhe të vëzhgoj nga pranë zhvillimet e principeve që përcaktojnë politikat tuaja, që liberalizmi, siç e kuptoj unë, liberalizmi i lirisë përmes ligjit, pra përmes një shteti të fortë, përmes shtetit si realitet etik, sot në Itali nuk përfaqësohet prej liberalëve që janë pak a shumë kundërshtarë me ju, por nga vetë ju. Pra jam bindur që në zgjidhjen mes liberalizmit të sotëm dhe fashizmit, duke e kuptuar besimin tuaj fashist, duke qenë një liberal i mirëfilltë që i përbuz keqkuptimet dhe dëshiron t’i mbetet besnik qëndrimeve të veta, unë duhet të bëhem anëtar i legjioneve të pasuesve tuaj”.

Kur Horkheimer-i thoshte në 1939 se “cilido që s’ka asgjë për të kritikuar kapitalizmin, më mirë të heshtë sa i përket fashizmit”, e kishte fjalën pikërisht te fakti se kritika e aktualitetit e cila nuk dëshiron të merret me kapitalizmin është pikërisht fashizmi. A nuk është kjo letër e 30 shkrimtarëve pikërisht një kritikë e aktualitetit që eviton të merret me shkaqet që e shkaktuan?

Evropa është vendi i cili më së shumti ka medituar dhe ka analizuar, me një vetëkritikë të admirueshme, pjesët e errëta të së shkuarës së vet. Të bësh thirrje për “patriotizëm evropian”, duke u ankuar për kriticizmin ndaj Evropës dhe duke e shpallur ekstremin e djathtë si të huaj ndaj Evropës, do të thotë të mos e dish faktin se kjo formë e politikëbërjes është thelbësisht evropiane. Lëvizjet më të mëdha në historinë e reaksionit, inkuizicioni e kundër-reforma, si dhe vetë fashizmi, janë lëvizje të cilat jo vetëm që ndodhën në Evropë, por nuk mund të kishin ndodhur askund tjetër, pikërisht për shkak të lidhjes së tyre inherente me traditat evropiane. Kjo nuk do të thotë se Evropa përfundon medoemos në fashizëm, por thjesht, pohojmë, bashkë me shumë filozofë e studiues të fushave të ndryshme, se identiteti evropian e as ai perëndimor nuk është domosdoshmërisht përjashtues ndaj fashizmit, e se duhet një punë e gjatë kritike, një dekonstruktim e konstruktim i vazhdueshëm i atij identiteti, dhe të rrethanave e kushteve materiale e shpirtërore që e prodhojnë atë për t´i shpëtuar atij stadi final. E mbi të gjitha duhet të kujtohet vazhdimisht se Evropa e Bashkuar nuk u themelua e nuk mund te vazhdojë thjesht si një apendiks tregtar i “perëndimit”, por si një projekt i lirisë së popujve dhe i antifashizmit, i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Para Luftës së Dytë Botërore ka patur projekte të tjera të bashkimit, si psh. Napoleoni e Hitleri, por këto bëhen të papranueshme e të papërsëritshme jo për shkak të tregut të lirë, por pikërisht për shkak të antifashizmit.

Kjo nuk do të thotë se rrëshqitja djathtas, te ultrakonservatizmi, apo te qoftëlargu neofashizëm nuk duhet kritikuar, apo duhet normalizuar. Por, liberalët nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë lloj kritike. Ata nuk po mund të artikulojnë më (asgjë) të re, sepse e mbërritën limitin e tyre me krizën.

Përtej kësaj, lëvizjet e sotme refuzuese të qendrës në Evropë, nuk janë fashiste. Nuk dua të them se në to nuk është askush me pikëpamje fashiste, mirëpo shumica e votuesve të tyre, qofshin edhe të djathtë, nuk janë fashistë. Inflacionimi i fjalës “fashist” e përdorur prej liberalëve për të demonizuar cilindo që është më djathtas se ta, është shenjë cektësie mendore e jo analize. Terma të tillë përdoren edhe për ata që janë më majtas, për ata që besojnë pak më shumë në fe, për ata që duan ndryshim etj. Liberalët nuk e durojnë të ndryshmen.

Por psh. “Jelekët e Verdhë” që e kanë vënë në vështirësi Macron-in dhe Bernard Henri Lévy-në, nuk shquhen për ndonjë prirje fashiste. Ata më shumë ngjajnë me kryengritësit fshatarë të mesjetës. Përkundrazi, është liberali Macron i cili së fundmi, me synimin për t´i marrë ca votues Ballit Kombëtar të Marine Le Pen, ka nisur një fushatë për të rehabilituar e normalizuar bashkëpunëtorin nazist, dhe heroin-tradhtar të Francës, mareshalin Petain6.

Kriza ekonomike është brendësuar tek qytetarët e Evropës, dhe është shndërruar në krizë të besimit, apo në një epidemi të nihilizmit, siç e quan Kristeva7 e cila zgjidhjen e sheh tek një angazhim i një evropianizmi të ri me religjionin. Këtë nihilizëm shpeshherë e ndihmon të shpërndahet edhe media e rrjetet sociale, me clickbait e me lajmet post-truth që relativizojnë gjithçka. Revoltat e protestat e masave të kapluara prej mosbesimit te vetja, te njëri-tjetri e te politika, herë me gurë e molotovë e herë me votë, ngjajnë me protestat e periferive banlieu në vitin 2005 në Francë. Të rinjtë e varfër të periferive e dogjën dhe e bastisën Parisin, por ndryshe nga çíhste mësuar opinioni, ata nuk kishin kurrfarë kërkese apo mesazhi. As organizim e përfaqësim. Në raste të tilla, mund të themi se mesazhi i tyre është pikërisht mungesa e utopisë, e një vizioni për të ardhmen, që i bën të ndihen të braktisur e të pashpresë në ekzistencën e tyre. Dhuna e tyre “e paarsyeshme” është pikërisht një SOS i lëshuar në eter, me shpresën që dikush u përgjigjet. Por askush nuk iu përgjigj të dëshpëruarve të periferive evropiane në 2005, dhe ja ku jemi 15 vite më vonë, kur periferitë janë zgjeruar aq shumë sa që duket se “qendra nuk mund të qëndrojë më”, si në poezinë e famshme apokaliptike të Yeats-it.

Të gjitha këto, 30 shkrimtarët ose nuk i kanë vënë re, ose i kanë vënë re veç e veç, por nuk kanë gjetur emërues të përbashkët. Ndaj letra e tyre ngjan si një thirrje për ruajtjen e status-quosë (neo)liberale, e cila në fakt e ka prodhuar krizën aktuale. Pra thirrje për të ruajtur mikrobin, por për të hequr sëmundjen.

Zëra nga anembanë spektrit, që nga Sloterdijk-u djathtist e deri te Zizeku i majtë e kanë kuptuar se Evropa e Bashkuar mund të mbijetojë vetëm nëse arrin ta rishpikë identitetin e vet, ndryshe prej atij tregtaro-liberal. Identiteti i ri nuk është e thënë të ngjajë me “përbindëshat” iliberalë, ai mund të ngjajë edhe me socialdemokracitë skandinave, ku shteti gëzon një hapësirë të madhe kontrolli mbi kapitalin, i cili taksohet në përqindje të lartë, duke mundësuar kështu edhe demokraci edhe mirëqenie, por jo “lirinë për t’u bërë i pasur sa të duash”, si në far west. Kjo rrugë po të merrej parasysh do të mund ta ringjallte social-demokracinë evropiane, në të njëjtën kohë duke respektuar të sovranitetet e popujve që e përbëjnë. Sigurisht, kjo do të kërkonte një angazhim më të madh për zhvillimin e barabartë ekonomik e social edhe në periferi e jo vetëm në qendër, e sidomos përqendrim në punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve të saj. Në politikën e jashtme kjo do të nënkuptonte një Evropë me zë të sajin, me diplomaci origjinale, që do të mund të eksportonte modelin e mirëqenies dhe zhvillimit në vendet pranë e larg saj, jo përmes ekstraktivizmit, por përmes respektimit të burimeve natyrore e krahut të punës edhe në ato vende. Kjo do të zbuste imigracionin e njëherazi do të rriste ekonominë (ashtu si plani Marshall që ndihmoi Evropën, duke forcuar zhvillimin ekonomik amerikan). Duke promovuar paqen, jo përmes appeasement-it dhe barazimit të agresorit me viktimën, por përmes dënimit të vendosur të agresorëve. Kjo Europë do të mbushej sërish me kuptim. Në një botë multipolare, të përcaktuar gjithnjë e më shumë prej SHBA-ve dhe Kinës, Evropa duhet, dhe mund të bëhet një pol ekonomik, ushtarak, e mbi të gjitha edhe shoqëror, solidar, ideor e moral. Nëse nuk e bën këtë, atëherë kjo do ta rrezikojë, dhe jo “kërkimi i identiteteve të humbura” që ekziston vetëm në mendjet e plakura të (neo)liberalëve.

---------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

1https://www.liberation.fr/planete/2019/01/25/il-y-a-le-feu-a-la-maison-europe-le-manifeste-des-patriotes-europeens_1705305

2https://wir2018.wid.world/files/download/wir2018-summary-english.pdf

3http://review.chicagobooth.edu/economics/2017/article/new-data-inequality-runs-even-deeper-previously-thought

4https://www.theguardian.com/news/2019/jan/22/the-new-elites-phoney-crusade-to-save-the-world-without-changing-anything

5http://tezateza.com/kritike/89715/lufta-kunder-liberalizmit-ne-pikepamjet-e-shtetit-totalitar/

6https://www.liberation.fr/france/2018/11/07/macron-cree-la-polemique-en-evoquant-le-grand-soldat-petain_1690518

7https://www.theeuropean-magazine.com/julia-kristeva--2/10112-a-common-european-culture