mendim
Arsyeja pse e arrestuan Assange-in

Arsyeja pse e arrestuan Assange-in

Giorgio Agamben - 22 prill 2019 - 18:56

E pata takuar Assange-in dy vite më parë në ambasadën e Ekuadorit në Londër, e duke rimenduar gjithë çka më tha gjatë takimit tonë, besoj se mund të kuptohet sot se përse e kanë arrestuar.

Assange më rrëfeu se ishte duke hulumtuar mbi mënyrën se si Google po përgatitej të përdorte gjithë sasinë e stërmadhe të informacionit që disponon. Bëhej fjalë, sipas Assange-it, që t’i shiteshin shoqërive të sigurimeve e shërbimeve sekrete të dhëna mbi interesat, dëshirat, konsumin, gjendjen shëndetesore, leximet qe bëjnë, me një fjalë mbi jetën në çdo aspekt te saj, të dhënat e miliona njerëzve.

Sipas Assange-it, dhe unë mendoj se është i qendrueshëm gjykimi i tij - kjo gjë donte të thoshte një rritje e paprecedent e mundësive të vënies në kontroll të qenieve njerëzore nga ana e pushteteve ekonomike e policore. 

Pra arrestimi i Assange-it nuk ka të bëjë thjesht me dëshirën për të dënuar hulumtimet që Wikileaks ka bërë në të shkuarën, por sidomos me ndalimin e hulumtimit që aktualisht po zhvillohet, i cili haptazi po perceptohet nga palët e interesuara si një kërcënim. Kjo është edhe një arsye më tepër se pse duhet te shprehet pa asnjë rezervë solidaritet me Assange-in.

Përktheu: Arbër Zaimi