mendim
Mësime nga lëvizja e jelekëve të verdhë

Mësime nga lëvizja e jelekëve të verdhë

Alain Badiou - 20 mars 2019 - 14:19

Ç´duhet të mendojmë, çka quajmë mendim e jo rendje e lehje, për kundërvënien e dhunshme e të qëndrueshme mes lëvizjes së jelekëve të verdhë dhe autoriteteve të shtetit, të drejtuara prej presidentucit Macron?

Kam qenë i prerë, që në kohën e turit final të zgjedhjeve presidenciale, që unë nuk do të rreshtohesha kurrë, vetëkuptohet as pas Marine Le Pen, kapedanes së të djathtës ekstreme parlamentare, e as pas Macron-it, i cili solli atë që unë e kam quajtur «një grusht shteti demokratik», shërbim pseudo-reformatuespër kapitalin e madh.

Sot sigurisht që nuk i heq asnjë presje gjykimit tim për Macron-in. E përbuz pa asnjë lloj droje. Por ç´të themi për lëvizjen e jelekëve të verdhë? Duhet të pranoj se në të gjitha rastet, në debutimet e tij gjatë vitit të shkuar, nuk kam gjetur në të e në përbërësit e tij, në gjërat që pohonin apo në praktikat e tyre, diçka që të më dukej politikisht novatore apo progresiste.

Që arsyet e kësaj revolte janë të panumërta, e që në emër të tyre mund ta konsiderojmë si legjitime këtë lëvizje, këtë e pranoj pa hezituar. E njoh shkretimin e zonave rurale, heshtjen e trishtë të rrugëve të braktisura të qyteteve të vogla, madje edhe të mesme; largimin e pandalshëm të masave tënjerëzve prej shërbimeve publike, të cilat pastaj pak nga pak privatizohen: klinika, spitale, shkolla, zyra poste, stacione hekurudhore, telefona. E di se një varfërim fillimisht befasues e më pas vazhdimisht duke u thelluar, i ka prekur popullatat të cilat këtu e dyzet vjet gëzonin një fuqi blerëse e cila vazhdimisht rritej. Është e qartë se format e reja të fiskut, rëndimi i tij, mund të duken si njëri prej shkaqet e këtij varfërimi. Nuk jam aspak indiferent që jeta materiale e shumë familjeve është bërë një kokëçarje, sidomos për një numër të madh grash, të cilat po ashtu kanë qenë shumë aktive brenda lëvizjes së jelekëve të verdhë.

Si përmbledhje: në Francë ka një pakënaqësi shumë të madhe të atyre që mund t´i quajmë pjesa punëtore, kryesisht provinciale e me të ardhura modeste, e shtresës së mesme. Lëvizja e jelekëve të verdhëështë një përfaqësim domethënës, në formën e një revolte aktive e gjithnjë e mëngjitëse, e kësaj pakënaqësie.

Arsyet historiko-ekonomike të kësaj lëvizjeje janë, për atë që dëshiron t´i kuptojë, të qarta. Ato shpjegojnë, nga ana tjetër, se përse jelekët e verdhë e shtyjnë fillimin e problemeve të tyre qëprej dyzet vitesh mëparë: në vija të trasha qysh në vitet tetëdhjetë, kur filloi një kundër-revolucion i gjatë kapitalo-oligarkik, i cili gabimisht quhet «neoliberal» kur në fakt ka qenëthjesht liberal. Gjëe cila do të thotë: kthim në egërsinë e kapitalizmit të shek. XIX. Ky kundër-revolucion vinte si reagim ndaj dhjetë «viteve të kuqe» - grosso modo prej 1965 deri në 1975 – epiqendra e të cilave për Francën ishte Maji i ´68, ndërsa epiqendra për botën ishte Revolucioni Kulturor në Kinë. Por, u përshpejtua shumë prej rrëzimit të sipërmarrjes planetare të komunizmit, në BRSS, pastaj në Kinë: e më pas asgjë tjetër, në shkallë globale, nuk iu kundërvu më faktit se kapitalizmi dhe përfituesit e tij e sidomos oligarkia tejkombëtare e miliarderëve, do të ushtronte një pushtet të pakufizuar.

Siç vetëkuptohet, borgjezia franceze e ndoqi lëvizjen kundër-revolucionare. Ajo madje ka qenëdhe një kryeqytet intelektual e ideologjik, përmes agjitacionit të «nouveaux philosophes», të cilët janëpërkujdesur që Ideja komuniste të përndiqet kudo qoftë, jo vetëm si e gabuar, por si kriminale. Shumë intelektualë, renegatë të Majit ´68 dhe të maoizmit, u bënë me vetëdije qentë e rojës të kundër-revolucionit borgjez e liberal, nën fjalë fetishe e të pafuqishme si «liria», «demokracia» dhe «republika jonë».

Megjithatë, situata në Francë, pak nga pak qysh prej viteve ´80 e deri sot, degradoi. Ky vend nuk është më ai që ishte gjatë «tre dekadave të lavdishme» të rindërtimit të pasluftës. Franca nuk është më një fuqi e fortë botërore, një imperializëm pushtues. Sot e krahasojmë me Italinë, për të mos thënë Greqinë. Konkurrenca po e zbyth kudo, përfitimi i saj nga kolonitëështë në zgrip të humnerës dhe kërkon, për t´u mirëmbajtur, ndërhyrje të panumërta ushtarake në Afrikë të cilat janë të kushtueshme dhe të pasigurta. Përveç kësaj, meqenëse çmimi i krahut të punës është shumë më i lirë gjetiu se sa në Francë, psh. në Azi, uzinat e mëdha pak nga pak po delokalizohen e po shpërngulen drejt vendeve të huaja. Ky deindustrializim masiv sjell një lloj rrënimi shoqëror që përfshin krahina të tëra, si Lorena dhe siderurgjia e saj, apo veriu i uzinave tekstile dhe minierave të thëngjillit, e deri te rrethinat e Parisit, që befasisht u goditën prej spekulimeve me shitblerjen e ndërtesave e tokave të panumërta të lëna djerrë prej industrive që po rrudhen.

Rrjedhojë e gjithë kësaj është që borgjezia franceze – oligarkia dominante e Francës, aksionerët e CAC 40 – nuk mund të mbajë më në shërbimin e saj, të paktën jo me kushtet e mëparshme, sidomos jo me kushtet e parakrizës së 2008, një klasë të mesme politikisht servile. Kjo klasë e mesme në fakt ka qenë mbështetësja historike pak a shumë konstante e mbizotërimit elektoral të të djathtave të ndryshme, dominim i cili gjithnjëështë drejtuar kundër punëtorëve të organizuar të industrive të mëdha, të cilët kanë qenë të prirur drejt komunizmit mes viteve ´20 e deri në vitet 1980-1990. Prandaj ndodh revoltimi i një pjese të rëndësishme e popullore të kësaj klase të mesme, e cila ndihet e braktisur, kundër Macron-it i cili është agjent i «modernizimit» kapitalist vendor dmth. : shtrëngim i rripit sa më shumë që mundet, ekonomizim, kursim, privatizim, pa përkujdesjet, të cilat vazhdonin të ekzistonin edhe pas tridhjetë vitesh, për rehatin e klasave të mesme në këmbim të konsensusit të tyre për sistemin dominant.

Jelekët e verdhë, duke u nisur prej varfërimit të tyre shumë real, duan që të vazhdojnë të paguhen për konsensusin e tyre, me çmim të mirë. Por kjo është absurde, sepse pikërisht macron-izmi është rezultat i faktit se oligarkia së pari ka më pak nevojë për mbështetjen e klasave të mesme, financimi i të cilave është i kushtueshëm, tash që rreziku komunist është zhdukur; dhe së dyti nuk janë më mjetet për të paguar elektoratin e brendshëm në përmasa të njëjta si më parë. E prandaj shkohet, nën mbulimin e «reformave të domosdoshme» drejt një politike autoritare: një formë e re e pushtetit shtetëror do të vihet në funksion të mbështetjes së një «austeriteti» të bollshëm, që do të shtrihet prej popullit të të papunëve dhe të punëtorëve, e deri te shtresat e ulëta të klasës së mesme. Kjo e gjitha veç për fitimin e padronëve të vërtetë të kësaj bote, pra të aksionerëve kryesorë të grupeve të mëdha industriale, të tregtisë, të lëndëve të para, të transportit dhe të komunikimit.

Në Manifestin e Partisë Komuniste, shkruar më 1848, Marx-i tashmë e kish analizuar këtë tip konjukture, dhe fliste me precizion për këtë fenomen që sot përfaqësohet nga jelekët tanë të verdhë. Ai shkruante këtë: «Klasa e mesme, prodhuesit e vegjël, dyqanxhinjtë, artizanët, fshatarët, këta e luftojnë borgjezinë sepse ajo ua rrezikon ekzistencën e tyre si shtresë e mesme. Pra këta nuk janë revolucionarë, por konservatorë; e për më shumë janë reaksionarë; se kërkojnë që historia të kthehet pas.»

Këtë e kërkojnë edhe sot, gjithnjë e më ashpër për sa kohë që borgjezia franceze nuk është më në gjendje, duke parë kthesën e marrë prej kapitalizmit të globalizuar, që ta mbështesë e aq më pak që ta rrisë fuqinë e tyre blerëse. Jelekët e verdhë «luftojnë borgjezinë» siç pati thënë Marx-i, është e vërtetë. Por e bëjnë për të kthyer në fuqi një rend të vjetër e të mbaruar, e jo për të shpikur ndonjë rend të ri shoqëror e politik, emrat e të cilit kanë qenë, që prej shek. XIX «socializëm» ose mbi të gjitha «komunizëm». Sepse gjatë pothuaj dy shekujve gjithçka që nuk përcaktohej pak a shumë sipas një orientimi revolucionar, me shumë të drejtë konsiderohej si një shpëlarje e reaksionit kapitalist. Nuk kishte në politikë pos dy rrugë të mëdha. Na duhet të kthehemi absolutisht drejt kësaj bindjeje: dy rrugë në politikë, vetëm dy, dhe kurrë një grimcim «demokratik» plot me pseudo tendenca, të cilave u grah hosteni i një oligarkie që vetëquhet «liberale».

Këto konsiderata të përgjithshme na lejojnë që të rikthehemi te karakteristikat konkrete të lëvizjes së jelekëve të verdhë. Karakteristikat e saj spontane, ato që nuk vijnë si pasojë e ndërhyrjeve nga jashtë në rrymën kryesore të protestës, janë realisht «reaksionare», siç e thotë Marx-i, por në një kuptim më modern: subjektivitetine kësaj lëvizjeje mund ta quajmë një individualizëm popullor, përbashkim i mllefeve personale të lidhura me forma të reja të robërisë që sot i imponohet të gjithëve prej diktaturës së Kapitalit.

Kjo është arsyeja për të cilën është gabim të thuhet, siç bëjnë disa, se lëvizja e jelekëve të verdhëështë për arsye intrinseke fashiste. Jo. Fashizmi organizon në një mënyrë shpesh tepër të disiplinuar madje edhe të ushtarakëzuar, motive identitare, kombëtare apo racialiste. Ndërsa brenda kësaj lëvizjeje të paorganizuar – siçështë gjithnjë klasa e mesme urbane – madje faktikisht individualiste, ka brenda njerëz të të gjitha llojeve, të të gjitha zanateve, që e mendojnë veten shpesh dhe sinqerisht si demokratë, që thirren në ligjet e Republikës – gjë që në Francën e sotme nuk pi ujë. Me thënë të vërtetën, në shumicën e tyre, bindjet e mirëfillta politike janë të luhatshme. Por me ta konsideruar lëvizjen – edhe një herë ashtu siç ajo shfaqet në«dlirësinë» e saj fillestare – duke filluar prej aspekteve të rralla kolektive, parrullave, shpalljeve të përsëritura, unë nuk shoh asgjë që të më flasë, që të më interesojë, që të më mobilizojë. Proklamatat e tyre, çorganizimi i tyre i rrezikshëm, format e aksionit, mungesa e mendimit të përgjithshëm dhe e vizionit strategjik, të gjitha këto e ndalojnë novacionin politik. Po ashtu nuk më bën për vete refuzimi i tyre ndaj çdo lloji të drejtimit të mishëruar në ndonjë person, frika e tyre obsesive prej centralizimit, prej kolektivit të përbashkuar, frikë që përzien, ashtu siç bëjnë gjithë reaksionarët e sotmë, demokracinë me individualizmin. Asgjë e një natyre të tillë nuk mundet të vërë kundër tepër të urryerit dhe mjeranit Macron ndonjë forcë progresiste, novatore, e cila në afatgjatë do të mund të jetë edhe fitimtare.

Unë e di se kundërshtarët e djathtë të kësaj lëvizjeje, sidomos intelektualët renegatë, ish-revolucionarët e kthyer në këngëtarë të pushtetit policor ç´prej kur oligarkia dhe Shteti ua siguron tribunat për jargavitjen e tyre liberale – e akuzojnë kryengritjen e «jelekëve të verdhë» për antisemitizëm apo për homofobi, madje edhe për «vënie në rrezik të Republikës sonë». Po ashtu e di se nëse ka tek tuk gjurmë të këtyre fenomeneve, ato janë si rezultat jo i ndonjë bindjeje të gjerë, por i një prezence, i një infiltrimi aktiv të së djathtës ekstreme në një lëvizje e cila është e çorganizuar deri në pikën sa mund të bjerë pre e çdo manipulimi të mundshëm. Por në fund të fundit le të mos i mbyllim sytë: tregues të ndryshëm, e sidomos gjurmë evidente të një nacionalizmi dritëshkurtër, një mosdurim i fshehur i intelektualëve, një «demokratizëm» demagogjik në stilin kripto-fashist të «popullit kundër elitave», dhe një konfuzion diskursiv, i cili do të duhej të nxiste cilindo që të ishte i kujdesshëm për çdo vlerësim shumë global që mund t´ia japë asaj që po ndodh sot. Le të pranojmë të shohim se thashethemet e «rrjeteve sociale» ia kanë zënë vendin informimit objektiv për shumicën e jelekëve të verdhë, dhe pasojë e kësaj është qarkullimi kudo në lëvizje i pulsioneve komplotiste aberrante.

Një proverb i një kohe tjetër thotë se «jo gjithçka që lëviz është e kuqe». Dhe për momentin për «të kuqe» në lëvizjen e jelekëve që sigurisht «lëviz» as që bëhet fjalë: unë nuk shoh gjë tjetër pos të verdhës vetëm tringjyrëshin, i cili gjithnjëështë pak i dyshimtë në sytë e mi.

Sigurisht se ultramajtistët, antifat, të fjeturit e zgjuar të Nuit Debout, ata qëjanë gjithnjëduke gjuajtur për ndonjë «lëvizje» që ta shtien ndër dhëmbë, ata që mburren me «kryengritjen që po vjen», të cilët festojnë proklamatat demokratike (në fakt individualiste dhe dritëshkurtra), përkrahin kultin e asambleve të decentralizuara, dhe përfytyrojnë sikur të ribëjnë edhe një herë pushtimin e Bastijës. Por ky karnaval simpatik nuk mund të më bëjë përshtypje: tashmë prej më shumë se dhjetë vitesh ky lloj reagimi po çon në mposhtje të tmerrshme, të paguara shumë shtrenjt prej popujve. Në fakt «lëvizjet» e sekuencës së fundit historike, ç´prej Egjiptit e deri te «pranvera arabe», ç´prej Oçupy Ëall Street e deri në sheshet e mëdha të Turqisë, nga Turqia te Greqia e rënë në kaos, prej Greqisë tek të indinjuarit e të gjitha llojeve, prej të indinjuarve tek Nuit Debout, prej Nuit Debout te Jelekët e Verdhë, e shumë të tjerë që s´i kam përmendur, duken shumë të padijshëm sa i përket ligjeve të vërteta dhe të paepura që qeverisin sot botën. Por kur mbaron entuziazmi i lëvizjeve, i tubimeve dhe i zaptimeve të të gjitha llojeve, çuditen se si ka mundësi që loja të jetë kaq e vështirë e që vazhdimisht përfundojnë të lodhur e të mposhtur, madje kuptojnë se në betejë e sipër e kanë forcuar kundërshtarin. E vërteta është kjo: ata as nuk kanë mundur të bëhen fillimi i një kundërshtimi real, i një rruge me potencial universal, tjetër nga kapitalizmi bashkëkohor.

S´ka gjë më të rëndësishme në momentin aktual se sa të mbajmë gjithnjë parasysh mësimet e dala prej kësaj sekuence «lëvizjesh», përfshi jelekët e verdhë. Mund t´i përmbledhim ato në një maksimë të vetme: një lëvizje e cila përbashkohet vetëm nga ajo që kundërshton, ose do të lodhet dhe do t´i hapë rrugë një situate edhe më të keqe se ajo kundër së cilës u ngrit në fillim, ose do të duhet të ndahet në dysh që në momentin kur lind në gjirin e saj propozimi i një politike afirmative, e cila do të jetë me të vërtetë antagoniste e rendin dominant, propozim i cili mund të mbështetet vetëm prej një organizate të disiplinuar.

Të gjitha lëvizjet e viteve të fundit, cilado qoftë vendndodhja a kohëzgjatja e tyre, kanë ndjekur një trajektore praktikisht të ngjashme e në të vërtetë katastrofike:

Bashkim fillestar i ndërtuar ngushtësisht kundër qeverisjes në detyrë. Është ai momenti që mund ta quajmë «i heqjes qafe», që nga «ta heqim qafe Mubarak-un» e deri te «ta largojmë Macron-in». Bashkim i mirëmbajtur prej një parrulle ndihmëse, e cila edhe ajo vetëështë ekskluzivisht kundërshtuese, pas një periudhe betejash anarkike, kur lodhja fillon të rëndojë mbi aksionin e masave, parrullë e tipit «poshtështypësit», «poshtë dhuna policore». Në këtë moment «lëvizja», në mungesë të përmbajtjes reale politike, nuk e gjen dot veten tjetërkund, pos te plagët e veta. Bashkim i mposhtur prej procedurës elektorale, kur një parti prej lëvizjes vendos të marrë pjesë, një tjetër jo, edhe pse asnjë përmbajtje mirëfilli politike mund të mbështesë qoftë përgjigjen pohuese, qoftë mohuesen. Në momentin kur i shkruaj këto rreshta, parashikimet elektorale e nxjerrin Macron-in në të njëjtat përqindje që kishte para lëvizjes së jelekëve, e në total e djathta dhe ekstremi i djathtë janë më shumë se 60%, kurse e vetmja shpresë e së majtës së vdekur, Franca e Panënshtruar, 7%.

Prandaj: çka vjen në pushtet pas zgjedhjeve është më keq se më parë. Qoftë nëse i rifiton koalicioni i cili aktualisht është në qeverisje, ndoshta në mënyrë dërrmuese (gjë që ndodhi në rastin e Majit ´68 në Francë) ; qoftë nëse ndonjë formulë «e re» e cila s´ka lidhje me lëvizjen dhe e cila do të ishte fort e papëlqyeshme për lëvizjen nëse merr pushtetin (siç ndodhi në Egjipt, vëllezërit myslimanë pastaj ushtria me Al Sissi-n, apo me Erdogan-in në Turqi) ; apo mund të ndodhë që edhe majtistët në fjalë të zgjidhen por të kapitullojnë një orë e më parë për përmbajtjen programore (Syriza në Greqi) ; ose që ekstremi i djathtë të ngadhnjejë i vetëm (rasti i Trump-it në ShBA) ; apo që një grup i dalë prej lëvizjes të koketojë me ekstremin e djathtë për të marrë një copë nga torta e qeverisë (rasti italian, aleanca e Lëvizjes Pesë Yje me fashistoidët e Lega Nord). Vëmë në dukje se ky rasti i fundit ka gjasa të ndodhë në Francë, nëse arrin të funksionojë ndonjë aleancë mes një organizate që mund të pretendojë prejardhjen prej «jelekëve të verdhë» dhe sektit elektoral të Marine Le Pen.

Gjithë kjo ndodh sepse një unitet rreth kundërshtimit nuk është në gjendje të propozojë një politikë, dhe përfundon i dërrmuar nga lufta të cilën e nis vetë. Por, për të propozuar diçka përtej kundërshtimit, duhet të identifikohet armiku dhe të dihet se çfarë nënkupton të bërit diçka realisht ndryshe prej tij, absolutisht diçka tjetër. Kjo nënkupton së paku një njohje efektive të kapitalizmit bashkëkohor në shkallë globale, të pozitës dekadente që zë Franca në të, të zgjidhjeve të tipit komunist sa i përket pronës, familjes (trashëgimisë) dhe Shtetit, të masave të menjëhershme qëçelin rrugën për këto zgjidhje, si dhe të një marrëveshjeje që vjen prej një bilanci historik, apo të formave organizative të përshtatshme për këta imperativë.

Për ta përmbledhur, vetëm një organizatë e ngritur mbi një themel novator mund të marrë pas vetes në të ardhmen, në një mënyrë apo në një tjetër, një pjesë të klasës së mesme të rënë në panik. Atëherë bëhet e mundshme, siç e ka shkruar Marx-i, që [klasa e mesme] të veprojë në mënyrë revolucionare, nga frika se mos bien e shndërrohen në proletarë: ata nisin të mbrojnë interesat e tyre të ardhshëm e jo interesat e tyre të tashëm; braktisin këndvështrimin e tyre dhe marrin këndvështrimin e proletariatit.

Ka këtu një tregues të vlefshëm, i cili na autorizon të nxjerrim një përfundim pjesërisht pozitiv, por mbi një pikë thelbësore: ekziston padyshim një e majtë potenciale në lëvizjen e jelekëve të verdhë, një minoritet shumë interesant: ajo që përbëhet nga ata aktivistë të lëvizjes që faktikisht kanë zbuluar se duhet menduar çështja e tyre në të ardhmen e jo në të tashmen, dhe duhet shpikur, në emër të asaj të ardhmeje, një përbashkim rreth një gjëje tjetër, ndryshe nga kërkesat statike për fuqi blerëse, taksa, apo reformë të konstituimit parlamentar.

Mund të thuhet pra se ky minoritet mund të përbëjë një pjesë të popullit real, pra populli në kuptimin e atyre që kanë një bindje politike të qëndrueshme, duke trupëzuar kështu një rrugë realisht antagoniste ndaj kundër-revolucionit liberal.

Vetëkuptohet, pa përfshirjen masive të të proletarizuarve rishtaz, jelekët e verdhë nuk mund të përfaqësojnë si të tillë «popullin». Kjo do të ishte veç thjeshtim i atij populli në nostalgjinë e pjesës më të goditur të klasës së mesme për statusin e saj shoqëror që po humbet. Për të qenë «populli» sot në politikë, duhet që turma e mobilizuar të përmbajë një kontingjent të fortë e qendror të proletariatit nomad të periferive tona, proletariatit të ardhur nga Afrika, Azia, Evropa Lindore, Amerika Latine; duhet të shfaqë shenja të qarta të ndarjes nga sistemi dominant. Si fillim përmes shenjave të dukshme, si psh. flamuri i kuq në vend të trikolorit. Pastaj edhe tek ato që thuhen, në trakte e në banderola ku duhet të ketë direktiva dhe pohime antagoniste ndaj këtij rendi. E më pas, edhe te kërkesat minimale që duhet të shtrohen, përshembull ndalja totale e privatizimeve dhe anulimi i të gjitha atyre që kanë ndodhur pas mesit të viteve ´80. Duhet patur si ide dysheme kontrollin kolektiv mbi gjithë mjetet e prodhimit, gjithë aparatet bankare dhe gjithë shërbimet publike (shëndetësisë, arsimit, transportit, komunikimit). Shkurt, populli politik nuk mund të kënaqet, për të ekzistuar, vetëm me përfshirjen e disa mijëra të pakënaqurve, qofshin ata siç besoj unë, njëqind mijë, dhe të kërkojë nga një Shtet – të cilin nga ana tjetër e quan me të drejtë të urryer – që t´i konsiderojë, që të organizojë për ta referendume (cilat përshembull?), që të mbajë hapur disa shërbime publike pranë tyre, dhe që të rrisë nga pak fuqinë blerëse duke zvogëluar taksat.

Por, me të kaluar ekzagjerimet dhe fjalët e mëdha, lëvizja e jelekëve të verdhë mund të jetë shumë e nevojshme në të ardhmen, siç e thotë Marx-i: nga këndvështrimi i të ardhmes së saj. Nëse pra ne kthehemi kah ky minoritet aktivistësh të lëvizjes së jelekëve të verdhë të cilët duke u mbledhur, duke bërë aksione e duke folur kanë kuptuar në ndonjë farë mënyre intuitive se u duhet të përftojnë një vizion të përbashkët, si në shkallë globale ashtu edhe në shkallë franceze, për atë qëështë burimi i vërtetë i fatkeqësive të tyre, pra për kundër-revolucionin liberal; e të cilët si rrjedhojë janë të gatshëm të marrin pjesë në etapat e njëpasnjëshme të ndërtimit të një force të tipit të ri; atëherë këta jelekë të verdhë, duke menduar nga këndvështrimi i të ardhmes së tyre; do të mund të kontribuojnë pa asnjë dyshim në ekzistencën e një populli politik. Për këtë arsye ne duhet të flasim me ta, e nëse ata pajtohen, duhet të organizojmë së bashku mbledhje, ku do të konstituohen parimet fillestare të asaj që do të mund ta quajmë, apo që në fakt do të duhet ta quajmë, edhe pse fjala në këto tridhjetë vitet e fundit është bërë e mallkuar dhe e errët, komunizëm, po, një komunizëm i ri. Siç e ka treguar edhe përvoja, mohimi i kësaj fjale ka dhënë kudo sinjalin e një regresi politik pa precedent, e kundër këtij regresi ngrihen, pa qenë shumë tëvetëdijshëm, gjithë këto «lëvizjet» e periudhës së fundit, duke përfshirë aty gjithëçka të mirë te «jelekët e verdhë»: militantët që shpresojnë për një botë të re.

Si fillim këta militantë rishtarë do të mbështetnin atë që unë e shoh si të domosdoshme: të krijojnë kudo që ka mundësi, nga getot e qyteteve të mëdha e deri te qytetet e vogla të zbrazura, shkolla ku ligjet e Kapitalit dhe domethënia e luftës kundër tyre në emër të një orientimi politik krejtësisht të ndryshëm, do të mund të mësohen në mënyrë të qartë. Nëse përtej episodit «jelekë të verdhë kundër Macron-it të bardhë», të shtyrë prej më të mirës që ky episod mbart potencialisht, do të mund të lindte një i tillë rrjet shkollash politike të kuqe, atëherë lëvizja, nëpërmjet fuqisë së saj indirekte zgjuese, do të vërtetohet se kishte një rëndësi të vërtetë.

 

Përktheu: Arbër Zaimi