mendim
Populizmi e demokracia

Populizmi e demokracia

Jean-Luc Nancy - 23 shkurt 2019 - 18:28

 

Populizmi e demokracia janë një çift i pazakontë. I pari, populizmi, e mohon domethënien negative që emri i tij nënkupton për të dytën, demokracinë, të cilën e kritikon se është hipokrite. E dyta e deklaron veten si e vetmja formë legjitime e ekzistencës. Të dy deklarojnë se janë jashtë mase popullorë. Kundërshtimi virulent mes këtyre të dyve është aq prezent në diskursin aktual, sa ndoshta barazohet vetëm me hamendjet mbi papërcaktueshmërinë e kuptimeve të tyre respektive. Për cilin «popull» e ka fjalën ky çift, qofshin bashkë, e qofshin ndarazi?

 

Populus-i latin dhe demos-i grek, të cilët përtej disa dallimeve të rëndësishme shpesh përdoren për të përkthyer njëra-tjetrën, kanë një gjë të përbashkët: të dy konceptet përmbledhin asamblenë e atyre që i përkasin një kolektiviteti të organizuar si realitet publik (res publica – kjo fjalë është e lidhur me populus). Konsideruar si një tërësi, populli është identik dhe i barabartë me gjënë publike, e cila është e barabartë me qytetin, kombin, atdheun, shtetin, apo në mënyrë precize me «Republikën». Fjala popull funksionon pra, si një lloj tautologjie e përkatësisë apo e afiliimit. Parë nga brenda republikës, populli është i dallueshëm si nga instancat e autoritetit publik (kujtoni formulën e famshme senatus populusque romanus), ashtu edhe nga njësia populiste që nuk i dihen anëtarët: «masat» apo «plebet» (një tjetër fjalë e së njëjtës familje). Mes dallimeve të brendshme dhe barazimeve së jashtmi, luhen vazhdimisht shumë afrime e largime.

 

Në fakt, që ta themi më qartë, barazimi është de jure: nuk është thjesht i dhënë por duhet që të konceptohet dhe të instituohet, ndërsa dallimet janë de facto: e ashtuquajtura kontratë sociale nuk funksionon pa nevojën për qeverisje apo pa presione kundërshtuese, apo pa opozitë. Bindja ndaj institucionit publik nuk mund të ndodhë pa kundërshtimin e pasioneve (qofshin ato të interesit, të prirjes apo të impulsit).

 

Kjo është arsyeja pse nuk është një kontratë, por më shumë një kontraksion i vështirë gjatë procesit të lindjes së fëmijës: shkurt, populli duhet të prodhohet si një gjë publike apo komune, edhe pse një anarki e pakontrollueshme bën presion së brendmi tij. Është e njëjta vështirësi nga të dyja anët, për të përcaktuar identitetin, sepse në të dyja rastet është në lojë i njëjti legjitimitet i thellë i cili nuk dëshiron dhe as nuk duhet të lejohet të kthehet tek identikja.

 

Këto janë të ditura. Merr fund çdo mendim mbi shoqërinë e politikën, në momentin që këto nuk janë përfaqësime të një rendi tërësisht të dhënë apo të identifikuar – teokratik, autokratik, e në të vërtetë, e nëse mund të themi «ontokratik» apo nomokratik (patriotizëm, nacionalizëm, autonomizëm). Këto përfaqësime merren parasysh dhe vlerësohen kur mosbindja krijon pikëprerje me bindjen në një mënyrë shqetësuese. Kjo ndodh kur lind mllefi: dështimi i demokracisë sjell pakënaqësi, inat dhe revoltë tek populli që nuk e njeh më veten si popull. Pra, «populizëm» do të thotë «demokraci e cila hakmerret për dështimin e vet».

 

Se dështimi është i pamohueshëm. Por, gabimi është kur mendohet se ky është dështim i një demokracie që dikur ka ekzistuar vërtet. Në fakt kemi pasur veç një ide dhe emrin e demokracisë, e cila ka shoqëruar një transformim të stërmadh të kushteve të jetesës të të gjithë popullatës njerëzore. Ky transformim quhet «teknik» dhe përfshin teknika financiare e ligjore, e po ashtu mekanike, biologjike e teknologji kompjuterike. Sot kemi arritur tashmë një gjendje mirëfilli eksplozive (ose implozive) të këtij transformimi, në çdo nivel: ekonomia (rritje eksponenciale si e pasurisë ashtu dhe e varfërisë), ekologjia (shterja e burimeve natyrore), edukimi (s´ka mbetur më asgjë për të mësuar, përveç teknikave).

 

Prandaj pra është tërësisht e kotë që të përpiqesh të zëvendësosh një popull që nuk ka një identitet, me një popull që identifikohet rrejshëm si hakmarrës apo shpëtimtar i identitetit të vet. Është e kotë ta luftosh mllefin me mosbindje dhe të mendosh se kështu do të gjejmë bindjen. Në të vërtetë beteja jonë është shumë më e vështirë: të ribëhet «populli», të ripopullohet në çdo mënyrë të përfytyrueshme.