thelbi

- 08 dhjetor 2018 - 19:27

TezaTeza është një revistë e re në rrjet e cila publikohet vetëm online, si një platformë që synon të sjellë pranë lexuesve qasje të thelluara, analiza si edhe komente publicistike nga një pluralitet perspektivash. 

Duke qenë të vetëdijshëm për grafomaninë që nxitet e globalizohet prej rrjeteve sociale, ne do të përpiqemi që TezaTeza.com të mos kontribuojë në ndotjen e rrjetit me tekste pa vlerë e të cekët, me argumentë të paqëndrueshëm, me rrena e manipulime, apo me sharje. Nuk është censurë ky ndalim, pasi për të gjitha këto ekzistojnë tashmë vendet ku mund të botohen. Me shkrimet që botojmë këtu, si redaksi, do të përpiqemi të respektojmë maksimalisht sa publikun, ashtu edhe autorin. E për ato që nuk do të botohen do të komunikojmë me autorët, me shpresën që të sqarojmë çka sipas nesh nuk shkon, e si mund të përmirësohet (nëse) drejt botimit. Pra, do të përpiqemi të bëjmë punën e një redaksie klasike – punë që sot rrallë bëhet, ndaj dhe cilësia e publicistikës dhe e analizës sa vjen e është rrënuar.

Puna jonë është tërësisht vullnetare, e bazuar në pasionin tonë. Megjithatë, në vijim ne do të përpiqemi të gjejmë mbështetje, jo për të paguar punën tonë, por për të mundësuar pagesën e honorareve për autorët e ilustruesit që do të botohen. Tash për tash, kjo është e pamundur.

Anëtarë të redaksisë janë Agon Hamza, Arlind Manxhuka dhe Arbër Zaimi.  

të tjera